Pushteti sllavomaqedonas e manipuloi regjistrimin – Qindramijëra shqiptarë u përjashtuan nga regjistrimi

Politika

Pushteti sllavomaqedonas e manipuloi regjistrimin – Qindramijëra shqiptarë u përjashtuan nga regjistrimi

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 3 prill 2022 Në ora: 09:00
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut e shpalli rezultatin zyrtar të regjistrimit të popullsisë, duke e vazhduar lojën e mashtrimit me numrin e shqiptarëve, por nuk tregoi mëshirë as për numrin e popullsisë bullgare.

Sipas rezultatit të shpallur të regjistrimit, shqiptarët me ata të regjistruar në diasporë rezultojnë 29.5% të popullsisë së përgjithshme, ndërsa 173 mijë dalin shqiptarë jorezident.

Pra, shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe vetëm 24.3% në popullsinë rezidente (që jeton në Maqedoni).

Enti Shtetëror i Statistikës të mërkurën, publikoi numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar, që përfshin atë rezidente dhe jorezidente, ku rezulton se popullsia është tkurrur në 2,097,319 veta, dhe prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar sllavomaqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllehë.

Sipas Entit të Statistikës, popullsia rezidente në Maqedoninë e Veriut është ulur për 185 mijë njerëz apo për 9 % në krahasim me regjistrimin e popullsisë në vitin 2002.

Partitë politike shqiptare pak kanë reaguar, ndoshta duke u nisur se kanë parë një dallim më të ngushtë ndërmjet shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve, por megjithatë i lartë, rreth 25 %.

Reagimin më kontestues e ka bërë ish-deputeti nga radhët e OBRM-PDUKM-së, Ilija Dimovski për rezultatet e regjistrimit duke pretenduar se 405 mijë qytetarë mungojnë në numrin e përgjithshëm dhe 132.000 qytetarë të tjerë nuk e kanë deklaruar përkatësinë e tyre etnike, gjuhësore dhe fetare. “Gjithsej 537 mijë qytetarë të pa regjistruar. Kjo është 21.48% nga numri i përgjithshëm i banorëve në vend".

Mbi 200 mijë shqiptarë nga diaspora u lanë jashtë regjistrimit

Sipas të dhënave që kanë shqiptarët, besohet dhe pohohet thuajse padiskutueshëm, se shqiptarët janë rreth 400 mijë veta në diasporë, kryesisht në Perëndim.

Vetëm dallimi në numër i diasporës së paregjistruar, prej rreth 11%, kur i shtohet numrit prej 29.5% rezulton që së paku shqiptarë janë rreth 36.5%, pa llogaritur manipulimet tjera sistematike të shtetit sllavomaqedonas, që la jashtë regjistrimit, sikurse në të shkuarën, 10 mijëra shqiptarë ortodoksë të asimiluar gjuhësisht, dhe pjesërisht kulturalisht.

Të pakënaqur deri më tani, ka reaguar vetëm Bullgaria, për numrin e vogël të popullsisë bullgare, thuajse që nuk ekziston, ndërsa vet Bullgaria besohet se 70-100 mijë banorëve të Maqedonisë u ka dhënë pasaporta bullgare.

Lidhur me atë se a është lënë pa regjistruar edhe një numër i madhë i shqiptarëve nga diaspora, dhe atyre shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni? Se a po fshihet, apo po rritet artificialisht numri i popullsisë sllavo-maqedonase, në kurriz të shqiptarëve dhe bullgarëve, dhe kështu që shqiptarët të vazhdojnë të konsiderohen, thjesht si popullsi pakicë, flasin analistët.

Regjistrim i manipuluar nga pushteti

Profesor Sulejman Mehazi nga Maqedonia, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se reagimet e etnive shqiptare, tregojnë qartë se regjistrimet janë bërë në bazë të dëshirave të politikanëve që janë në pushtet.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas Mehazit, anulimi i mëhershëm dy herë i proceseve të regjistrimit, ishte i qëllimshëm, dhe e gjithë kjo derisa të arrihej një përqindje ‘e duhur’ e sllavomaqedonasve.

“Pas shumë stërzgjatjeve e anulimeve të regjistrimit të popullsisë në RMV më në fund Enti Shtetëror i Statistikës i kësaj republike nxori rezultatet e regjistrimit të popullsisë me shumë ndërkëmbëza, stërkëmbëza e pakënaqësi nga të gjitha nacionalitetet. Vetë reagimet e etnive shqiptare, turke, rome e bullgare tregojnë se regjistrimi i qytetarëve është bërë sipas tekeve e dëshirave të politikanëve maqedonas në pushtet. Nuk do të analizojmë nacionalitetet tjera, po do flasim vetëm për tre nacionalitetet më problematike në RMV, shqiptarë, maqedonas e bullgarë. Se anulimi i regjistrimit të popullsisë ka qenë i qëllimshme derisa të mbërrihet përqindja e duhur e maqedonasve po se po, së pari herë ndërprenë regjistrimin e popullsisë qeveria e ish-kryeministrit të RMV-së, Nikolla Gruevski, kurse për së dyti herë edhe qeveria e Zaevit në të njëjtin stil pasi filluan e ndërprenë dhe e anuluan regjistrimin për shkak të pazareve maqedonase”, është shprehur ai.

Tutje ai shtron pyetjen se si ka qenë e mundur që mos të ceket gjatë regjistrimit përkatësia fetare.

“Pyesim pse dy herë radhazi u ndërprenë regjistrimet e filluara të qytetarëve në RMV dhe ku ishte shkaku dhe qëllimi i anulimit të regjistrimit? Dihet se për shkak të mosdaljes së përqindjes së nevojshme maqedonase. Si është e mundur që gjatë regjistrimit të popullsisë mos të ceket përkatësia fetare e qytetarëve kur dihet se në RMV shumica e shqiptarëve, turqve, boshnjakëve e maqedonasve janë myslimanë, pse Enti Statistikor nuk tregoi përkatësinë e maqedonasve që janë myslimanë, torbeshëve, ku sipas kushtetutës së RMV-së është dashur të regjistrohet edhe përkatësia fetare, dihet se në RMV, shqiptarët, torbeshët (maqedonishf folës), turqit, boshnjakët dhe një pjesë e romëve janë myslimanë?”, shtoi ai.

Si u ‘mbushën’ vendbanimet maqedonase, e u zbrazën ato shqiptare

Madje, ai e përmendi edhe faktin se si është e mundur që vendbanimet shqiptare të RMV-së, gjatë regjistrimit të dalin më pak se vendbanimet e zbrazëta në RMV-në Lindore.

“Si është e mundur që Shkupi gjatë viteve 1980 të ish-Jugosllavisë të ishte me popullsi shqiptare, 500,000 banorë, qytet me më shumë shqiptarë se Tirana e Prishtina e gjatë këtyre regjistrimeve jo? Ku shkuan e u tretën shqiptarët e Shkupit. Si është e mundur që qytetet e fshatrat shqiptare të RMV-së Perëndimore që nga Likova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga etj. me vendbanime shqiptare gjatë regjistrimit të dalin më pak sesa qytetet e fshatrat të zbrazura të RMV-së Lindore të banuar me maqedonas? Si është e mundur që torbeshët që e flasin maqedonishten martohen me shqiptarë e të regjistrohen si maqedonas?"

Mehazi shtroi edhe një pyetje se si në RMV nuk ekzistuaka pakica bullgare. Madje ai bie dakord edhe me deklaratën e Trifunov, i cili deklaroi se “mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’”.

“Si është e mundur në RMV të mos ekzistojë pakica bullgare, pajtohemi me politikanin bullgar, Slavi Trifunov, që tha: "është absurde të mendohet se 3.500 bullgarë jetojnë në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij, vetëm në dy vitet e fundit, 16.692 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë marrë pasaporta bullgare. Sipas ligjeve bullgare, që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të marrë pasaportën bullgare, ai duhet të vërtetojë rrënjët e tij bullgare. Kështu, mbi 100.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut i kanë vërtetuar rrënjët e tyre bullgare në Bullgari, por në Maqedoninë e Veriut ata kanë frikë të quhen ‘bullgarë’." Vetë logjika e 54.21%, e maqedonasve tregon e argumenton se kjo përqindje e tyre është e lyer, e shpërlyer dhe e mbushur me nacionalitete tjera: bullgare, torbeshëve myslimanë që e flasin maqedonishten, shqiptarëve ortodoksë, romëve që flasin maqedonishten pse jo dhe boshnjakëve. Në anën tjetër numri i shqiptarëve në vend që të rritet është zvogëluar tepër”, theksoi Mehazi.

Disproporcioni i numrit të regjistruar

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, potencoi se regjistrimi i popullsisë nuk ka shkuar sipas rregullave, sepse sipas tij, shumë qytetarë kanë mbetur pa u regjistruar, sepse shteti nuk i ka pajisur me dokumente.

Image
Muhamet Kelmendi

“Numri popullsisë shqiptare në R. e Maqedonisë nuk është real me popullin rezident dhe jo rezident të shqiptarëve. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut nuk ka shkuar sipas rregullave të njohura ndërkombëtare për regjistrim të popullsisë. Shumë veta në mungesë të dokumenteve përkatëse të kërkuar kanë mbetur jashtë regjistrimit. Kjo më së shumti vlen për qytetarët shqiptarë në botën e jashtme. Pa dokumente përkatëse nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Shteti nuk i ka pajisur me dokumente. Thjeshtë ia ka pamundësuar regjistrimin. Rezultatet e regjistrimit japin një shifër jo reale në dy anë: 1. Popullsia rezidente nga regjistrimi i shpallur doli se është nën 25% të popullsisë në shtet. 2. Popullsia jo rezidente nuk e kalon shifrën prej 5 % ose 120.000 veta”, tha Kelmendi.

Ai më tej është shprehur se edhe papunësia është e lartë, sepse punësimi bëhet vetëm në një sektor të pa zhvilluar, me ç’rast është duke ndikuar edhe në emigrimin e shqiptarëve.

“Ky rezultat nuk përkon me realitetin. Mobilizimi i shqiptarëve në diasporë ka qenë i mirë. Shumë janë lajmëruar dhe regjistruar. Shumë edhe nuk janë deklaruar, sepse nuk iu dhanë dokumentet personale. Shqiptarët në Maqedoni kanë shumë veta që jetojnë në mërgim. Papunësia për shqiptarët është e lartë. Ka pak shqiptarë të punësuar në sektorin publik. Punësimi bëhet vetëm në këtë sektor. E ky sektor nuk është shumë i zhvilluar etj. Gjendja e tillë diskriminuese i ka shtyrë shqiptarët të emigrojnë. Shifra prej 170 mijë shqiptarëve në mërgim nuk është as për së afërmi reale”, shtoi ai.

Sipas juristit, pikëpyetje mbetet se kush e ka bërë numërimin e të regjistruarve, por sipas tij, nëse del disproporcioni i numrit të regjistruar, regjistrimi nuk duhet pranuar.

“Çështja tjetër është se si është bërë regjistrimi i popullsisë në vend? A ka regjistrim adekuat? Kush e bëri numërimin e të deklaruarve për regjistrim etj.? Këto janë çështje që i takon organeve të veprojnë. Kemi disa komuna shqiptare, si në Strugë, në Kërçovë, në Gostivarë, në Tetovë, në Çair, në Likovë etj, kemi udhëheqës shqiptarë. Komunat e dinë numrin e popullsisë së tyre. Dhe, nëse del disproporcioni i numrit të deklaruar nga regjistrimi me numrin real të popullsisë nëpër komuna dhe në tërë Republikën, regjistrimin nuk duhet pranuar. Disproporcioni duket se është i lartë. Kërkohet që të bëhet rinumërimi i fletdeklarimeve”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat