Jo Republika Srpska në Kosovë/ Kështu ndryshuan qëndrimin e ndërkombëtarëve Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Politika

Jo Republika Srpska në Kosovë/ Kështu ndryshuan qëndrimin e ndërkombëtarëve Vjosa Osmani dhe Albin Kurti

Nga: P.R Më: 31 janar 2022 Në ora: 16:31
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ditë më parë deklaroi se askush nuk është i interesuar për formimin e një “Republika Srpska”.

“Ne besojmë se duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Por, siç e kemi thënë shumë herë, besoj madje edhe kolegu im Matt Palmer ju ka thënë pikërisht në këtë tryezë, ne nuk ju diktojmë se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet të jetë. Ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka modele të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar qeverinë e Kosovë që të shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje. Jam vetëdijshëm për shqetësimet për një tjetër Republikë Serbe. Askush nuk është i interesuar për këtë”, tha ambasadori Jeffrey Hovenier.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Ne nuk duam një tjetër “Republika Srpska”. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e shikuar situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë”, ka deklaruar Lajçak.

E lidhur me paralajmërimet nga bashkësia ndërkombëtare, se në Kosovë nuk do të lejohet një “Republika Srpska” e re, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Ishte e ditur se Bashkësia Perëndimore, BE dhe SHBA, nuk do ta pranonin marrëveshjen e vitit 2015 të nënshkruar nga Isa Mustafa nën regjinë e Hashim Thaçit. Kishte disa arsye që gjykata kushtetuese e Kosovës ta rrëzonte atë marrëveshje të Asociacionit të komunave serbe. Së pari, Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë po jepte shembullin më të keq të mundshëm për ta destabilizuar shtetin e Dayto-nit. Bashkësia Perëndimore priste pas masakrave serbe në Sarajevë, Srebrenicë etj kundër myslimanëve që Republika Srpska të luante rol konstruktiv dhe integrues. Por ndodhi e kundërta. U rritën dasitë, urrejtja dhe vendi filloi të dezintegrohet”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, asociacionet dhe liritë qytetare janë instrumente të integrimit dhe jo të destabilizimit.

“Kjo situatë e krijuar në Bosnjë-Hercegovinë erdhi gjithashtu për shkak të mbështetjes që Beogradi i dha Milorad Dodik në misionin e tij destabilizues. Ndërkaq BE dhe SHBA nuk pajtohej me faktin që politika dhe qeverisja në Serbi ndërhyn në Kosovë e sidomos në veri të vendit përmes Listës Srpska. Kjo ndërhyrje e pandërprerë ishte dhe mbetet shkaku i konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Asociacionet dhe liritë qytetare janë instrumente të integrimit dhe jo të destabilizimit. Kudo në botë ndodh kështu. Nëse pakicat nuk integrohen, ato kthehen në mjete që cenojnë paqen e sigurinë në një shtet ose në një rajon të caktuar. Serbët janë shembulli më i plotë i këtij modeli”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Andaj, Bytyçi thekson se synimi i Serbisë për destabilizimin e rajonit, ka bërë të pamundur çdo kërkesë të Beogradit për Asociacione në Kosovë.

“Politika e Beogradit në vazhdim të traditës nacionaliste ekstreme vazhdon edhe sot të keqpërdor çdo serb që jeton në Ballkan e sidomos ata që jetojnë në Kosovë, Malin e Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Ky përdorim destabilizues e dezintegrues e bën të dyshimtë e të pamundur çdo kërkesë të Beogradit për Asociacione që krijojnë problem në funksionalizimin e shtetit në Kosovë. Kjo është arsyeja pse përfaqësuesi amerikan, Gabriel Escobar dhe ai i BE-së. Miroslav Lajcak, kanë definuar tashmë se në Kosovë nuk do të mund të ketë një Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive dhe me marrëdhënie të drejtpërdrejtë me shtetin e Serbisë. Këto dy element duhen mënjanuar patjetër. Kjo është detyra primare e qeverisë së Kosovës”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai thotë se kundërshtimi i fuqishëm nga Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, ka ndikuar edhe në qëndrimin e fuqishëm të Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Në fakt këtij qëndrimi të zbutur amrikano-europian i ka shërbyer edhe vendosmëria e kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij, si dhe presidentes Osmani, që të mos diskutohet fare për Asociacionin. Kundërshtimi i fuqishëm i opsionit të Asociacionit serb nga ana e Kosovës bëri që dy ndërmjetësuesit ndërkombëtarë të vijnë së paku deri të ideja dhe opsioni i krijimit të një Asociacioni pa funksione shtetërore”, deklaron Bytyçi.

Por a mund të ndryshojë situata, pas vizitës së zotit Escobar dhe Lajçak në Prishtinë e në Beograd?

“Kjo ka ndodhur jo rrallë herë, sidomos kur në këto dy vende kanë udhëtuar përfaqësuesit e BE-së. Edhe në këtë rast ekziston kjo mundësi. Të dërguarit amerikoano-europian mund të hasin në kundërshti të mëdha në Beograd për opsionin që kanë elaboruar. Për pasojë mund të ndodhë që të modifikohen propozimet. Ndërkohë ende nuk dihet se çfarë do të thotë ajo se “Nuk ka interes për të krijuar një Republikë Srpska në Kosovë”! Kosova do ta kishte kancer në trupin e saj edhe një Asociacion me shumë më pak të drejta sesa ato që mbart Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Prandaj duhet parë mirë projekti që propozohet. Politikës nuk i lejohet më të thotë, siç thoshte Thaçi e siç vazhdon të na thotë edhe sot Isa Mustafa: “Kështu na thanë amerikanët, kështu na tha edhe Mogherini”, kur Gjykata Kushtetues ka gjetur jo pak, por mospajtim të marrëveshjes me 23 nene të Kushtetutës”, nënvizon Bytyçi.

Ai i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes me temën e Asociacionit të Komunave serbe, ku sipas Bytyçit, duhet të respektohet ne vazhdimësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Prandaj duhet kujdes. Nuk lejohet aspak eufori dhe indiferentizëm. Me duan në xhepa nuk shkohet në bisedime dhe nuk bisedohet as me komshinë, jo më me Serbinë. Qeveria e Kosovës dhe Grupi negociator ka detyrë të mësojë përmendësh vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të këmbëngulë që në asnjë rrethanë të mos ndryshojë kushtetuta. Nëse bëhet presion shumë i madh për ta pranuar një Asociacion, duhet që në këtë Asociacion të përfshihen edhe komuna shqiptare dhe ai të funksionojë si një shoqatë, siç është p.sh shoqata e Bashkive të Shqipërisë. Duhet të mbështetet në ligjin për krijimin e shoqatave dhe organizatave joqeveritare dhe kurrsesi nuk duhet pranuar si instrument vendimmarrës. Thjesht si një instrument këshillues, por pa të drejtë vetoje”.

Për fund, Bytyçi deklaron se të gjitha këto, duhet tu shpjegohen edhe emisarëve, Escobar e Lajçak.

“Kosova e ka të mjaftueshme të drejtën e vetos së deputetëve të pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës. Po shihet se si përdoret kjo e drejtë nga këta deputetë serbë. Për ta destibilizuar dhe defunksionalizuar shtetin e Kosovës. Destabiliizuesit dhe deputetet anti-shtet nuk duhet të kenë kurrë të drejtë bllokuese, vetoje. Ndryshe proceset bllokohen dhe vendi shkon në kriza të pafundme.Të gjitha këto i duhen shpjeguar zotit Escobar si dhe zotit Lajcak. Është mirë që ata janë të dy bashkë. Dhe kur dëgjonjë dy palë veshë funksionon më mirë logjika dhe racionaliteti!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat