“Enigmatike”/ Dy shtete garantuan lirimin e tij, ish-zëvendësministri jep lajmin e keq për Hashim Thaçin

Politika

“Enigmatike”/ Dy shtete garantuan lirimin e tij, ish-zëvendësministri jep lajmin e keq për Hashim Thaçin

Nga: A.Zh Më: 24 korrik 2021 Në ora: 17:04
Hashim Thaçi

Eksperti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka kujtuar se si ish-kryeministri Hashim Thaçi, në vitin 2015 u bënte presion deputetëve për të votuar krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Thaçi i kishte shpallur “armiq të Kosovës” deputetët që refuzonin votën për Specialen, sidomos ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Procedurat e krijimit të Gjyqit Special në Hagë të krijuar nga Kuvendi i Kosovës i mbajmë në mend edhe ne qytetarët e Kosovës, sidomos ato insistime të atëhershme që i bënte Kryeministri i Kosovës, në atë kohë e që ishte Hashim Thaçi, sikur që përfaqësuesit e lartë amerikanë e quanin Hashim Thaçin-Xhorxh Washingtoni i Kosovës, edhe që kishte kundërshtime të mëdha për krijimin e këtij gjyqi nga disa deputetë të parlamentit e sidomos të LVV dhe disa të tjerë, vet Hashim Thaçi bënte presione të papara ndaj deputetëve të parlamentit që të formohej ai gjyq dhe sikur që u shprehte se kush nuk e jep votën për miratimin e këtij gjyqi, ai është armik i Kosovës. Ndodhi si ndodhi dhe u miratua me shumicë votash ai vendim mbi krijimin e këtij gjyqi me seli në Hagë”, ka thënë Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme ka treguar edhe mangësinë e Gjykatës Speciale, duke theksuar se ajo ka kompetencat që të dënojë vetëm shqiptarët që kanë kryer krime. Ai ka kujtuar se ish-krerë të lartë institucionesh po mbahen në Hagë.

“Si mangësi e këtij gjyqi është fakti se ai nuk e ka asnjë gjykatës apo prokuror shqiptar të Kosovës, ky gjyq i ka kompetencat që me dënua vetëm shqiptarët që kanë kryer krime gjatë asaj periudhe që është paraparë me këtë ligj. Me krijimin e këtij gjyqi tani ndodhi që filloi edhe burgosja e personave të dyshimtë pas disa viteve që u krijua ai gjyq dhe për ato krime për të cilat dyshohen se i kanë kryer apo janë pjesëmarrës në ato krime që po ngarkohen të dyshuarit, e që po ata të burgosur më parë nga nëntori i 2020, ishin në poste të larta shtetërore sikur Hashim Thaçi, President i Kosovës, Kadri Veseli, Kryeparlamentar, Jakup Krasniqi, ish-Kryeparlamentar, Rexhep Selimi, kryetar i grupit të deputetëve të LVV në parlamentin e Kosovës, dhe tre të tjerët që janë të burgosur për vepra të ngjashme, e që tani të gjithë janë në mbajtje të burgut që mbi tetë muaj si të paraburgosur”, ka thënë më tej Tërnava për “Bota sot”.

Ndërsa, duke komentuar mundësinë e lirimit të ish-presidentit Hashim Thaçi, për shkak të garantimit të dy shteteve të treta për të, Tërnava ka thënë se kjo çështje është enigmatike.

Ai ka theksuar se sipas ligjeve ndërkombëtare, një gjë e tillë është e pamundur, pasi sipas tij, kjo është devalvim i ligjit të Gjyqit Special.

“Tani po përfliten se dy shtete të mëdha kanë ofruar garanci për ish-Presidentin Hashim Thaçin që të qëndrojë në shtetin e tyre, sepse po përflitet si mundësi, se nëse një shtet i tretë iu ofron garanci të paraburgosurve që të qëndrojnë në shtetin e tyre, një gjë e tillë qenka e mundur të ndodhë. Për opinionin kjo çështje është enigmatike se a mund të ndodhë kështu dhe a e parasheh ligji një veprim tëtillë. Sipas ligjeve ndërkombëtare të gjitha gjasat e mundësive të tilla janë të pamundura, sepse një gjë e tillë është devalvim i ligjit të Gjyqit Special”, është shprehur më tej Hajrullah Tërnava.

Eksperti i sigurisë ka pyetur se pse vendet e treta nuk po ofrojnë garanci edhe për ish-komandantët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në paraburgim në Hagë. Sipas tij, kjo e drejtë nuk mund të jetë e destinuar vetëm për Hashim Thaçin, sepse siç ka thënë ai, një praktikë e tillë do t’ia humbte efektin e krijimit të këtij gjyqi.

“Nëse për Hashim Thaçin dikush po i ofron qëndrim në një shtet të tretë, bëhet pyetja se shtete tjera a mund t’i ofrojnë garanci të tilla edhe të tjerëve që t’iu ofrojnë vendqëndrim në një shtet të tretë si në rastin konkret që iu ka mundësuar Hashim Thaçit. Prandaj, në këtë pikëpamje këtu ka kundërshtime me ligjin ndërkombëtar, sepse ligjet në fuqi janë të njëjta për të gjithë të paraburgosurit dhe të burgosurit, prandaj kjo e drejtë nuk mund të jetë e destinuar vetëm për Hashim Thaçin, sepse një praktikë e tillë kishte me e humb edhe efektin e krijimit të këtij gjyqi, sepse të drejtat e të dyshuarve në këtë gjyq sipas ligjeve janë të barabarta-të njëjta për të gjithë, por sikur t’iu mundësonte një garantim të qëndrimeve në shtete të treta edhe për të tjerët, atëherë shtrohet pyetja e arsyes së ekzistimit të këtij Gjyqi Special, dhe me këto veprime të garantimeve të shteteve të treta që t’i pranojnë dhe t’iu garantojnë qëndrime në shtetet e tyre, ky gjyq në fjalë do ta humbte arsyen e ekzistimit, prandaj nuk mund të besohet se shtetet e treta dikujt mund t’i garantojnë qëndrime në shtetet e tyre. Sepse edhe për këto jetësime të këtyre ligjeve të Gjyqeve Speciale ka institucione ndërkombëtare që i mbikëqyrin këto jetësime të këtyre ligjeve”, ka thënë Hajrulllah Tërnava.

Ndonëse dy shtete kanë ofruar garanci për lirimin e tij, Gjykata Speciale ia ka vazhduar paraburgimin ish-presidentit Thaçi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat