Simboli misterioz rus në veri të Kosovës/ Eksperti i sigurisë zbulon mesazhet

Politika

Simboli misterioz rus në veri të Kosovës/ Eksperti i sigurisë zbulon mesazhet

Nga: A.M. Më: 14 mars 2022 Në ora: 21:47
Foto ilustrim

Tani pak para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit, pritet të rriten provokimet dhe kërcënimet nga shteti serb.

Së fundi, në komunat veriore të Kosovës janë shkruar grafite pro ruse me sibolin "Z".

Po ashtu, dyshohet se këto grafite janë shënuar nga aktivistë të Listës “Srpska”.

Kujtojmë se shteti serb jo vetëm që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por shpeshherë edhe ka promovuar figurën e diktatorit rus, Vladimir Putin.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se pas simboleve provokuese ruse në veri të Kosovës, fshihen disa mesazhe.

Fillimisht, ai u shpreh se përmes simbolit ‘Z’, serbët po japin sinjale se nëse nuk bëhet Asociacioni dhe nuk arrihet marrëveshja për targa, ata do tentojnë të krijojnë një anarki në çdo komunë me shumicë serbe në Kosovë.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

“Në lidhje me grafitet të vendosur në veri të vendit kjo neve po na jep dy mesazhe të cilat duhet të deshifrohen.

Pra mesazhi i parë ndërlidhet me nivelin politik ku dihet që do jemi në prag të "jetësimit" të ASK dhe arritjes së marrëveshjes për targa ku nga veprimi i fundit të strukturave paralele po jepen shenja që nëse nuk do zbatohen këto dy veprime, atëherë këta do ta bojkotojnë institucionet e nivelit qendror duke tentuar që të krijojnë një anarki në çdo komunë brenda Kosovës ku udhëheqin serbët e me theks të veçantë në veri të vendit”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, Shala konsideroi se institucionet e vendit i kanë marrë masat e duhura për lokalizimin e personave që i kanë shkruar grafitet pro-ruse ‘Z’.

“Ndërsa, institucionet e sigurisë mendoj që i kanë ndërmarr të gjitha veprimet në lokalizimin e personave që kanë shkruar në mure dhe hapësira të tjera simbolin "Z" që ndërlidhet me luftën në Ukrainë”, theksoi ai.

Në fund, eksperti i sigurisë kërkoi që prokuroria të ndërmarrë veprime penale ndaj Listës Serbe, nëse vërtetohet se qëndron pas këtij provokimi.

“Nëse dalin që këto veprime i kanë bërë me direktivën e një subjektit politik atëherë Prokuroria e Kosovës të ndërmarrë veprime konkrete penale kundër subjektit politik, Listës Serbe”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat