Eksperti i sigurisë: Ja çfarë është dashur të bëjë Policia me dy serbët e parë afër burimit të ujit në Deçan

Politika

Eksperti i sigurisë: Ja çfarë është dashur të bëjë Policia me dy serbët e parë afër burimit të ujit në Deçan

Nga: A.Z Më: 15 korrik 2021 Në ora: 22:46
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj, ka folur lidhur me rastin e dyshimeve për helmim të më shumë se 1500 personave në Deçan duke thënë se akoma nuk mund të dilet me konkludime të qarta për këtë rast.

Ai ka folur edhe lidhur për dy serbë të cilët, sipas raportimeve, ishin parë në afërsi të burimit të ujit në Deçan.

“Meqë nuk është lajmëruar prokuroria lidhur me këtë rast kam kërkuar nga Policia e Deçanit që ta përpilojë një raport urgjent që do të më njoftojnë rreth kësaj dhe më pas do të merremi me veprimet e nevojshme në atë drejtim”.

Lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se për këtë duhet të bëhet një analizë e hulumtimeve nga policia, prokuroria dhe institucionet shëndetësore, sepse sipas tij nuk mjafton fakti që janë pare dy serbë duke shëtitur afër ujit, madje ajo pjesë nuk është as e ndaluar për të shëtitur, mirëpo nëse do të ishte e kundërta, atëherë është dashur të ndalohen këta persona dhe të zbulohen qëllimet e tyre nga policia.

“Çështja e helmimeve të popullatës së komunës së Deçanit donë një analizë të thuktë dhe detaje nga ana e policisë, prokurorisë dhe institucioneve të shëndetësisë dhe institucioneve tjera që mujnë me kontribua në këtë drejtim, që në bazë të hulumtimeve të konstatohet shkaku i atyre helmimeve. Nuk është e mjaftueshme fakti sikur që e përshkruan Kryeprokurori i Pejës Agim Kurmehaj, se dy serbë janë parë në afërsi të burimit të ujit në Deçan, që paskan shëtitur afër burimit të ujit, sepse shëtitjet në ato pjesë të burimit të ujit deri tash nuk janë shpallura si pjesë apo zona ku ndalohet rreptësisht shëtitja e njerëzve, pa marr parasysh se në këtë rast bëhet fjalë për persona të nacionalitetit serbë, dhe sikur të ishte ajo pjesë me ligje komunale apo shtetërore e ndaluar për shëtitje të popullatës, prokuroria apo policia ishte dashur ata persona t’i ndaloj dhe t’i shoqëroj në stacionin e policisë dhe të zhvilloj biseda zyrtare me ta si dhe t’i zbuloj qëllimet e atyre që shëtisin në ato zona të ndaluara dhe ta dinë identitetin e tyre, dhe tani e kishim pas të qartë qëllimet e tyre”, tha ai.

Më tej ka potencuar se nëse në këtë rast do kishin gjetur medikamente helmuese vetëm atëherë do të kishte dyshime të bazuara, sepse me këto deklarata të tanishme sipas Tërnaves, ngjasojnë me propaganda në favor të opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Nëse gjatë bastisjeve të tyre iu kishin gjetur sasi të ndaluara sikur helm apo medikamente helmuese të ngjashme në xhepa apo në ndonjë kese, atëherë tani ato dyshime do të ishin dyshime të bazuara e jo si tani që vete prokurori fut habi dhe panik me këto të thëna në opinion dhe me këto të thëna i përngjanë ndonjë propagandës që i shkon në favor opozitës që ka për qëllime rrëzimin e kësaj qeverie me demonstrata sikur po dëgjohen kërkesa të tilla, për dy serb që i ka vrejt që kanë shëtitur aty pari burimit te ujit, ai vetë është dashur si person zyrtar që është më e urdhëru policinë që t’i parandaloj ata persona serb dhe të zhvillojnë bisedë zyrtare me ta dhe ta konstatojnë shkakun pse ata ishin në këtë kohë kritike në ato vende”, shtoi Tërnava.

Tutje theksoi se policia dhe prokuroria duhet të hulumtojnë shumë që të gjejnë fakte për helmimin e këtyre qytetarëve. Madje, Tërnava thotë se nuk duhet të ketë deklarata të tilla sikur me dy serbët, andaj edhe prokurori duhet të hulumtohet për këtë deklaratë.

“Edhe policia edhe prokuroria si detyrë e tyre sipas ligjeve duhen shumë të angazhohen dhe të hulumtojnë në të gjitha mënyrat dhe të përcaktohen në dyshimet e tyre me fakte se si ka mujtë një numër i konsiderueshëm e popullatës të infektohet, e jo si tani një bisedë e një personi zyrtar sikur që është prokurori të shkaktojnë panik në popullatë vetëm që i paska pa dy serb duke shëtitur e pa bisedë me ta fare, përkundrazi ai prokuror duhet mirë të hulumtohet për qëllimin e tij që e ka pas kur është deklaruar në këtë mënyrë, ose të merret në bisedë informative nga prokuroria pse ai vet me ba lëshime ndaj atyre personave me që e paska vrejt se paskan qenë serbë. Tani i mbetet policisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse, që ta zbulojnë shkakun e helmimit të ujit dhe infektimit të asaj pjese të popullatës dhe të dalin me një qëndrim zyrtar të konstatimit të helmimit”, përfundoi Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat