Sulmet ndaj ministrit Vitia, kundërpërgjigjen nga Vetëvendosje dhe tregojnë pse u rritën rastet me Covid-19

Politika

Sulmet ndaj ministrit Vitia, kundërpërgjigjen nga Vetëvendosje dhe tregojnë pse u rritën rastet me Covid-19

Nga: A.ZH. Më: 1 shtator 2021 Në ora: 08:18
Arben Vitia dhe Albin Kurti

Gjendja e rënduar pandemike në Kosovë, ka rritur reagimet e partive opozitare kundër Qeverisë së Kosovës. Ato kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, të cilin e kanë akuzuar për keqmenaxhim të luftës ndaj Covid-19.

Brenda dy ditëve të fundit kanë vdekur 76 persona si pasojë e Koronavirusit, ndërsa janë infektuar më shumë se 3800 persona.

Në Lëvizjen Vetëvendosje, kanë thënë për gazetën “Bota sot”, se ky përkeqësim vjen si pasojë e variantit Delta, i cili sipas ekspertëve të fushës, ka aftësinë të përhapet shumë shpejt.

Mirëpo, sipas deputetit të VV-së Enver Dugolli, kjo situatë nuk është vetëm në vendin tonë. Ai ka theksuar se sulmet ndaj ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia janë për qëllime politike dhe elektorale për shkak të garës në zgjedhjet lokale.

Image
Enver Dugolli

“Fatkeqësisht situata me pandeminë Covid-19 është përkeqësuar dhe për pasojë ka numër më të madh të te infektuarve, por edhe raste me fatalitet. Kjo valë e re e përkeqësimit vjen nga varianti Delta i COVID-19, i cili sipas ekspertëve të fushës ka aftësinë të përhapet shumë shpejt. Mirëpo, kjo situatë nuk është vetëm në vendin tonë. Fatkeqësisht varianti Delta i virusit po sfidon gjithë botën, prandaj sulmet ndaj qeverisë dhe ministrit Vitia, nuk kanë të bëjnë aspak me virusin, përhapjen e tij dhe menaxhimin e kësaj situate. Opozita po e shfrytëzon këtë të keqe të madhe globale për të goditur z.Vitia dhe Qeverinë, për qëllime politike dhe elektorale kur dihet se gati jemi futur në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor 2021.”, është shprehur Dugolli.

Deputeti i VV-së ka vlerësuar punën e ministrit Vitia, duke thënë se ai ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Z.Vitia është ministri që ka arrit rezultate të jashtëzakonshme në menaxhimin e situatës me pandeminë. Është ministri që ka marr detyrën pa asnjë vaksinë të siguruar dhe ka arrit që të nënshkruajë kontratë të favorshme me kompaninë Pfizer dhe tani kur po flasim, kemi arrit të tejkalojmë numrin e mbi 800 mijë vaksinave të administruara”, ka theksuar ai më tej për “Bota sot”.

Ai ka kërkuar bashkim energjish pa dallim, në luftën kundër Covid-19.

“Natyrisht se situata nëpër të cilën po kalojmë është e rëndë dhe kërkon që t'i bashkojmë energjitë, të gjithë pa dallim, për tejkalimin e saj”, ka shtuar Enver Dugolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat