Arrest shtëpiak në Slloveni/ Zbardhet skema e Hashim Thaçit, tenton ta sigurojë me ndihmën e këtij njeriu

Politika

Arrest shtëpiak në Slloveni/ Zbardhet skema e Hashim Thaçit, tenton ta sigurojë me ndihmën e këtij njeriu

Nga: P.R Më: 12 korrik 2021 Në ora: 22:04
Hashim Thaçi

Sipas mediumit slloven, necenzurirano.si, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që të mbrojë veten nga një arrest shtëpiak në Slloveni.

“Megjithëse në dokumentet gjyqësore nuk thuhet se cili shtet është, sipas informacionit tonë, zgjedhja e parë e Thaçit është Sllovenia”, shkruan necenzurirano.si.

“Ish presidenti i Kosovës gjithashtu supozohet ta kontrollojë këtë mundësi përmes kanaleve të ndryshme me qeverinë Sllovene, e cila duhet t’i garantojë një gjykate speciale se Thaçi nuk do të largohet nga territori i vendit tonë gjatë gjykimit. Haga nuk i përgjigjet pyetjes nëse Sllovenia ka ofruar tashmë një garanci të tillë”, shkruan më tej mediumi slloven.

E lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, thotë se Hashim Thaçi e di se do të qëndrojë gjatë në burg, andaj edhe po kërkon arrestin shtëpiak në Slloveni.

“Sipas padisë së ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, për Thaçin dhe të tjerët, siç dihet, ajo është e njëjtë për të gjithë dhe akuzon ata si grup, se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit duke marrë pjesë vet ose duke i lejuar ato si udhëheqës në zinxhirin komandues. Ndaj Thaçi duke e ditur se do të kalojë kohë të gjatë në burg, ka kërkuar para disa muajsh që të gjykohet nga arresti shtëpiak, në një vend të tretë, duke përzgjedhur vet Slloveninë. E kjo, së fundi u dëshmua edhe nga mediumi investigativ slloven "Necensureno".Madje sipas gazetarëve Primosh Cirman dhe Tomas Modiç, të cilët edhe kanë publikuar këtë lajmë në mediumin investigativ "Necenzurirano", ata shkruajnë se informata në fjalë, është konfirmuar nga disa burime jo vetëm brenda Sllovenisë, por edhe jashtë shtetit slloven”, thotë Qarri.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, Thaçi po tenton të shfrytëzojë lidhjet e tij me kryeministrin aktual slloven, Janez Jansha.

“Për aq më tepër Cirman dhe Modiç sqarojnë se sa i takon transferimit të Thaçit me arrest shtëpiak në Slloveni, ai ka shfrytëzuar lidhjet që kishte edhe më herët me Janez Janshën dhe qysh para disa kohësh ka kontaktuar autoritetet sllovene me qëllim të marrjes së pëlqimit të tyre, për vendosjen e tij në Slloveni si vend i tretë që nuk kufizohet me Kosovën. Kështu që megjithëse deri më tani, Thaçit zyrtarisht i është mohuar kjo mundësi nga Gjykata Speciale, sipas normave të parapara të procedurës gjyqësore , pas parashtrimit të kërkesës, gjykata rishikon çdo dy muaj, mundësitë e transferimit të Thaçit në arrestit shtëpiak, nëse plotësohen kushtet e parapara ligjore, një ndër të cilat është aprovimi i vendimit nga Sllovenia dhe ofrimi i garancisë nga shteti slloven. Ndërsa shkaqet se pse Thaçi ka kërkuar të kalojë në arrest shtëpiak pikërisht në Slloveni, janë pikërisht lidhjet e tij me kryeministrin aktual slloven Janez Jansha, i cili përveçse, para pak kohësh promovoi me harta anonime, idenë e trishtë të Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe lëvizjen e kufijve në Ballkan, Janez Jansha pati vizituar privatisht Thaçin edhe në vitin 2011, kur ai ishte ende në opozitë”, shprehet analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Më tej, Qarri shton se Sllovenia shquhet për të kaluarën e saj në arrestimin e ish komandantëve të UÇK-së.

“Madje Sllovenia, për ata që mund të kenë harruar, shquhet edhe për një eksperiencë tjetër speciale, si arrestimet e komandantëve të UÇK-së, arrestime të cilat mund të mos kenë qenë as atëherë, krejtësisht të rastësishme, por më tepër të qëllimshme dhe të koordinuara mirë ndërmjet Thaçit e Janez Janshës, siç ndodhi arrestimi dhe deportimi i Fatmirë Limës më 18 shkurt të vitit 2003, nga Kranjska Gora në Hagë, vetëm rreth tre javë pas ngritjes së aktakuzës kundër tij, më 27 janar të vitit 2003,për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Tribunali i Hagës. Në Slloveni ishte arrestuar edhe ish komandanti i Trupave të Mbrojtëse të Kosovës Agim Çeku, më 22 tetor të vitit 2000, dhe mbajtur në arrest për 24 orë, siç u arrestua gjatë kthimit nga vizita zyrtare në Berlin, edhe ish kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga policia e Serbisë, qysh ne vitin 2006, veprim i cili u konsiderua si ndërhyrje me qëllime të njejta si ato të policisë së Serbisë, ndaj udhëheqësve të njohur i UÇK-së”, shpjegon Qarri.

Qarri thekson se nëse është në interes të Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi do të transferohet në arrest shtëpiak në Slloveni.

“Pra i vetmi person, nga udhëheqësit e UÇK-së që në Slloveni mund të frekuentonte lirshëm, në të gjitha kohët, ishte vetëm Hashim Thaçi, ndaj dhe ka dyshime, se ndoshta në koordinim me Janez Janshën, ata qysh atëherë mund të ketë ngritur edhe ndonjë qendër konspirative-koordinuese, të cilët në bashkëpunim me Serbinë, paracaktojnë emrat se kush, ku dhe kur duhet të arrestohet dhe deportohet në Hagë. Kështu që megjithëse nga Specialja ende nuk janë deklaruar për këtë çështje, nëse është në interes të Gjykatës Speciale, për mbledhjen e informatave të reja, radhitjen e emrave të të akuzuarve me prioritet, ofrimi i dëshmive shtesë për vërtetimin e aktakuzave ndaj tyre, si dhe identifikimin e dëshmitarëve tjerë që ende nuk janë në listën e prokurorisë, Gjykata një ditë jo të largët mund të vendosë, që Thaçi të transferohet me arrest shtëpiak në Slloveni”, shprehet Qarri,

Për fund, analisti Qarri deklaron se Thaçi ka kontaktuar edhe personalisht me njerëz brenda qeverisë sllovene për të siguruar transferimin e tij në Slloveni.

“Madje në një opinion të vetin, këtë mundësi e ka përforcuar edhe gjyqtari gjerman Kai Ambos, i cili ka shkruar se duhet “konsideruar seriozisht”, kërkesa e Thaçit “nëse ai merr ndonjë ofertë nga ndonjë vend i tretë si garantues për të”, ndërsa mediumi investigativ "Necenzurano" ka vërtetuar se tanimë Thaçi ka kontaktuar edhe personalisht me njerëz brenda qeverisë sllovene për të siguruar mundësinë e dërgimit të tij në Slloveni, derisa Jansha të jetë në pushtet”, përfundon për gazetën “Bota sot” analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat