Përplasja Tahiri- Kurti/ Kriza energjetike nga dështimet e qeverive të kaluara

Politika

Përplasja Tahiri- Kurti/ Kriza energjetike nga dështimet e qeverive të kaluara

Nga: A.Z Më: 28 dhjetor 2021 Në ora: 20:15
Albin Kurti dhe Edita Tahiri

Ish-kryengociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit ia hodhi fajin qeverive të kaluara për problemin aktual me krizën energjetike në vend.

Edita Tahiri ka thënë se qeveritë janë për të zgjidhur problemet sepse për këtë janë votuar dhe jo për t’i fajësuar pushtetet e kaluara.

“Qeveritë janë për të zgjidhur problemet sepse për këtë punë kanë marrë votat, dhe jo për të fajësuar qeveritë e kaluara…”, ka shkruar Tahiri.

Kosova pas rreth një dekade po përballet me krizën më të madhe energjetike. Përveç shtrenjtimit të madh të energjisë në tregun ndërkombëtar, Kosova u godit edhe me probleme të tjera në prodhimin e energjisë. Nga prishjet në blloqet e Kosova A, ndodhi shpërthimi i turbinës së bllokut 2 të Kosova B, prodhuesit kryesor energjetikë. Aktualisht edhe janë duke u bërë përpjekjet për kthimin në prodhim të këtij blloku, që nuk pritet të ndodhë para 20 janarit 2021, dhe njëkohësisht po hetohet incidenti nga eksperti gjerman.

Dështimet e qeverive të kaluara

Image
Skënder Mulliqi

Lidhur me këtë, analisti Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se e gjithë kjo është pasojë e politikave nga pas lufta, madje kanë pasur edhe diskutime për ndërtimin e termocentraleve të reja, por që nuk u realizuan, ndërsa Qeveria e tanishme erdhi para aktit të kryer.

“Pasojat e krizës së tashme me energji elektrike nëse duam me qenë real në vlerësimin e gjendjes, është pasojë e politikave dështuese nga pas lufta, lidhur më këtë temë. Kanë munguar strategjitë dhe projektet afatgjata të sigurimit normal për qytetarë të energjisë elektrike. Në periudhën e kaluar qeveritë kanë diskutuar për ndërtimin e termocantraleve të reja nga thëngjilli, por që nuk e vunë Kosovën kurrë deri më sot në binarët normal të tranzicionit energjetik. Nuk u realizuan projektet për ndërtimin e një termocentrali të ri, pos dy ekzistueseve që janë, e tani Qeveria e Kurtit ka ardhur para aktit të kryer. Sigurisht se ka pasur mundësi të menaxhimit pak më të mirë të energjisë, por edhe kursime më të mëdha nga konsumatorët kur dihet se kemi krizë energjetike edhe në rajon e më gjerë”, tha ai.

Tutje theksoi se përveç kësaj edhe sipas ekspertëve si pasojë e gjithë kësaj është mos ndërtimi i një termocentrali të ri.

Mulliqi shton se fajin nuk e ka qeveria e tanishme, sepse po të shfrytëzoheshin pasuritë natyrore me thëngjill nga qeveritë e kaluara, nuk do ta kishim tani këtë situatë të tillë.

“Dhe, kjo natyrisht se e vështirëson punën me furnizim adekuat me energji elektrike pa reduktime. Edhe ekspertët e ndryshëm të kësaj lëmie ndajnë mendimin se si pasojë e mungesës të madhe të energjisë elektrike është pikërisht mos ndërtimi i një termocentrali të ri. Nuk është ndërtuar ky termocentral sikur nuk janë bërë edhe shumë punë të tjera të vlefshme nga qeveritë e kaluara. Të bëhesh kritizer tash është lehtë, por që faji nuk është i kësaj qeverie. Në të kaluarën nuk u shfrytëzuan pasuritë natyrore me thëngjill, e sikur kjo punë të bëhej me kohë, tani nuk do të kishim një situatë të tillë të mosfurnizmit të mjaftueshëm me energji që po shkakton dëme të konsiderueshme ekonomike”, shtoi ai.

Më tej potencoi se bizneset nuk mund të funksionojnë nëse nuk ka furnizim të mirë të energjisë dhe me çmim të përballueshëm.

Problemi me energji elektrike rrjedh nga qeveritë e kaluara

Ai komentoi edhe deklaratën e Tahirit, e që sipas tij, Tahiri e dinë mirë se ky problem me energji elektrike rrjedh nga qeveritë e kaluara.

“Kur jemi këtu duhet theksuar se pa një furnizim të mirë me energji, çmimi i të cilës do të ishte i përballueshëm për qytetarin, bizneset e Kosovës nuk mund të investojnë, të punojnë dhe të krijojnë vende të reja të punës, spitalet dhe shkollat nuk mund të funksionojnë mirë apo në mënyrë të sigurt, e as amvisnitë kur dihet se jemi në dimër. Ish kryenegociatorja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka fajësuar qeveritë e kaluara për krizën energjetike. Dhe, Kurti e ka thënë një të vërtetë të madhe, kurse Edita e dinë mirë se mospasja e mjaftueshme e energjisë, është pasojë që rrjedh nga qeveritë e kaluara, të cilat pak gjë të hairit kanë punuar”, theksoi Mulliqi.

Ai shtoi se punët 20 vjeçare nuk riparohen brenda natës, andaj opozita vazhdimin e kritikon qeverinë aktuale për ndërprerje të rrymës.

“Jo vetëm lidhur me këtë temë, problemet e shumta të trashëguara për një kohë 20 vjeçare nuk riparohen brenda natës, por që opozita bëhet sikur nuk i intereson fare kjo punë për të gjetur justifikime të pa bazuara, duke e fajësuar për ndërprerje të rrymës Qeverinë Kurti. Çdo ndërprerje e rrymës mund të prodhojë edhe keqpërdorim të situatës, duke e ndalur rrymën në disa lokalitete të Kosovës, e sidomos në fshatra me orë të tëra brenda një dite, e jo sa është proklamuar nga Qeveria, apo më adekuat nga ministria përkatëse”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat