Nga “pushimi” në pushim, kritikohen deputetët e Kuvendit, munguan 440 herë në seanca

Politika

Nga “pushimi” në pushim, kritikohen deputetët e Kuvendit, munguan 440 herë në seanca

Albulena Muji   Nga Albulena Muji   Më 14 gusht 2021 Në ora: 08:40
Kuvendi

 Këtë javë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pushim. Por, si duket disa nga ta e kanë pasur pushim edhe gjatë kohës kur kishin punime. 

440 herë kanë munguar deputetet në seancat plenare gjatë sesionit pranveror, ndërsa gjatë po të njëjtes periudhë janë miratuar vetëm shtatë ligje. 

Për punën e Kuvendit të Kosovës, Instituti Demokratik i Kosovës të premten ka mbajtur një konferencë për media, ku kanë shpalosur të gjeturat e tyre përgjatë këtyre muajve. 

Angesa Haxhiu nga ky institut, ka deklaruar se Komisionet parlamentare kanë treguar performacën më të mirë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. 

Ndërkaq, ajo ka treguar se çfarë e ka karakterizuar  punën e Kuvendit gjatë  sesionit pranveror. 

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh në krahasim me dhjetë ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit deri në përfundim të sesionit janë proceduar 29 projektligje, prej të cilave shtatë janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare. Në anën tjetër, qeveria ka dështuar të përmbushë planin e saj legjislativ, duke dorëzuar vetëm 27 projektligje nga 65 sa kanë qenë të parapara në periudhën prill-gusht”, ka thënë Haxhiu. 

Burjani: Kuvendi më shumë është marrë me shkarkime 

Njohësi i çështjeve juridike dhe politike,  Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se rezultati i punës tregon efikasitetin e Kuvendit. 

Image
Blerim Burjani

Ai ka thënë se Kuvendi më shumë është marrë me shkarkime, se sa më nxjerrën e ligjeve. 

“Rezultati është treguesi më i mirë se a është efikas ky kuvend. Ky kuvend ishte efikas në shkarkime dhe ngarkime, por shumë pak në nxjerrje të ligjeve, madje as ligjin për shërbimin diplomatik ende nuk arriti ta ndryshoje për të shpall konkurs për ambasadorët që mungojnë ky konkurs parashihet në nenin 20 të ligjit, tash kjo mund të pengoj pak a shume që të kompletohet sa më parë stafi diplomatik”, ka thënë ai për “Bota sot”. 

Më tej, ai ka përmendur se çfarë është pritur nga ky legjislacion duke e ditur se pozita i ka numrat e nevojshëm. 

“Pra, kemi prit më shumë ligje që do të kalojnë për këtë periudhë kohore, duke pas parasysh se nuk ka krizë numrash në kuvend kjo qeveri. 

Sidoqoftë të shohim pjesën e dytë të këtij viti se a do të arrijë sa do pak të përmirësohet perfromanca”, ka potencuar Burjani për “Bota sot”. 

Pse po dështon Kuvendi i Republikës? 

Të njëjtin mendim sikurse parafolësi i tij e ka edhe  profesori dhe juristi, Muhamet Kelmendi. 

Image
Muhamet Kelmendi

Ai në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se në çfarë ka dështime në punën e pushtetit në Kosovë. 

“Pushteti në Kosove është i ndare juridikisht. Pavarësia e tri pushteteve garantohet me Kushtetutë. Mirëpo në kuadër të aktivitetit të organeve kemi një përzierje të pushteteve. Në fakt vartësia e legjislativit është totale nga ekzekutivi. Ky e dirigjon tërësisht pushtetin e Kuvendit. Në këtë anë kemi edhe dështime”, ka thënë ai për “Bota sot”. 

Po ashtu, Kelmendi deklaron se komisionet dhe Kuvendi po merren me shkarkime dhe ngarkime të bordeve të ndryshme. 

“Pushteti ekzekutiv po e harxhon kohen dhe punën e komisioneve dhe të Kuvendit me shkarkime dhe ngarkime të bordeve të ndryshme. Vetëm brenda dy muajve kemi shkarkim të mëdha në vend. E kjo punë kërkon kohë dhe bën shpenzime të mundimshme. Komisionet po merren me shkarkim dhe me ngarkim të bordeve. 

Vetëm disa borde, ai i Asgjësisë se privatizimit, Asgjësisë se arsimit dhe të vlefshmërisë, si dhe të RTK-së bënë harxhime të mëdha të kohës se komisioneve dhe të Kuvendit. U harxhuan disa muaj. Komisionet po merren vetëm me këtë punë. Ato nuk po shqyrtojnë projektligjet dhe nuk po i përgatiteni ato për Kuvend”, ka thënë ai për “Bota sot”. 

Gjithashtu, profesori ka kritikuar edhe ministrat, që sipas tij, ata i kanë lënë anash çështjen e punës dhe të përgatitjes së projektligje për Kuvend. 

“Edhe pushteti ekzekutiv, ministrat, janë kapur pas te ashtuquajturës "spastrim të pushteteve". E kanë lënë anash çështjen e punës dhe të përgatitjes së projektligjeve për Kuvend”, ka vlerësuar Kelmendi. 

Kelmendi paralajmëron dështime në Kuvend

 Më tej, profesori ka treguar se kush është shkaku i dështimit të punës së Kuvendit të Kosovës. 

“Kudo nëpër pushtet po kryhet punë spastruese. Tamam sikurse të ishin armiq të shtetit dhe popullit. Këtu është shkaku i dështimit të punës së Kuvendit si pushtet legjislativ. Po këtu dalin edhe dështimet tjera në fusha të ndryshme të pushteteve. Natyrisht se duhet punë spastruese. Por askush nuk mund të largohet për përkatësi politike. Largimet nga puna duhet të behën për mos punë, për korrupsion dhe për kriminalitet. Largimet tjera janë jo legjitimitet dhe kështu vetëm thellohen konfliktet në vend”, ka cilësuar ai. 

Kelmendi përmend që në Kuvend ka mospajtime midis grupeve parlamentare dhe pozitës e opozitës. 

“Ne kështu do të kemi vazhdimësi hakmarrëse. Kuvendi nuk do të kryejnë detyrat madhore. As çështja e dialogut me Serbinë nuk po kalon si duhet në Kuvend. Aty ka vetëm mospajtime midis grupeve parlamentare dhe pozitës e opozitës.. Nuk ka platformë. Edhe në fushën e ligjeve kemi dështime.  Po kalojnë ligjet që i shërbejnë partisë në pushtet. Në raportet me jashtë është Kuvendi në pozitë amorfe pa asnjë punë konkrete. Ai nuk dine të funksionoje si organ i pavarur dhe të ndërtohet raporte me kuvendet e shteteve të ndryshme në botë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”. 

Në fund, ai ka kritikuar Kuvendin, si edhe kryetarin e tij, Glauk Konjufcen. 

“Është shumë i ngurtë Kryetari dhe vetë  Kuvendi. Dhe në fakt nuk ka një platformë të përbashkët me pushtetin ekzekutiv. Kështu kemi një gjendje të rëndë dhe shumë jo produktive. Këtej priten edhe dështime tjera në fusha të ndryshme të Republikës”, ka përfunduar Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat