Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon ndryshime, tregon shtetin që po bllokon liberalizimin e vizave

Politika

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon ndryshime, tregon shtetin që po bllokon liberalizimin e vizave

Nga: P.R Më: 25 prill 2022 Në ora: 22:33
ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova duhet sa më parë të anëtarësohet në NATO.

“Përpos sanksioneve ndaj Rusisë, kemi treguar solidarizim me Ukrainën. Kemi shprehur gatishmëri të presim deri në 5 mijë refugjatë. Por, jo të gjitha shtetet e Ballkanit kanë vendosur sanksione. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë. Një refuzim i tillë tregon vlerë, orientim dhe aleancë. Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, është i domosdoshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe në BE. Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës por edhe në NATO”, tha Kurti një konferencë për media me ndihmësekretaren amerikane për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karin Donfried.

E kjo deklaratë e Kurtit vjen një ditë pas ai tha se me Aleksandër Vuçiqin në Serbi, dhe Milorad Dodikun në Bosnje, siguria e Ballkanit nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar.

“Në këtë kohë kur e gjithë bota demokratike është distancuar nga Putini, fqinji ynë verior organizon tubime mbështetëse për Putinin duke i thurur lavde e duke arsyetuar krimet e tij në Ukrainë. Miqtë e tij në Serbi e Republika Srpska synojnë ta joshin Rusinë në Ballkan e për Ballkan. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia mbetet vendi i vetëm në Evropë i cili refuzon të sanksionojë Rusinë e siç e pamë këto ditë, madje është edhe e gatshme të braktisë procesin e integrimit në BE vetëm për t’i qëndruar besnik Putinit. Me mikun e Putinit në Republika Srpska të Bosnje Hercegovinës dhe Putinin e vogël të Serbisë, paqja dhe siguria në Ballkanin Perëndimor kurrë s’ka qenë më e kërcënuar”, shkroi Kurti.

Image
Gurakuç Kuçi

Por sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, Kosova duhet të luaj një diplomaci efektive dhe jo diplomaci të deklaratave.

“Kosova gjithmonë e ka argumentin në përfaqësim në marrëdhëniet ndërkombëtare kundrejt Serbisë, ky argument është ruajtur në masën sa Kosova ka qenë dhe vazhdon pa asnjë dyshim në anën e SHBA-së dhe Perëndimit. Ballafaqimet e Kosovës deri më tani nuk është që i kanë sjellë ndonjë përfitim konkret, Kosova vazhdon të mos jetë pjesë e BE-së, KE-së apo OKB-së, por edhe organizata tjera. Madje Kosova nuk ka as liberalizim të vizave dhe këtë kundërshtim e ka më së shumti nga Franca, një vend që konsiderohet aleat”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, diplomacia e Kosovës duhet të ndjekë rrugë e cila i sjell Kosovës përfitime, se sa tw synohet që të tregohet se sa i keq është tjetri.

“Pra, tendenca e fitoreve me deklarata por e humbjeve në terren nuk është fitore, sot një veprim i Kosovës për të drejtat e saj por që është restriksion për Serbinë, dënohet më shumë nga BE-ja se sa qëndrimi i Serbisë pro Rusisë. Po ashtu, diplomacia e Kosovës duhet më shumë të ndjek një diplomaci e cila i sjell Kosovës përfitime se sa synimi që të tregohet se sa i keq është tjetri. Sidoqoftë, Kosova më shumë duhet të përqendrohet në interesat e saj jetike, përfaqësimi ka qenë i mirë, por duhet të veprohet në diplomaci praktike që sjell përfitime konkrete”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat