Pse nuk po hetohen pasuritë e paligjshme të komandantëve dhe politikanëve, të pasluftës?/ Kritikohet formimi i Byros – ja mangësitë e saj

Politika

Pse nuk po hetohen pasuritë e paligjshme të komandantëve dhe politikanëve, të pasluftës?/ Kritikohet formimi i Byros – ja mangësitë e saj

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 prill 2022 Në ora: 08:31
Foto ilustriml

Fshehja e pasurisë është një çështje që prek shumë zyrtarë e ish-zyrtarë publik të Kosovës, përfshirë deputetë dhe ministra, ku disa prej tyre kanë të ngritura edhe aktakuza për mos deklarim të pasurisë.

Mirëpo, për të vënë në pah më shumë parregullsitë në deklarimet e pasurive, shumë shpejt të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së paligjshme, pas hetimit se ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë joligjore.

Ndërsa, e gjithë kjo mund të fillojë të bëhet nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Për krijimin e kësaj byroje, nevojitet miratimi i Projektligjit për krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2021. Në muajin shkurt të këtij viti, ndërkaq është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës, por që ende nuk është shqyrtuar në komisione parlamentare.

Siç thuhet në Projektligj, ai zbatohet ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme nga personat zyrtarë, personat e ekspozuar politikisht, anëtarët e tyre të familjes dhe palët e treta.

Megjithatë, ajo çfarë bie në sy është se Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Rrjedhimisht, lindin dyshime se pse verifikimi i pasurisë nuk mund të bëhet para Pavarësisë, kur dihet se shumë persona janë pasuruar në mënyrë enorme pas përfundimit të luftës në Kosovës.

E lidhur me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” folën njohësit e çështjeve kushtetuese dhe juridike.

Kelmendi: Në ndërtimin e shtetit ligjor nuk ka rëndësi se kush dhe nga cila pozitë kanë kryer veprimtari të ndaluar penale

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se çdo kush që ka kryer dhe kryen vepër penale duhet të dënohet, pa marrë parasysh pozitën e tij.

Ai tha se në këtë rast duhet të gjykohen të gjithë ata që u pasuruan në mënyrë të kundërligjshme.

“Në ndërtimin e shtetit ligjor nuk ka rëndësi se kush dhe nga cila pozitë kanë kryer veprimtari të ndaluar penale.

Kjo, edhe për veprat penale, me të cilat është pasuruar ndokush, kuptohet në mënyrë kundërligjore.

Para ligjit janë të gjithë të barabartë dhe përgjigjen në bazë të ligjit, pas dënimit e jep amnistinë vetëm Presidenti”, deklaroi juristi.

Krahas kësaj, Kelmendi potencoi se amnistimi mbështetet në fakte që kanë karakter ligjor. Ai nënvizoi se këto çështje i takojnë vetëm organeve shtetërore apo administrative.

“Çështja e amnistimit nuk ka të bëjë me ligjin. Ajo mbështetet në fakte tjera, që nuk kanë karakter ligjor dhe këtej bëhet edhe amnistimi i kryerësve të veprave penale. Ka mundësi që edhe caktohet data nga fillon dhe përfundon amnistia.

Kjo nuk ka të bëjë me ligjin. Çështjet e tilla nuk i takojnë ndonjë organi përveç administrativ apo shtetëror. Ndërsa, për të dënuarit, amnistinë e bënë Presidenti i vendit. Kjo është ana ligjore”, shpjegoi ai.

Tutje, juristi tha se vetëm gjykata bënë konfiskime të pasurisë joligjore, byroja do ta ketë rolin vetëm e kërkesës për konfiskim të pasurisë. Dhe, si e tillë, ai tha se çështja buron vetëm nga ana e gjykatës.

“Dënimin për vepra penale e bënë gjykata. Po gjykata bënë edhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ligjore. Nuk ka organ tjetër.

Buroja për konfiskimin e pasurisë heton rastet, kërkon edhe konfiskimin e pasurisë ose nuk e kërkon. Mirëpo, çështja përfundon vetëm nga ana e gjykatës, afatet e ndjekjes penale me ligj nuk janë të përcaktuara, nëse pasuria rrjedhë nga vepra penale”, theksoi Kelmendi.

Në fund, ai përmendi dy afate ligjore të cilat janë në kuadër të pasurisë joligjore.

“Në kuadër të pasurimit pa bazë ligjore i kemi dy afate.

1. Veprat me karakter material të pasurimit vjetërsohen për pesë vjet dhe

2. Veprat e karakterit moral vjetërsohen me tri vjet.

Por, këtu nuk është kjo çështje, ne po diskutojmë për veprat penale të karakterit penal të dënueshëm me ligj dhe ku bëhet edhe konfiskimi i pasurisë që rrjedhë nga kriminaliteti sipas pozitës në shtet.

Këtu dora e shtetit është ligjore dhe nuk bëhen përkufizime”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Byroja për konfiskim të pasurisë është e panevojshme

Image
Juristi Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani e sheh si të panevojshme formimin e Byrosë për konfiskim të pasurisë.

Kjo pasi, ai beson se Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm për ta luftuar krimin dhe korrupsionin.

“Kjo Byro është e panevojshme, është dyfishim i ligjeve, dhe Kosova ka mekanizma të mjaftueshëm për ta luftuar krimin dhe korrupsionin, pra kjo Byro nuk mund të ushtrojë punën e policisë”, deklaroi Burjani.

Juristi thekso se këto byro ekzistojnë edhe në SHBA, por nuk janë të nevojshme edhe në Kosovë, pasi jemi shtet i vogël dhe shumë lehtë mund të konfiskohet pasuria e fituar pa bazë.

“Këto byro në SHBA, ushtrojnë hetim për shkak të shteteve të shumta që e përbëjnë SHBA-në, Kosova është shtet i vogël, shumë lehtë me pas vullnet identifikohet pasuria e fituar pa bazë, por s’ka kush ta bëjë këtë, s’ka vullnet institucional. Përndryshe, të gjithë personave që kanë bërë vepra të tilla duhet t’ju konfiskohen pasuritë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat