“Kur nuk janë në pushtet gjithçka u duket keq”/Thirrje ndaj partive opozitare për akuzat ndaj kryeministrit Kurti

Politika

“Kur nuk janë në pushtet gjithçka u duket keq”/Thirrje ndaj partive opozitare për akuzat ndaj kryeministrit Kurti

Nga: G.B Më: 3 janar 2022 Në ora: 09:41
Qeveria Kurti

Prej 20 vitesh partitë aktuale opozitare kanë qenë në pushtet dhe tani kur janë në opozitë duket se ende nuk janë mësuar me rolin e tyre.

Padyshim që kritikat janë të pritura në drejtim të qeverisë, por që duhet të jenë dhe të arsyeshme.

Partitë opozitare e akuzuan qeverinë si anti-amerikane, se nuk po menaxhon mirë pandeminë, nuk po sjell vaksina, se e ka kapur shtetin, për ngritjen e çmimeve e krizën energjetike.

Por, para se të kritikonte, a do të duhej opozita të pranonte gabimet e të kaluarës të qeverisjes 20 vjeçare dhe të pranojë përgjegjësinë për ato?

Lidhur me këtë, analisti Islam Krasniqi, ka thënë se opozita ende nuk e ka kuptuar rolin e saj dhe si të bëjë opozitarizëm.

Image
Islam Krasniqi

“Opozita nuk e di akoma se çka do të thotë fjala opozitë apo nuk e di së si bëhet opozitarizmi, vetëm me ofendime dhe kritika, duke u munduar të njollosin për çdo gabim që me dashje apo nga mosdija për 20 vite me radhë vepruan partitë tjera që ishin pjesë e qeverive”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, opozita nuk duhet të ketë ndasi në çështje nacionale derisa shton se tani që kanë rënë nga pushteti gjithçka iu duket keq dhe e drejtojnë gishtin nga qeveria.

“Opozita nuk duhet të ketë ndasi në çështje nacionale, por t’i përkrah ato. Fatkeqësisht edhe një pjesë e mediave ju ka bashkangjitur opozitës duke e kritikuar dhe shpifur sepse qeveria ju ka ndaluar të hyrat e kundërligjshme nga të cilat këto janë financuar. Një pjesë e opozitës nuk dinë as t’i kuptojnë gabimet e tyre, vetë kanë qenë mirë në pushtet dhe kanë menduar se të gjithë janë mirë sikur rasti i dhelprës “kur ju ka djegur bishti, ka menduar se u djeg dynjaja”, dhe tash ka ndryshuar jeta e tyre pasi kanë rënë nga pushteti dhe mendojnë se gjithçka keq është dhe e drejtojnë gishtin nga qeveria duke thënë ja çka po bën, ku i ka premtimet e dhëna gjatë fushatës”, ka vlerësuar analisti.

Ai përmend ndihmën e qeverisë për disa kategori.

“Qeveria ka shtrirë dorën mbi qytetarët, si për nënat lehona, për fëmijët, për studentët, besa edhe mbi kategoritë pensionale e shumë e shumë vendime që janë më të mira se ndoshta shumica e vendimeve të qeverive të kaluara”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat