Maxharraj: Borrell nuk është arbitër në dialog

Politika

Maxharraj: Borrell nuk është arbitër në dialog

Nga: A.M. Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 14:15
Albin Kurti, Josip Borrellin

Kryeministri Albin Kurti, gjatë kësaj jave pati një përplasje me Josip Borrellin, Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian.

Arsyeja e përplasjes së Kurtit me Borellin ishte çështja e asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

Profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se Borrelli nuk ka të drejtë që të përzihet në çështjen e dialogut.

“Joe Borrell nuk është arbitër në dialog, është vetëm ndërmjetësues i BE-së, ai nuk ka të drejtë të përzihet në ”punët e brendshme të dialogut”, nuk guxon të bëjë presion e as të imponojë diçka", ka thënë ai.

Gjithashtu, profesori ka përmendur edhe kërkesën e Borrell-it që ia bëri Kurtit në Bruksël.

“Josip Borrelli në Bruksel u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin për nisjen e dialogut në nivel të lartë duke ia bërë me dije Kurtit se është radha të bisedohet rreth formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar ai.

Më tej, profesori shprehet se Borrell e kërcënoi kryeministrin Kurti për themelimin e asociacionit.

“Asociacioni këto ditë edhe filloi përplasja e ashpër midis ndërmjetësuesit të BE-së Josip Borrellit dhe kryeministrit Albin Kurti, gati se duke e kërcënuar se Kosova e ka obligim ndërkombëtar të themelojë asociacionin, pasi që është nënshkruar dhe fuqizuar nga Parlamenti i Kosovës, por jo edhe nga Parlamenti i Serbisë që e bënë që kjo marrëveshje për asociacionin të mos këtë vlerë ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, profesori ka shtuar se sjella e Borrell-it ishte e vrazhdë dhe arbitrare në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës.

“Kryeministri i Kosovës Albin Kurti duke e parë se është një njeri stabil, që nuk është i shantazhuar, sikur Thaçi e Mustafa, është kategorikisht kundër themelimit të asociacionit një etnik me kompetenca ekzekutive. Por, është shumë e çuditshme sjellja e vrazhdë dhe arbitrare e Josip Borrellit në takimin e fundit me Kurtin. Borrelli po del jashtë kompetencave të veta si ndërmjetësues i BE-së, duke e marr rolin e arbitrit dhe shkopin në dorë, bile edhe me kërcënime që asociacion të themelohet ashtu siç e dëshiron Serbia në dëm të Kosovës. Dihet qartë se ky njeri është një serbofil, ashtu siç është edhe Lajçaku, janë kryesisht në shërbim të Serbisë, ashtu siç ishte edhe Mogherini më parë, i mbrojnë interesat e Serbisë, ani pse në dialog duhet të jenë të paanshëm”, ka deklaruar ai.

Në fund, profesori ka thënë se përfaqësuesit e BE-së nuk kanë të drejtë që ta detyrojnë dhe të ushtrojnë presion ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit.

“As Borrelli e as Lajçaku nuk kanë të drejtë të merren me “punët e djallit” në dialog, nuk kanë të drejtë të përzihen “në punët e brendshme” të dialogut. Ata janë veç se ndërmjetësues, kurrsesi urdhërues, nuk kanë të drejtë të detyrojnë e aq më pak të ushtrojnë presion ndaj Kosovës për themelimin e asociacionit një etnik me kompetenca ekzekutive, i cili doli antikushtetues, dhe çdo marrëveshje qoftë ajo edhe ndërkombëtare nuk e ka fuqinë e ekzekutimit, nëse është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Apo si theksojnë mendjet e ndritura të Amerikës si Daniel Server, David Fhilip se Kosova nuk duhet të nënshkruajë asnjë marrëveshje nëse ajo është në kundërshtim me interesat e saj, edhe nëse Amerika e kërkon”, ka përfunduar Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat