Kthimi i shpresës së humbur, kandidatët e rinj për kryetarë të komunave, sukses apo dështim?

Politika

Kthimi i shpresës së humbur, kandidatët e rinj për kryetarë të komunave, sukses apo dështim?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 20 gusht 2021 Në ora: 08:27
Ilustrim

Më 16 gusht ka përfunduar afati i partive për t’i dërguar në KQZ emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe asamble komunale, për zgjedhjet që do të mbahen më 17 tetor.

Ajo që i dallon nga zgjedhjet e kaluara është se partitë politike në disa komuna për kryetar kanë kandiduar emra të rinj, pra duke i eliminuar kandidatët e zgjedhjeve të kaluara.

Ata kanë vendosur që në disa komuna të kandidojnë emra tjerë nga kryetarët e deritashëm që kanë qeverisur apo nga ata që nuk kanë arritur të fitojnë në zgjedhjet e kaluara.

Por, sa do t’u sigurojë kjo sukses atyre, do të jetë pozitive apo do të ketë efekt negativ për partitë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohë të çështjeve politike.

“E rëndësishme të konkurrojnë njerëz të afërt me qytetarët”

Lidhur me këtë, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se është e nevojshme që të konkurrojnë njerëz të drejtë e të afërt me qytetarët, sepse sipas tij, zgjedhjet lokale më shumë kanë karakter ambiental dhe regjional.

Mehazi tutje ka shtuar se në zgjedhjet lokale duhet zgjedhur njeriun e jo partinë, gjë që sipas tij, gjatë zgjedhjeve lokale qytetarët më shumë votojnë partitë se sa individët konkurrues.

“Zgjedhjet lokale nuk e kanë frymën e zgjedhjeve parlamentare, për shkak se më shumë kanë karakter ambiental e regjional se sa të qeverisjes shtetërore, prandaj është e nevojshme që gjatë zgjedhjeve lokale partitë politike të konkurrojnë me njerëz ambiental, të autoritetshëm, të drejtë, të dashur e të afërt me qytetarët nëpër komunat ku do konkurrojnë e veprojnë. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të mirëfillta demokratike votuesit si çdo herë zgjedhin partinë, kurse gjatë zgjedhjeve lokale votuesit duhet të zgjedhin njeriun e jo partinë. Për fat të keq, shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor, sidomos te shtetet shqiptare Shqipëri, Kosovë e RMV nuk bëhet ky dallim i të votuarit, qytetarët shqiptarë edhe gjatë zgjedhjeve lokale më shumë votojnë partitë sesa individët konkurrues, prandaj emërimi i kandidatëve të rinj e të autoritetshëm nuk do të kenë vlerë përballë partisë fituese parlamentare”, tha ai.

Sipas tij, edhe në këto zgjedhje qytetarët do ta votojnë LVV-në, ndërsa për kandidatët e rinj thotë se do të jetë i kotë kandidimi i tyre, sepse qytetarët do votojnë po këtë parti, pra LVV-në.

Mehazi gjithashtu thekson se partitë politike të Skenderajt duhet përshëndetur të cilët abstenuan kandidaturat e tyre për Jasharin.

“Si çdoherë qytetarët shqiptarë si në Kosovë e gjetiu gjatë zgjedhjeve lokale votojnë partinë fituese të zgjedhjeve parlamentare, në këtë rast shumica e qytetarëve të Kosovës do të votojnë LVV-në, se sa autoritetet e kandidatëve të partive tjera. Janë për t'u përshëndetur partitë politike në Komunën e Skenderajt të cilët me marrëveshje xhëntëlmene të LVV-së, PDK-së, LDK-së, AAK-së abstenojnë kandidaturat e tyre duke e respektuar familjen e Jasharëve me Bekim Jasharin në krye të Skenderajt. Edhe pse është e logjikshme dhe pozitive nominimi i kandidatëve të rinj për kryetar të Komunave, por do jetë i kot për shkak mentalitetit të qytetarëve që do votojnë për partinë fituese te zgjedhjeve parlamentare LVV-në”, ka shtuar Mehazi.

“Zgjidhje e qëlluar dalja e përbashkët e PDK, LDK, AAK dhe AKR”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se është e vështirë të themi se si do të reflektohen ndryshimet nga kandidatët e rinj, pasi që nuk kemi asnjë sondazh.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, mbi analizën e partive politike janë bërë edhe ndërrimi i kandidatëve, e që sipas tij, do të sigurojnë sukses.

“Fushata elektorale veç ka filluar. Kandidatët paraqiten dhe tash priten punë në drejtim të bindjes së votuesit për votë. Se si do të reflektohen ndryshimet e kandidatëve nëpër komuna është vështirë të themi. Por, mirë është ndryshimi. Ai tregon se ka filluar çështja të analizohet më mirë. Si reflektohet? Tash është vështirë të theksohet me siguri, kjo për faktin se nuk kemi asnjë sondazh për të mundur me dhënë mendim. Megjithatë, duket se ndërrimi i kandidatëve është bërë nga partitë mbi bazën e analizave partiake, që ato e kanë bërë. Mbi atë analizë janë paraqitur kandidatët dhe kështu konsiderohet se do të sigurohen suksese”, tha Kelmendi.

Më tej, Kelmendi ka shtuar se është siguruar një koalicion i gjerë në mes LVV dhe Listës serbe, ndërsa dalja e përbashkët e PDK, LDK, AAK dhe AKR thotë se është zgjidhje e qëlluar, madje duhet t’i bashkohet edhe LVV.

“Si dhe mbi cilat ide politike nuk mund te dihet! Për mua vetëm në Mitrovicën e veriut është siguruar një koalicion i gjerë midis partive politike, pa VV, që të dilet përballë Listës serbe. A do të korret sukses mbetet të shihet. Mirëpo, dalja e përbashkët: PDK, LDK, AAK dhe AKR është një zgjidhje shumë e qëlluar dhe me vend. Duhet që kësaj t’i bashkohet edhe VV. Së bashku dalin më të fortë në rezultatet përfundimtare. Rezultatet tjera me kandidatë të rinj a të vjetër, është një çështje që në fund çon te një përfundim, te ai se partia vendosë përfundimisht”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

“Kandidimi i të rinjve veprim i qëlluar”

Në anën tjetër, analisti Islam Krasniqi, e quan të qëlluan këtë veprim, sepse sipas tij, kjo e dëshmon se ka filluar të sundojë fryma demokratike, pra duke iu dhënë të drejtë të rinjve.

Image
Islam Krasniqi

Sipas tij, me kandidatët e rinj, partitë e vjetra kanë vetëm suksese nga ta, pasi që këta kandidatë mund të kthejnë shpresën e humbur të votuesit por edhe te subjekti politik.

“Veprimi i partive politike që në disa komuna ka vendosur të kandidojnë për të parin e komunës me kandidatë të rinj, është veprim i qëlluar, i cili dëshmon se ka filluar të sundojë fryma demokratike brenda partisë politike, duke iu dhënë të drejtë kandidatëve të rinjtë. Rruga është pak më e vështirë, mirëpo një pjesë e atyre kandidatëve kanë një CV e cila mund t'i përmbushë qëllimet e qytetarëve për të zgjedhur më të mirët, e që mund të sjellin prurje, por edhe rritje votash në partitë e tyre me programet dhe projektet e tyre. Partitë e vjetra kanë vetëm suksese me kandidatët e rinj, pasi që populli i ka ndëshkuar si pasojë e grupeve klanore dhe kandidatët e rinj mund të kthejnë shpresën e humbur si te votuesi ashtu edhe të subjekti politik”, ka deklaruar Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat