A e përhapën ahengjet muzikore virusin? Flet Afrim Muçiqi, ka një porosi për politikanët!

Politika

A e përhapën ahengjet muzikore virusin? Flet Afrim Muçiqi, ka një porosi për politikanët!

Majlinda Haziri  Nga Majlinda Haziri  Më 31 gusht 2021 Në ora: 12:02
Afrim Muçiqi, foto ilustrim "Bota sot"

Gjendja pandemike në vend vazhdon të mbetet e rëndë.

Dita e diel përfundoi me 36 vdekje brenda 24 orëve, shifër kjo tragjike për vendin tonë.

Qeveria mblodhi Këshillin e Sigurisë për shkak të gjendjes alarmante.

Nga sot kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid, ku përfshihen edhe ora policore si dhe kufizimi i orarit të gastronomisë.

Gjithashtu, kryeministri i vendit gjatë mbrëmjes së djeshme deklaroi që gjobat do të jenë më të rënda për ata të cilët nuk respektojnë masat e vendosura.

Mirëpo, ajo se çfarë u diskutua kohëve të fundit janë deklaratat e mjekëve se në rritjen e numrit të rasteve dhe përhapjen e virusit kanë ndikuar koncertet, klubet e natës si dhe dasmat.

Të njëjtit po akuzojnë këngëtarët për mbajtjen e ahengjeve të ndryshime që kanë sjellë grumbullim të njerëzve dhe përhapje të virusit njëkohësisht.

Kujtojmë që para se të merrej vendimi për lirimin e masave, shumë artistë kishin paralajmëruar protesta para Qeverisë, nëse nuk do të lejohej veprimtaria e restoranteve të dasmave dhe diskotekave, ku ata këndonin.

Muçiqi: Partitë politike me fushatën e tyre kanë filluar përhapjen e virusit

E në lidhje me këtë temë, “Bota sot” ka kontaktuar me këngëtarin dhe njëkohësisht drejtorin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Afrim Muçiqi.

I pyetur në lidhje me deklaratat që mjekët kanë deklaruar në drejtim të këngëtarëve, ai u shpreh se dasmat mbajnë një përgjegjësi të vogël sa i përket përhapjes së virusit mirëpo që dasmat dallojnë nga koncertet dhe klubet e natës.

Sipas tij, në dasmë vijnë familjarët që edhe në jetën e përditshme kanë kontakt ndërsa në koncerte dhe klube të natës, të gjithë janë të panjohur e që gjasat për të përhapur virusin janë më të mëdha.

“Dallon dasma dhe koncerti sepse në koncert shkojnë njerëzit e paftuar ndërsa në dasmë janë të gjithë familjarë të ftuar, që edhe në jetën e përditshme ti ke kontakt dhe qëndron me ata. Sa i përket dasmave, unë mendoj që kanë një përgjegjësi jashtëzakonisht të vogël mirëpo mendoj që klubet e natës, pastaj koncertet e kryetarëve të komunave që në shenjë të diasporës kinse “i duan shumë” kanë organizuar koncerte për ata”, u shpreh ai.

Ai tutje thotë se gisht për përhapjen e virusit kanë partitë politike pasi përdorën sallat politike për fushatat e tyre, duke mbledhur kështu persona që më shumë se gjysma nuk kanë qenë as edhe të vaksinuar.

Këngëtari bën apel për fushata inkurajuese për të u vaksinuar, pasi që vaksinimi sipas tij është një ndihmesë e madhe për secilin prej nesh të mos përhapim virusin.

“Shkaktar të rritjeve të rasteve nuk janë as dasmat, as koncertet as klubet e natës në realitet por është e gjithë politika, pasi që ka filluar gjithçka mbrapsht sepse në momentin kur dasmat kanë qenë të ndaluara dhe ato salla i kanë përdorur për fushata politike. Kështu që duhet të ketë njerëz të vetëdijesuar për të marrë vaksina e pastaj të gjithë njerëzit publik duhet të bëjnë fushata për tu vaksinuar, njësoj sikur Oda e Hotelerisë ku edhe unë përfaqësoj që vazhdimisht kemi bërë apel për tu vaksinuar, pasi është një problem global”, tha Muçiqi për “Bota sot”.

Muharremi: Ahengjet familjare kanë luajtur rol në përhapjen e virusit

Image
Ilir Muharemi

Kurse, Ilir Muharemi, kritik i artit për “Bota sot”, thotë se virusi shpërndahet në turma mirëpo thekson që Kosova është shtet që momentalisht është në krizë ekonomike dhe kjo ka shkaktuar të hapen ahengjet e ndryshme për të fituar para.

“Dihet që në turmë shpërndahet më shumë virusi. Kosova është shteti që ka krizë ekonomike, qeveritë janë në gjendje gjithçka me leju veç njerëzit me arrit një rritje ekonomike, kjo i bie rreziko jetën për para”, është shprehur ai.

Më tej, shton se këngëtarët nuk këndojnë këngë me vlera sidomos ata në dasma mirëpo jetën e bëjnë luksoze dhe për këtë arsye kërkojnë të hapen ahengjet.

“Këngëtarët në Kosovë jetojnë në luks, paguhen më së shumti në raport me vlerën që e ofrojnë sepse vlera e tyre veçanërisht ata nëpër dasma është tallava, pra zero. Kjo gjykohet në bazë të shijes sime sepse kurrë nuk do i përkas një shije të tillë”, potencoi Muharremi për “Bota sot”.

Mehmeti: Masat të respektohen në mënyrë që pasojat të jenë më të vogla

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se ka qenë e nevojshme hapja e dasmave dhe koncerteve mirëpo që udhëzimet e shkruara do të duhej të zbatoheshin më shumë duke mbajtur distancë dhe higjienë.

“Hapja e dasmave dhe koncerteve ka qenë e nevojshme të ndodhë, ngase vendi s’ka kapacitete të mëdha ekonomike të humb miliona euro në kulmin e sezonit. Mirëpo, gabimi më i madh i qeverisë ka qenë mos mbikëqyrja e zbatimit të udhëzimit të saj. Për këtë është dashur të angazhohen inspektorë shtesë sezonal, të cilët do e mbikëqyrnin zbatimin në pikë për pikë të vendimit të qeverisë, duke përfshirë masat e distancimit, higjienës dhe mbajtjen e maskave”, ka thënë ai.

Në fund, analisti ka vlerësuar se gjatë verës nuk janë respektuar masat aspak dhe për këtë arsye sot po i kemi pasojat.

“Gjatë verës askush s’ka bartur maskë, as vet policët dhe zyrtarët e shtetit duke e lëshuar “në ler". Pastaj u panë pasojat e të cilat ishin të pritshme ngase s’ka pasur mbikëqyrje nga shteti, por edhe restorantet nuk i janë përmbajtur as 1% rregullave”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat