Ish-zëvendësministri i MPB-së tregon skenarin e lidhjes së nëntokës kriminale me sistemin e drejtësisë në Kosovë!

Politika

Ish-zëvendësministri i MPB-së tregon skenarin e lidhjes së nëntokës kriminale me sistemin e drejtësisë në Kosovë!

Nga: N. Sh. Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Kosova që nga paslufta e deri sot, është kritikuar për sistemin e dobët të drejtësisë.

Në raporte ndërkombëtare por edhe vendore, sistemi i drejtësisë në Kosovë është i rangut të fundit.

Të paktën deri tash, krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk janë luftuar pothuasje fare.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës, me në krye kryeministrin Albin Kurti, kanë marrë disa aksionë në luftimin e kësaj dukurie.

Aksione të Policisë kemi pas edhe në veri të vendit.

Ish-zv. Ministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, thekson se, Prokuroria dhe Gjykatat në Kosovë, ia kanë bë avokatin krimit të organizuar të instaluar në institucionet e drejtësisë.

Eksperti i sigurisë, potencon se, lidhja e nëntokës kriminale me segmentet e caktuara të sistemit të drejtësisë është shumë e fuqishme.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo lidhje hetohet sidomos në rastet e zvarritjes me qëllim të zhvlerësimit dhe dëmtimit të provave e në procese gjyqësore, që kur kemi të bëjmë me shumicën e rasteve të gjykimeve për vjedhje të buxhetit dhe shpërlarje të parave të pista, këto të dyja janë avokat të krimit”, thotë Tërnava.

Ai shton se, raste të tilla që pritet të marrin epilogun përfundimtar janë të shumta.

“Më 26 nëntor, pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të ndryshimit në përbërje të gjithë trupit gjykues ka filluar rishtazi nga pika zero, shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale për 6 të akuzuarve për shpëlarje parash dhe shmangie nga tatimi. Sipas aktakuzës të përfaqësuar nga Prokuroria Speciale, të akuzuarit,  që nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale”, thekson ai.

Sipas tij, të pandehurit nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, pasurinë e fituar nga aktiviteti kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, e kanë konvertuar dhe transferuar, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma parash mes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.

“Po ashtu, gjashtë të pandehurit, dyshohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste. Sipas vlerësimit të ekspertizës profesionale, me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi dhe pastrim të parave” duke e dëmtuar edhe buxhetin e Kosovës në vlerë prej 459.738.80 euro”, potencon ai.

Tërnava shton se, lojërat e tilla të bashkëpunimit në mes të prokurorëve dhe gjyqtareve të lidhur me krimin e organizuar, gjithsesi se janë mënyra më perfide e amnistimit të krimit dhe përfitimit kriminal e pasurimit të tyre.

“Ata kështu janë duke tregtuar e trafikuar drejtësinë kundrejt parave, si dhe dëmtuar buxhetin e shtetit në bashkërendim me nëntokën kriminale, prandaj pikërisht të tillët duhet hetuar dhe vlerësuar ndër të parët, që nga dita e parë e miratimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit Anti-Mafia, për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”, thotë ai.

Ai shton se, me luftimin serioz të krimit të organizuar në institucionet e Kosovës, do të fillonte një epokë e re e shtet ndërtimit të Kosovës.

“Me këtë edhe shteteve fqinjë do të iu epshim një mësim se si luftohet krimi i organizuar, pasi ky lloj i krimit është një grupim i krimeve më të rënda, prandaj këtë lloj krimi e kryejnë vetëm ata të fortit në ato institucione ku iu kanë besuar ato vende të punës që i kryejnë punët me “kravata dhe këmisha të bardha” për ti mbuluar faqet e zeza”, përfundon eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat