S’ka çka bluan Vuçiqi për armatosjen e Kosovës / Vuçiqi po flet sot si zëdhënës i Milosheviçit

Politika

S’ka çka bluan Vuçiqi për armatosjen e Kosovës / Vuçiqi po flet sot si zëdhënës i Milosheviçit

Nga: A.Z Më: 19 prill 2022 Në ora: 18:31
Aleksander Vuçiq

Presidenti autokrat i Serbisë Vuçiqit i ka penguar armatosja e Kosovës me armë moderne, ani pse vetë Serbia sapo ka marrur një dërgesë masive nga Kina, sisteme raketore që askush nuk i ka në Ballkan, përveç Greqisë, dhe se ka porositur një flotë avionësh francez, që po ashtu se ka askush përveç, që pjesërisht mund ta ketë Kroacia.

Në fakt ai dhe zyrtarët tjerë shtetëror vetëm se kanë spekuluar, sepse sipas informacioneve të KFOR-it dhe të kundërpërgjigjes që ia dha ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, as që bëhej fjalë për armatosje, por për furnizim të KFOR-it.

"Është e rëndësishme të jesh racional dhe i përgjegjshëm për të mos hyrë në konflikte. Askush nuk ka të drejtë ta armatosë Prishtinën”, u shpreh gënjeshtari Vuçiq, i cili në deklaratën e tij, nuk dëshiron në asnjë rast ta përmend Kosovën, në kontekst kur mund të nënkuptohet si shtet.

Por, Kosova është shtet i pavarur dhe nuk i jep llogari askujt, më së paku Serbisë, veçmas pas pushtimit rus të Ukrainës.

Lidhur me këtë, edhe analisti politik Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, deklaron se askush nuk duhet të bëjë fjalë me Vuçiqin, madje sipas Shahut, nuk i duhet Vuçiqit se a armatoset Kosova apo jo, sepse Kosova është shtet më vete.

Image
Rexhep Shahu

“Si urdhëron zoti Vuçiq. Kështu duhet të thoshte Prishtina a? Mendoj unë se nuk ka pse bluan fjalë askush më, as Vuçiqi. Prishtina zyrtare nuk ka detyrë të bëjë luftë fjalësh me Vuçiqin, askush nuk ka pse bëhet dordolec apo me fjalë të shesë trimëri, të mburret. Kosova i sheh vetë punët e veta dhe ajo është çliruar nga fuqitë e mëdha dhe është nën mbrojtjen e fuqive të mëdha. Vuçiqi nuk e di, as nuk i duhet, se a armatoset apo jo Kosova pasi Kosova është shtet me vete. Duke bërë atë deklaratë Vuçiqi kërcënon me fjalë përtej gardhit”, thotë ai.

Tutje shtoi se Kosova duhet ta fuqizojë veten, ndërsa nuk ka pse t’i vlerësoj deklaratat e Vuçiqit, ish ministrit të Millosheviçit.

“Por, Kosovës nuk i duhet se a këndojnë a qajnë të tjerët përtej gardhit të saj. Kosovës i duhet të shohë veten e saj, të fuqizojë veten e saj dhe t’i ndalojë Gjergj Elez Alitë e saj të mos bëjnë namin me fjalë e deklaratë bajate trimërisht. Këtu kemi qenë në kohën kur lypej trimëria dhe nuk qenë trimat këtu... Vuçiqi nuk ka pse flet sot si para dy dekadave si zëdhënës i Milosheviqit, që kërcënonte se për një serb vret 100 jo serbë”, shtoi Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat