Shqiptarët e Kosovës Lindore i thonë JO himnit serb: Dinjiteti i shkollës shqipe nuk guxon të rrënohet

Politika

Shqiptarët e Kosovës Lindore i thonë JO himnit serb: Dinjiteti i shkollës shqipe nuk guxon të rrënohet

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 2 shtator 2021 Në ora: 21:32
Ilustrim

Para se të fillojë procesi mësimor në Serbi, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Branko Ruzhiq mori vendim që të intonohet himni shtetëror i Serbisë në të gjitha shkollat. 

Pas këtij vendimi pati reagime të shumta, sidomos nga shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në Kosovën Lindore. 

“Bota sot” merr vesh se ky vendim i Ruzhiq-it nuk është zbatuar në shkollat ku shkruhet dhe flitet shqip. 

Për këtë vendim kanë folur  për “Bota sot” edhe përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Ata intonimin e himnit serb e shohin si presion ndaj minoriteteve, posaçërisht ndaj shqiptarëve. 

Vendimi i Ruzhiqit , Kamberi: Është formë presioni 

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ky është vendimi politik. 

“Është vendim politik që shkakton presion të fëmijët pjesëtarë të minoriteteve”, ka thënë deputeti shqiptar. 

Image
Shaip Kamberi

Po ashtu, ai ka deklaruar se si imponim politik është formë presioni. 

“Himni është përjashtues për minoritetet, prandaj edhe si imponim politik është formë presioni”, ka cekur Kamberi për “Bota sot”. 

 Mustafa: Vazhdim i politikave të vjetra 

Ndërkaq, kryetari i Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se ka kërkuar  dorëheqjen e drejtueseve të shkollave shqipe të cilët nuk janë të gatshëm të mbrojnë identitetin kombëtar e kulturorë. 

Image
Ragmi Mustafa

 “Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar kam ftuar drejtuesit e shkollave shqipe në Luginë të Preshevës të japin dorëheqje, në rast se nuk janë të gatshëm të mbrojnë identitetin kombëtar e kulturorë. Dinjiteti dhe integriteti i shkollës shqipe nuk guxon të rrënohet. Politikat imponuese për intonimin e himnit kombëtar nëpër shkolla vetëm sa thellojnë segregacionin ”, ka thënë ai. 

Mustafa ka theksuar se himni i Serbisë nuk i përfaqëson shqiptarët e Kosovës Lindore. 

“Himni i sotëm(e mërkurë) i Republikës së Serbisë (sikurse stema dhe flamuri) nuk përfaqëson komunitetet jo shumicë e aq më pak shqiptarët e Luginës së Preshevës. Sepse është përjashtues për shumë grupe të shoqërisë: etnike, kulturore, sociale, gjinore etj”, ka treguar ai.  

Gjithashtu, Mustafa ka përmendur se me çfarë përballen shqiptarët të Kosovën Lindore. 

“Nxënësit e Luginës së Preshevës privohen ende nga e drejta themelore për edukim të dinjitetshëm e privohen nga tekstet shkollore, shkollave të mesme e ende nuk është përmbyllur cikli i sigurimit të teksteve mësimore për shkollat fillore. Po ashtu, të diplomuarave tanë nuk ju njihen ende diplomat e Kosovës, edhe pse Presidenti Vuçiq është zotuar për njohjen e tyre, së fundi në Marrëveshjen e Ëashingtonit, në prani të Presidentit së SHBA, z.Donald Trump”, ka cekur ai. 

Në fund, Mustafa ka thënë se ky vendim për intonimin e himnit është  vazhdim i politikave të vjetra , por me nocione të reja. 

“Sado që ky vendim duket edhe për konsum të brendshëm në funksion të shmangies së problemeve reale të qytetarëve; ai është edhe në frymën e mendësisë politike dhe kulturore të këtij pushteti, që po vazhdon politikat e vjetra me nocione të reja, si “srpski svet”, ka përfunduar Mustafa për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat