Raportet Kosovë-Greqi në rrugë të drejtë, por a do të ketë njohje dhe cili është ndikimi i Serbisë?

Politika

Raportet Kosovë-Greqi në rrugë të drejtë, por a do të ketë njohje dhe cili është ndikimi i Serbisë?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 12 korrik 2021 Në ora: 18:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Greqia bënë pjesë në grupin e shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Por nga ky shtet ka sinjale pozitive që një gjë e tillë mund të ndodhë. Kryeministri i Kosovës, Abin Kurti, zhvilloi një vizitë zyrtare në këtë shtet, ku gjatë takimeve të shumta, ai kërkoi nga shteti grek që të bëhet pjesë e shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën.

Gjithashtu, Kurti në panelin e diskutimit në edicionin e 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke, e ka përsëritur kërkesën për njohje.

“Njohja e shtetit tonë, bashkëpunimi në rajon dhe përfshirja sa më e shpejtë e rajonit në Bashkimin Evropian, është rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate” , ka thënë Kurti.

Por, në anën tjetër në mediat greke thuhet se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi që Serbia po mundohet që ta ndalojë Greqinë që ta bëjë këtë, duke e frikësuar atë me çështjen e Qipros.

Sipas ekspertëve, Serbia nuk mund ta manipulojë shtetin grek, pasi që ata kanë interesat e tyre diplomatike. Ata shtojnë se ka indikacione se Greqia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bazuar në raportet që janë ndërtuar kohëve të fundit ndërmjet këtyre dy shteteve.

Mehazi: Greqia do ta njoh Kosovën

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shenjat diplomatike tregojnë se Greqia do ta njoh Kosovën.

Image
Sulejman Mehazi

“Shenjat diplomatike tregojnë se Greqia do ta njoh Kosovën pa marrë parasysh çfarë shkruajnë mediat greke, se, Serbia si e qysh mundohet që Greqia mos ta bëjë këtë veprim. Shkuarjet dhe ardhjet e funksionarëve të lartë të dy shteteve Greqi-Kosovë e Kosovë-Greqi nuk janë të rastësishme e të paqëllimshme, po bëhen për një qëllim, për të njohur dy shtetet njëri tjetrin”, ka thënë ai.

Me tej, profesori ka shpjeguar se çfarë simbolike ka kërkesa e kryeministrit Kurti për njohje nga Greqia.

“Edhe simbolika e kërkesës së Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, se, Greqia duhet ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur e sovran e ka kuptimin e marrëdhënieve të mira diplomatike të dy shteteve ballkanike, dhe, se Vuçiqat mund vetëm të llomotisin me rastin e Qipros e asgjë më shumë. Themi kështu për shkak se Greqia politikisht e ekonomikisht nuk varet prej Serbisë, ajo është anëtare e fuqishme e BE-së”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Mehazi ka theksuar se Serbia nuk mund ta manipulojë Greqinë.

“Strategjia, interesi dhe forca diplomatike e Greqisë është në anën e shteteve të BE-së e jo të Serbisë agresive ruse e të vetmuar në mes të Ballkanit. Serbia mund të manipulojë me shtetet e varfra afrikane për tërheqjen e njohjeve të Kosovës e jo me Greqinë që është anëtare e plotfuqishme e BE-së e NATO-s”, ka potencuar ai.

Po ashtu, profesori ka shtuar se grekët kanë interesat e veta strategjike dhe i tillë është edhe njohja e Kosovës.

“E vogël është Serbia për të manipuluar e kundërshtuar Greqinë, grekët kanë interesat e veta strategjike, politike, ekonomike e diplomatike evropiane e amerikane e jo interesat e serbëve të izoluar jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në ato evropiane e amerikane. Nuk frikësohet Greqia prej hithrave serbe që mos ta njohë Kosovën, njohja e Kosovës nga Greqia është interes kombëtar e shtetëror grek”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

Bytyçi: Greqia është një shtet mik i Serbisë

Të njëjtin mendim sikurse parafolësi nuk e ka opinionisti Adem Bytyçi. Ai shprehet se Greqia dhe Serbia janë shtete mike dhe armiqësia ndaj shqiptarëve i lidh këto të fundit.

Image
Adem Bytyçi

“Greqia është një shtet mik i Serbisë. Miqësinë në mes këtyre dy shteteve i lidh qëndrimi armiqësorë i të dyjave ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ka vlerësuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, në qoftë se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do t`i bënte trysni Greqisë, mund të ketë si rezultat njohjen e Kosovës.

“Me gjithë vizitën e Kryeministrit Kurti në Greqi dhe kërkesën e Kurtit që ta njeh sa më parë Greqia, subjektivitetin ndërkombëtare të Kosovës, është e pa besueshme se Greqia se shpejti do ta njoh shtetin e Kosovës për shkak të Serbisë, por nëse Administrata Amerikane e Presidentit Biden do të bëjë seriozisht trusni Greqisë për ta njohur Kosovën , kjo edhe mund të ndodhë”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Ahmeti: Njohja nga Greqia është shume e rëndësishme

Në anën tjetër, analisti politik, Hidajet Ahmeti, për “Bota sot” ka përmendur se Qeveria Kurti po bën përpjeke për njohjet, ndërkaq sa i përket shtetit grek, ai ka thënë se vizita ndërmjet këtyre dy vendeve janë shpeshtuar.

Image
Hidajet Ahmeti

“Qeveria Kurti po bën përpjekje të vazhdueshme për zgjerimin e njohjeve e posaçërisht në vendet që janë anëtare të BE-se dhe nuk kanë njohur akoma Kosoven. Me Qeverinë Kurti janë shpeshtuar vizitat dhe takimet me zyrtaret e shtetit grek, pasi një njohje nga Greqia është shume e rëndësishme”, ka thënë Ahmeti.

Në fund, ai ka potencuar se Serbia mund t'i bëjë presion politik e diplomatik Greqisë, përkundër kësaj shteti grek mund ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Serbia mund t'i bëjë presion politik e diplomatik shtetit grek, por prapë vendimi për njohje i mbetet vet atyre. Vizitat dhe takimet me zyrtaret e shteti grek janë sinjal i mirë se shumë shpejt edhe de jure shteti grek mund ta njeh pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, shtet tjera që nuk e kanë njohur Kosovën, që janë pjesë e Bashkimit Evropian janë Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat