Kriza në Ukrainë shans për Serbinë/Ja pse duhet ta njoh Kosovën

Politika

Kriza në Ukrainë shans për Serbinë/Ja pse duhet ta njoh Kosovën

Nga: G.B Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 13:33
Joe Biden dhe Anthony Blinken

Presidenti amerikan Joe Biden dhe sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken kanë kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës.

Këto dy thirrje kanë ardhur brenda pak ditësh për presidentin Vuçiq, derisa të dy i kanë shkruar letër për Ditën e Shtetësise.

Por sa është e mundur që të ndodh kjo dhe sa do të ndikojnë këto thirrje amerikane?

Image
Fadil Lepaja

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën “Bota sot” se këto kërkesa janë vazhdimësi e një politike të qartë dhe të vendosur përkrahje për Kosovën.

“Kërkesa për njohjen e Kosovës, drejtuar nga nivelet më të larta të administratës amerikane, drejtuar presidentit serb nuk paraqet risi, por është vazhdimësi e një politike të qartë dhe të vendosur përkrahjeje për Kosovën. Konjuktura aktuale e krijuar me një afri të jashtëzakonshme SHBA, BE, për shkak të rrezikut rus, në kufijtë e Ukrainës, paraqet rrethanë të re dhe mundësi të re për Serbinë të orientohet kah BE dhe të mos jetë më baza e interesave ruse në rajon”, ka thënë ai.

Sipas Lepajës, kërkohet që Serbia ta njohë Kosovën dhe të integrohet në BE e të largohet nga projektet mesjetare për dominim në rajon.

“Nga Serbia kërkohet që duke njohur Kosovën, të heq barrierat dhe të jetë një nga faktorët e rëndësishëm të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht të integrimit të rajonit në BE. Aktualisht është momenti që Serbia të përcaktohet dhe të orientohet aty ku e ka vendin, duke u shkëputur kështu nga projektet mesjetare apo ato të nacionalizmit serb të dominimit në rajon përmes forcës dhe përmes pansllavizmit agresiv”, ka theksuar ai.

Analisti vlerëson se është momenti historik që Serbia të shkëputet nga orbita ruse dhe t’i shoh shtetet fqinje në një rrugë të përbashkët evropiane.

“Marrëdhënia e tensionuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, i pengon, për të mos thënë i pamundëson proceset e afrisë dhe bashkëpunimit, integrimit rajonal ekonomik, infrastrukturor , në funksion të integrimeve evropiane. Është momenti historik kur Serbia, duke shfrytëzuar këtë situatë në marrëdhëniet e perëndimit me Rusinë, të shkëputet nga orbita ruse dhe të shoh fqinjët e vet, e në radhë të parë shqiptarët, si fqinjë dhe miq, me një rrugë të përbashkët evropiane”, ka potencuar Fadil Lepaja.

Më tej, ai shton se varet nga shumë faktorë nëse politika serbe do të ketë guxim dhe vullnet për të marrë këtë drejtim, derisa vlerëson se faktori rus mund të shkaktojë kriza dhe jo zgjidhje për vendet e Ballkanit, e këtë duhet ta kuptojë Serbia.

“A do të ketë guxim, vullnet dhe sukses politika serbe të marrë këtë drejtim varet nga shumë faktorë, sidoqoftë deklaratat jo vetëm të SHBA por, së fundmi edhe BE, janë një ndihmesë për forcat demokratike dhe proevropiane drejt tejkalimit të konflikteve dhe për një rajon të bashkëpunimit dhe rrugëtimit drejt Evropës ku edhe e ka vendin. Mendoj se faktori rus, gjithsesi ka potencial të krijojë kriza por jo edhe të ofrojë zgjidhje për asnjë vend ballkanik dhe sa më parë që të kuptojë këtë politika serbe kjo do të jetë në interesin më të mirë të rajonit”, ka deklaruar Fadil Lepaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat