Beogradi do të dështojë shpejt/Kjo është rruga e Kosovës për njohjet e shteteve të fuqishme, ja çka e favorizon lobimin

Politika

Beogradi do të dështojë shpejt/Kjo është rruga e Kosovës për njohjet e shteteve të fuqishme, ja çka e favorizon lobimin

Nga: G.B Më: 4 shtator 2021 Në ora: 12:24
Pamje nga nënshkrimi i Marrëveshjës së Washingtonit

Sot 1 vit më parë, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen që u quajt historike, në Shtëpinë e Bardhë, në Washington, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan në atë kohë, Donald Trump.

Sipas kësaj marrëveshje, ndër të tjera Kosova nuk do të lobonte për njohje të reja për 1 vit, ndërsa Serbia do të ndalte fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Por, ajo nuk e respektoi këtë që e nënshkroi në SHBA, derisa Kosova ndali fushatën për njohje të reja.

Tani që afati për këtë ka përfunduar, Kosova do të mund të nis fushatën që shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

Lidhur me gjithë këtë, për gazetën "Bota sot" ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se Kosova e ka respektuar marrëveshjen për dallim nga Serbia.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi

"Sot u bë një vit nga nënshkrimi i marrëveshjeve në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë midis Kosovës e Serbisë nga njëra anë (veç e veç) dhe presidentit amerikan Donald Trump, nga ana tjetër. Sigurisht që një marrëveshje e nënshkruar me presidentin amerikan meriton vëmendjen më të lartë të autoriteteve të Kosovës. Dhe qeveritë e Kosovës e kanë respektuar atë marrëveshje. Ndërsa Serbia nuk e ka respektuar në pikat që nuk shkojnë në favor të interesave të saj. Kjo është një llogari midis Beogradit dhe Uashingtonit", ka thënë ai,

Sipas profesorit, derisa Kosova i ka respektuar zbatimet, ka dilema nëse kjo duhet të bëhet ndaj një shteti që shkel të gjitha limitet dhe rregullat.

"Ndërsa Kosova i ka zbatuar detyrimet e saj me shumë korrektesë, edhe pse mund të merrte risk për to. Kosova ka qenë dhe është e përgjegjshme. Megjithatë gjithnjë e më shumë po rritet skepticizmi dhe dilema, nëse një shtet të sillet me korrektësi e përgjegjshmëri përballë një shteti që shkel çdo limit, rregull, standard e ligj ndërkombëtar në sjelljen e tij me një vend të përpiktë. Serbia nuk njeh rregulla e ligje në sjelljen e saj ndaj Kosovës. Kjo është karakteristikë e sjelljes së saj jo vetëm në raport me marrëveshjen e Uashingtonit, por edhe me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel", është shprehur Bytyçi.

Ai ka shtuar se Kosovës nga 4 shtatori nuk i mbeten detyrime ndaj marrëveshjes por që duhet të ndryshojë sjellje me njohjet dhe përpjekjet për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

"Derisa Serbia nuk ka qenë korrekte, atëherë Kosovës pas datës 4 shtator nuk i mbeten më as detyrime morale ndaj marrëveshjes në fjalë. Ato që Kosova i ka zbatuar deri tani duhet t'i respektojë. Asgjë tjetër nuk është e detyruar të realizojë në raport me Serbinë. Kjo sjellje duhet të ndryshojë sidomos me njohjet dhe përpjekjet për t'u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Serbia do të bëjë të sajën, do të përpiqet ta ç'njohë Kosovën. Por edhe po e bëri këtë Beogradi do të merret me banane-republikat, të cilat njëherë i blen Pacolli e herën tjetër Daçiçi", ka theksuar profesori.

Sipas tij, me rëndësi është që Kosova të merret me pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, me Vatikanin dhe aleatë të mëdhenj të SHBA-ve, derisa tregon dhe mënyrat se si Kosova mund të marrë më shumë njohje nga shtetet.

"Ndërsa për Kosovën është me shumë rëndësi të merret me pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, me Vatikanin dhe aleatë të mëdhenj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së. Diplomacia shqiptare ka mundësi të përdorë marrëdhëniet e mira të SHBA-ve, Japonisë dhe Australisë me Indinë dhe ta bindin këtë vend për njohjen e Kosovës. India ka idhull të saj Nënë Terezën. Duhet t'i kërkojmë ndihmë shenjtores edhe nga parajsa, që të bindet India për njohjen e atdheut të Nën Terezës, Kosovës. Evropa afrohet gjithnjë e më shumë me Kinën. Sidomos Gjermania. Diplomacia shqiptare ka mundësi që përmes Gjermanisë të ndikojë te Pekini për njohjen e shtetit të Kosovës, ose së paku për rritjen e nivelit të marrëdhënieve midis tyre", ka potencuar Bytyçi për "Bota sot".

Ai shton se duhet punuar më shumë me shtetet për njohje, derisa është i mendimit se në BE dhe SHBA, zëri i Kosovës është më i dëgjueshëm se i Shqipërisë.

"Ka shumë hapësira e mundësi. Sidomos me Greqinë, Spanjën, Rumaninë e Sllovakinë. Duhet punuar edhe me Borrell e Lajçak që këta t'i bindin vendet e tyre ta njohin Kosovën. Dhe e gjithë kjo lloj diplomacie do të jetë efektive në një shtet, i cili është bërë dhe duhet të dëshmojë modelin e vet demokratik në rajon. Zëri i Kosovës në Evropë dhe SHBA do të jetë më i dëgjueshëm sesa zëri i Shqipërisë, për shkak se Kosova është një vend demokratik. Nuk është si Serbia dhe Shqipëria, një vend autokratik, e konsideruar Ramokraci ose Vuçiço-kraci", ka deklaruar Enver Bytyçi.

Profesori ka përmendur dhe ndarjen që kryeministri Rama i ka bërë interesave strategjik të Shqipërisë dhe Kosovës, derisa thotë se ai nuk ka kohë të renditet krah Kosovës dhe të lobojë për të, pasi është i zënë me Ballkanin e Hapur.

"Është fatkeqësi që kryeministri i Shqipërisë të enjten në mbrëmje për herë të parë në historinë e Shqipërisë i ndau interesat strategjike të vendit që ai drejton me interesat strategjike të Kosovës. Është për të vënë kujën për këtë. Por ne e dimë tashmë se asnjë politikan shqiptar, i cili bashkëpunon me autoritetet e larta të Beogradit, nuk mund të jetë në pajtim me interesat strategjike të Kosovës. Prandaj nuk duhet pritur që diplomacia shqiptare të radhitet krah Kosovës. Ajo është e zënë me Open Balkanin dhe marrëdhëniet e mira të Ramës me Vuçiqin. Nuk ka kohë e mundësi të lobojë edhe për Kosovën, edhe për rehabilitimin e kriminelit serb, sot president i Serbisë! Të dyja këto nuk shkojnë bashkë, madje përjashtojnë njëra-tjetrën", ka vlerësuar ai.

Sipas Bytyçit, nëse Kosova koordinohet me vende të fuqishme si Britania dhe SHBA-të, Beogradi do të dështojë shumë shpejt dhe po ashtu tregon se si mund të sigurohet njohja nga Spanja.

"Prandaj Kosova e ka më të lehtë të bashkëpunojë me vendet e fuqishme të BE-së, me Britaninë e Madhe dhe SHBA-të. Edhe Britania e Madhe ka mundësi të lobojë p.sh në Indi, por edhe në vende të tjera në botë. Nëse koordinohen veprimet me këto vende të fuqishme, atëherë Beogradi do të dështojë shumë shpejt. Duhet synuar Vatikani. Me gjithçka, me të gjitha mjetet, me të gjitha format, me angazhimin për të ruajtur një aleancë të përhershme, një bashkëpunim të favorshëm të gjithmonshëm. Njohja nga Vatikani e shtetit të Kosovës çon në njohjen e Spanjës, vendit më katolik evropian. Greqia duhet nxitur gjithashtu. Fort! Mos të lihet që hekuri të ftohet. Unë besoj në pragmatizmin e politikës greke", ka thënë ai.

Krejt në fund, ai ka thënë se largimi i Serbisë nga BE e favorizon Kosovën dhe lobimin e saj dhe kjo duhet shfrytëzuar, duhet emëruar ambasadorët dhe të mos lihet boshllëk në diplomaci.

"Duhet shfrytëzuar fakti se Serbia po largohet qëllimisht nga Bashkimi Evropian, por që synon të marrë me vete edhe Shqipërinë e Maqedoninë. Kjo e favorizon lobimin e Kosovës, politikanëve dhe diplomacisë së saj. Për këtë qëllim duhet që menjëherë të emërohen ambasadorët. Madje është pak vonë. Por më mirë vonë se kurrë! Asnjë boshllëk nuk duhet të ketë në diplomaci. Ndërkohë që duhet parë pozicioni i ndonjë ambasadori që ka lobuar për ndarjen e Kosovës", ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat