Kërkohen dënime të rënda për zyrtarët që fshehin pasurinë

Politika

Kërkohen dënime të rënda për zyrtarët që fshehin pasurinë

Nga: A.M. Më: 20 mars 2022 Në ora: 18:28
Foto ilustrim

Fshehja e pasurisë apo mos deklarimi i saj është një shprehi e shumë politikanëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike.

Prandaj, në lidhje me këtë çështje, para pak ditësh Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) përcjelli 60 kallëzime penale, 11 informata në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe 3 informata në Polici.

Të gjitha këto kallëzime u bënë për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” tha se të gjithë zyrtarët që keqpërdorin detyrën zyrtare duhet të sanksionohen.

Ndërsa, sipas tij të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me mos raportim të pasurisë apo fshehjes së saj duhet të shqyrtohen e prioritet.

Image
Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi

“Çdo keqpërdorim i detyrës zyrtare është vepër penale, e që sanksioni i tyre duhet të jetë edhe fundi në atë pozitë apo edhe në çdo detyrë në institucionet publike. Gjithsesi këto lëndë duhet të shqyrtohen me prioritet sepse procedurat e stërzgjatura po i shfajësojnë dhe po duhet të kompensohen pavarësisht se kanë qenë apo jo kryes të veprës penale”, deklaroi ai

Krahas kësaj, Krasniqi kërkoi që dënimet për këto raste duhet të jenë shumë të larta, me qëllim të vetëdijesimit të zyrtarëve të tjerë dhe pastrimit të institucioneve tona nga krimi i organizuar.

“Dënimet për këto raste duhet të jenë shumë të larta me qëllim të vetëdijesimit të zyrtarëve tjerë, sepse vendi ynë është i etiketuar për krim të organizuar dhe korrupsionit, e që çdo ndëshkim mund të pastrojë institucionet tona dhe të largoj njollën që na është etiketuar”, vlerësoi njohësi i çështjeve juridike.

Në fund, ai përmendi edhe dënimet e lehta që janë bërë për mos deklarim të pasurisë, gjë që i ka nxitur zyrtarët të keqpërdorin detyrën.

“Në të kaluarën zyrtarë të cilët e kanë dëmtuar apo keqpërdorur buxhetin"miliona euro" janë ndëshkuar vetëm me kusht, e që këto dënime i kanë nxitur edhe të tjerët t'i keqpërdorin detyrën zyrtare”, përfundoi Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat