Turpi i drejtësisë në Kosovë/20 vjet heshtje për vrasjen e Bekim Kastratit e Besim Dajakut

Politika

Turpi i drejtësisë në Kosovë/20 vjet heshtje për vrasjen e Bekim Kastratit e Besim Dajakut

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 19 tetor 2021 Në ora: 08:16
Bekim Kastrati e Besim Dajaku

Janë bërë 20 vite nga vrasja e gazetarit te gazetës "Bota sot", Bekim Kastrati dhe truprojës së presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajaku. Këto vrasje, njësoj sikur vrasjet tjera të pasluftës kanë mbetur ende enigmë, pasi kurrë nuk u zbuluan vrasësit.

19 tetor të vitit 2001, në një pritë të organizuar në hyrje të Skenderajt, një grup kriminelësh, qëlluan me armë zjarri në drejtim të veturës ku ishin Bekim Kastrati, Besim Dajku, Gani Geci e Shani Geci . Kjo vrasje në pritë, ka mbetur ende e pazbuluar.

Ngjarja ndodhi në dalje të Skenderajt, ku persona të panjohur u dolën në pritë dhe shtinë me armë automatike në drejtim të veturës ku ishin Bekimi, Besimi, Gani e Shani Geci. Bekimi mbeti i vrarë në vend. Besimi erdhi gjallë deri në spital, ndërkaq Gani Geci u plagos në këmbë.

Është bërë kërkesë nga familjarët disa herë që këto vrasje të zbulohen, mirëpo deri më tani kur po bëhen dy dekada nuk ka ndonjë informacion.

E vetmja shpresë për zbardhjen e këtyre vrasjeve sikurse edhe shumë të tjerave të gjatë dhe pasluftës, ka mbetur Gjykata Speciale, e cila tashmë ka filluar gjykimin e disa personave si të dyshuar për vrasje të kryera brenda territorit të Kosovës e të motivuara politikisht.

Gazeta ‘Bota sot’ ka kërkuar një përgjigje nga prokuroria nëse ka informacione rreth këtyre dy vrasjeve, mirëpo ata nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike e kanë konsideruar si shqetësues faktin e mos-zbardhjes së vrasjeve të pasluftës, e sidomos këto që po shënojnë sot dy dekada dhe ende nuk dihet asgjë.

Zogaj: Vrasja e Bekim Kastratit ishte akt i ndyrë i argatëve të okupatorit, që ishin kundër lirisë dhe shtetit të Kosovës

Ish zyrtari i LDK-së, bashkëpunëtori i Fehmi Aganit dhe më pas edhe mik e bashkëpunëtor i kolonelit, Ahmet Krasniqit, Skender Zogaj, thotë se vrasja e gazetarit Bekim Kastrati, ishte një vepër e tmerrshme e duarve të zeza të tradhtisë kombëtare.

Image
Skender Zogaj

Vrasja e gazetarit Bekim Kastratit në hapat e parë të punës profesionale, që ky po i bënte me guximin dhe kurajën e qëndresës demokratike, ku fjala e lirë duhej të ishte arma kryesore e forcës së popullit dhe vendit të tij, ishte vepër e tmerrshëm e duarve të zeza të tradhtisë kombëtare, ishte akt i ndyrë i argatëve të okupatorit, që ishin kundër lirisë dhe shtetit të Kosovës”, thekson Zogaj.

Ai thotë tutje se vrasja e Bekim Kastratit ishte një vrasje e zgjedhur, që kishte për qëllim të frikësonte plejadën e të rinjve dhe të rejave që ishin të gatshëm të kultivonin dhe përhapnin fjalën e lirë, së cilës armiqtë e Kosovës ia kishin frikën.

"Prandaj u zgjodhën dhe u vranë gazetarët e dalluar: Shefki Popova, Xhemajl Mustafa, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati..., vrasjet e të cilëve i pagoi populli i Kosovës, që edhe 22 vjet pas luftës ende nuk po mund të bëhet shtet i lirë dhe i pavarur. Dhe nuk ka me u bë kurrë shtet i vërtetë, pa i zbardhur vrasjet e këtyre gazetarëve dhe qindra demokratëve të tjerë të atdhetarisë së kristaltë që janë vra për ta ndalu dhe gjymtuar Kosovën dhe për t'ia plagosur ëndrrën e lirisë”, thekson ai.

Zogaj thotë se shpreson që çështja e zbardhjes së vrasjeve politike të zbardhet sa më shpejtë dhe Kosova të çlirohet nga e keqja që e ka përbrenda.

Prandaj, duke iu përkulur gjakut të këtyre bijve të devotshëm, le të shpresojmë se, çështja e zbardhjes së vrasjeve politike të ndodh sa më shpejtë dhe vrasësit të marrin dënimin e merituar, sepse vetëm kështu Kosova mund të çlirohet nga e keqja që e ka përbrenda, e cila siç po e shohim të gjithë, po vazhdon ta mbaj peng Kosovën dhe popullin shqiptar të saj”, thotë Zogaj për ‘Bota sot’.

Maxharraj: Vrasje e fjalës së lirë

Ndërkaq profesori dhe publicisti Binak Maxharraj duke folur për punën e gazetarit tashmë të ndjerë të gazetës ‘Bota sot’, Bekim Kastratit, thotë se kjo gazetë ka përjetuar deri më tani shumë sakrifica në mbrojtje të fjalës së lirë.

Image
Binak Maxharraj

Kur horrat e kupolës së krimit të organizuar kuptuan se faktet, të vërtetat e kësaj gazete janë kokëforta, horrat filluan të godasin gazetarët e saj nisën vrasjet e gazetarëve, u vra gazetari dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugovës, Xhemajl Mustafa, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti e deri te tentim antentati, hedhja e bombës në selinë qendrore të “Bota sot”në Cyrih të Zvicrës”, thotë Maxharraj.

Maxharraj thotë se ndonëse kanë kalur 20 vite nga vrasja e Bekim Kastratit, gazetarit të ‘Bota sot’, kjo vrasje e fjalës së lirë, por edhe vrasjet e tjera politike nuk janë zbardhur deri më sot.

Bile është tentuar nga LVV që të formohet një komision parlamentar për të hulumtuar këto vrasje, por më kot ishte e pamundur nga rezistenca e kapove, klaneve të krimit të organziuar që e kishin kap dhe zapuar prokurorinë dhe gjyqësinë dhe nuk lejonin që as një hapë të ndërmerr në këtë drejtim, sepse ata e dinin fortë mirë se ku po rrinë miza pas veshit. Pra, me një drejtësi, prokurori dhe gjyqësi të kapur, të korruptuar nga kupola e krimit të organizuar as që ishte e mundur bile që të zbulohet ndonjë vrasje me motive politike”, thotë Maxharraj për ‘Bota sot’.

Tërnava: Familjarët e jetojnë jetën në ankth, më frikë e dhimbje

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se vrasjet e pasluftës, si në rastin konkret të vrasjeve të gazetarit të gazetës “Bota sot” i Bekim Kastratit dhe truprojës së presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajaku dhe shumë intelektualëve të tjerë, janë fenomeni më negativ që i ka ndodhur shtetit tonë.

Image
Hajrullah Tërnava

Është e kuptueshme se në krejt këto vrasje që ndodhën deri më tani krijohen dyshime të ndryshme se këta njerëz qenkan vra me qëllime të ndryshme. Pra, vrasësit kishin qëllim që ta frikësojnë pjesën e popullatës që edhe pas luftës e votonin LDK-në. Këta njerëz u vranë kur në krye të shtetit si ngadhënjimtar dhe i paluhatshëm qëndronte si kryetar i shtetit Dr. Ibrahim Rugova, me politikat e të cilit nuk pajtoheshin ata komandantët e pasluftës, që thirreshin në çlirimin e Kosovës. Qëllimi i vrasjeve të tyre ishte i qartë, që popullata të frikësohej”, u shpreh Tërnava.

Tërnavës, është turp për institucionet e vendit fakti që nuk janë zbardhur këto vrasje.

Ndonëse u vranë shumë veprimtarë të çështjes kombëtare, asnjë rast deri më tani nuk është zbardhur që në realitet është turp për institucionet e Kosovës dhe njerëzit që e udhëhiqen këtë vend”, potencon ai.

Tërnava shton se nga fakti i mos-zbardhjes së këtyre rasteve mund të vlerësohet se në këtë vend nuk ka njerëz që e kanë guximin të merren me këto raste, t`i gjykojnë vrasësit dhe urdhërdhënësit e tyre.

Kujtojmë se 20 vjet më parë, pas një atentati të organizuar mirë nga grupet kriminale, kanë mbetur të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova.

Në këtë atentat, kishte mbetur i plagosur rëndë edhe Gani Geci, ish-deputet i LDK-së dhe pjesëtar i UÇK-së, që gjithnjë kishte deklaruar se, për komandant ka pasur vetëm Adem Jasharin.

Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishte hetuar këtë vrasje makabre, por pas një kohe kishte pushuar hetimet.

EULEX-i kishte bërë të ditur se Agron Sylejmani, ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat