“Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së”/ Ky veprim kërkohet ndaj Hazir Borovcit pas mbrojtjes së Calit

Politika

“Viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së”/ Ky veprim kërkohet ndaj Hazir Borovcit pas mbrojtjes së Calit

Nga: P.R Më: 1 prill 2022 Në ora: 20:24
Salih Mustafa

Salih Mustafa, i njohur si Komandant Cali, nga Gjykata Speciale ndër tjerash akuzohet edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të Ibrahim Rugovës.

E në gjykimin e tij që ka filluar në Hagë, së fundi ka dëshmuar edhe kryetari i degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovci, si dëshmitar i mbrojtjes së Mustafës.

Në Speciale, ndër të tjerash Mustafa ka thënë që është i bindur në pafajësinë e bashkëluftëtarit të tij, duke i thënë turpit gjykues të mos bien pre e dëshmitarëve të manipuluar.

“Kryetare trupit gjykues, shkëlqesia e juaj, kërkoj nga ju jo mëshirë por drejtësi dhe jam shumë i bindur që do të vendosni drejt, do t’i analizoni mirë të gjithë dëshmitarët, mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar, dëshmitarëve të shantazhuar, por t’i analizoni mirë rrethanat në të cilat kemi vepruar, rrethana në të cilat kemi punuar ,që kanë qenë rrethana shumë të vështira dhe uroj të mos i ndodh asnjë populli, asnjë kombi ajo që na ka ndodhur ne. Ju falënderoj dhe ju përshëndes të gjithë juve që jeni këtu dhe e përshëndes edhe Salih Mustafën që unë e konsideroj të pafajshëm”, ka thënë ndër tjerash Borovci para Gjykatës Speciale.

E deklaratat e Borovcit kanë nxitur reagimin e analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Dëshmia e Haziri Burovcit në Gjykatën Speciale në mbrojtje të Sali Mustafës -Komandant Calit, nuk paraqet asnjë befasi, pasi ditë më parë isha shprehur përmes rrjetit social, se Borovci do të paraqitet në Gjykatën speciale si dëshmitar i mbrojtës së të akuzuarit Komandant Cali”, thotë Haziri.

Sipas tij është shqetësuese për LDK-së se si një zyrtar i saj i del në mbrojtje një njeriu që akuzohet për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

“Ajo që është shqetësuese për mua, e kujtoj se duhet të ishte edhe për LDK-në, që një zyrtar i saj siç është Hazir Borovci kryetar i degës së tretë të LDK-së, del në mbrojtje të një njeriu si Sali Mustafa, që sipas prokurorisë përafërsisht në periudhën 1prill 1999 dhe 19 prill në qendrën e ndalimit në Zlashë, ka kryer krime ndalimi, duke i torturuar dhe trajtuar mizorisht deri ne gjymtim 6 persona, shumica nga ta aktivistë të LDK-së, ku disa prej tyre kanë dhënë dëshmi rrëqethëse për dhunën dhe trajtimin mizor të tyre nga Sali Mustafa”, shton analisti Haziri.

Ai thotë se Hazir Borovci duhet të shkarkohet urgjentisht nga LDK.

“Dhe tani t'ua mohosh drejtësinë këtyre viktimave dhe të dalësh në mbrojtje të komandant Calit, do të thotë se përligj përndjekjet dhe vrasjen e aktivistëve të LDK-së gjatë dhe pas periudhës së luftës, dhe kundër vlerave demokratike, perëndimore që proklamon vet LDK-ja, në respektim të të drejtave të njeriut dhe drejtësi, e siç shihet sot nga këto vlera ka hequr dorë edhe vet ky subjekt politik, pasi po të ishte ndryshe LDK-ja si parti që postulat kishte vlerat humane, Haziri Borovci do të duhej të shkarkohej që sot nga të qenit kryetar i degës së III të LDK-së”, thekson Haziri.

“Por, po ri përsëris se zhvillimet e fundit në këtë parti janë dëshpëruese sa që do të bënin të besosh në një mundësi të tillë, pra të shkarkimit dhe përjashtimit nga strukturat partiake të Borovcit”, përfundon për “Bota sot” analisti politik, Nexhat Haziri.

Kujtojmë se zyra e Prokurorit të Specializuar në aktakuzën ndaj Mustafës, thotë se të gjitha viktimat e tij ishin anëtar të LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, kishte deklaruar Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat