Prapaskenat e vizitës së ministrit rus në Serbi/ Si po mundohet Rusia ta shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, ja kush po i del në ndihmë

Politika

Prapaskenat e vizitës së ministrit rus në Serbi/ Si po mundohet Rusia ta shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, ja kush po i del në ndihmë

Nga: A.M. Më: 29 maj 2022 Në ora: 17:36
Sergei Lavrov

Mediet në Beograd kanë njoftuar se shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov pritet ta vizitojë në Serbi me 7 qershor, ku në takimet me zyrtarët serb do diskutohet për çështje aktuale dhe krizën, situatën në rajon, sanksionet perëndimore por edhe sqarimi rreth pozicionit të Moskës ndaj Kosovës.

Në tavolinë e bisedimeve me Vuçiq do jenë të gjitha temat e lidhura që nga zhvillimet në Ukrainë, pozicioni i Serbisë ndaj krizës, situata në rajon dhe bashkëpunimi në dritën e sanksioneve të vendosura nga perëndimi për Moskën.

Vizita e Lavrov do të jetë rast edhe i sqarimit shtesë të pozicionit të Moskës ndaj Rusisë duke marr parasysh deklaratat e paradokohshme të presidentit rus Putin dhe përfaqësuesve të tjerë rus ku situata në Donbas krahasohet me Kosovën.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në prononcimin e tij për “Bota sot” komentoi vizitën e ministrit rus në shtetin serb dhe ndikimin e saj në rajon, veçanërisht Kosovë.

Image
Gani Qarri

Fillimisht, ai përmendi ngjashmërinë e krimeve dhe masakrave të Rusisë dhe Serbisë ndaj Ukrainës dhe Kosovës, duke thënë se Lavrov është një politikan i urryer që gjatë karrierës së tij ka kryer manovrime të ndryshme.

“Duke qenë se Rusia që nga fillimi i agresionit ushtarak në Ukrainë, ka kryer masakra të tmerrshme mbi popullsinë e pambrojtur civile, njëjtë si Serbia më 1998-99 në Kosovë, Lavrov para se ta vizitojë Serbinë, ka nisur një fushatë të egër politike edhe kundër Kosovës.

Me këtë akt, ai si politikan i urryer e me karrierë të gjatë dhe i sprovuar me të gjitha mënyrat e manovrimeve diplomatike, po përpiqet për të tërhequr dy paralele me dy dimensione të rëndësishe, ushtarake dhe politike, ndërmjet ndihmës që SHBA dhe NATO i dhanë Kosovës për shpëtimin e shqiptarëve nga përndjekja masive e gjenocidi i organizuar shtetëror i Serbisë okupatore në vitet 1998-99 dhe agresionit aktual, ushtarak rus për okupimin e Ukrainës”, deklaroi analisti.

Sipas Qarrit, paralelet e tërhequra nga ministri rus  në lidhje me ndihmën e SHBA-së dhe NATO-s  për shpëtimin e shqiptarëve me agresionin rus ndaj Ukrianës, nuk ekziston.

Okupim i cili njëjtë si okupimi serb i Kosovës edhe pushtimi ushtarak rus në Ukrainë, po përcillet me gjenocid e masakra të papara, kundër popullsisë së pambrojtur civile, veçanërisht më 23 prill në Bucha, afër Kievit, e cila ngjason shumë me masakrën e Reçakut, të 15 janarit 1999, ndaj dhe Lavrov, ka zgjedhur ta përgojojë pikërisht këtë tragjedi si të pa qenë, kinse në Reçak edhe në Bucha trupat e të masakruarve nuk qenkan të civilëve, por të militantëve, edhe pse aty kishte gra, pleq e fëmijë të vrarë e të masakruar. 

Paralelja e parë ka të bëj me veprimin ushtarak, duke u përpjekur që ta barazojë, ndihmën e SHBA-ve dhe të NATO-së për shpëtimin nga shfarosja të shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës, nga gjenocidi i organizuar shtetëror ushtarak i Serbisë, me agresionin ushtarak të Rusisë për okupimin e Ukrainës, kinse për mbrojtjen e pakicës ruse, në Dornbas e Luhansk, të cilët jo vetëm se nuk ishin të përndjekur as të persekutuar, por udhëhiqnin e sundonin vet territoret ku jetojnë si dhe gjuha ruse, ishte gjuhë prioritet pothuajse në gjithë Ukrainën”, theksoi ai.

Në vazhdim, analisti përmendi edhe krahasimin e çlirimit të Kosovës me pushtimin e Ukrainës, ku nuk ka asnjë bazë për këtë, gjë e cila është vetëm një okupim klasik i ushtrisë ruse.

“Dhe paralelja e dytë, ka dimensione politike, ngase Rusia po përpiqet ta krahasoj çlirimin e Kosovës nga Serbia, duke u munduar t`ia imponojë botës, si akte barazuese, çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia që nuk ka të bëjë me kurrfarë çlirimi, por është okupim puro klasik me forcë për zgjerim territoresh, përvetësim të pasurive, rritje të sipërfaqes tokësore dhe dominimin ekonomik të Rusisë në dëm të Ukrainës, duke okupuar, përveç Krimesë, Luhanskut e Donjeskut gjithë hapësirën bregdetare të Ukrainës dhe mbyllur asaj të gjitha daljet në Detin e Zi”, vlerësoi Qarri.

Më tej, ai foli edhe për vizitën e ministrit rus në Beograd dhe për sqarimin e pozicionit të Moskës ndaj Kosovës.

“Ndaj edhe në vizitën e paralajmëruar të Lavrovit me 7 qershor në Serbi, përveç gjendjes aktuale, do të diskutohet mbi krizën në rajon, sanksionet perëndimore, si dhe sqarimi rreth pozicionit të Moskës ndaj Kosovës, që kryesisht ka të bëjë, me përpjekjet e Rusisë për gjetjen e gjuhës së përbashkët me Serbinë, për krijimin e paraleleve dhe arsyetimin agresionit okupues rus në Ukrainë duke kritikuar NATO-në për ndihmën që ajo u dha shqiptarëve për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, me shpresën se bota do të pajtohet me krijimin e fakteve me anë të forcës në terren, si miratimi i okupimit rus dhe aneksimit të territoreve ukrainase, nga Rusia”, nënvizoi analisti.

Krahas kësaj, Qarri e cilësoi këtë si vizitë të pa pritur të Lavrovit, ku beson se është inspiruar pas vizitës së Kurtit në SHBA.

“Me këtë rast duhet theksuar medoemos, se vizitën e pa pritur të shefit të diplomacisë ruse në Serbi, e ka inspiruar shumë, edhe shëtitja e paprecedent dhe pa asnjë protokoll zyrtar, e Albin Kurtit në SHBA, i cili për turpin e tij dhe të shtetit të Kosovës, edhe në Amerikë inskenoi një takim me një hoxhë, sikur edhe atje të kishte shkuar si përfaqësues i BIK-ut, dhe jo si “kryeministër” i shtetit laik të Kosovës, gjë që edhe duket se ndikoi, që ai të mos ketë asnjë takim të vetëm, me përfaqësuesit e lart të shtetit amerikan, me gjithë qëndrimin e tij rreth 3 javësh në SHBA”, potencoi ai.

Ndër të tjera, analisti tha se vizita e orkestruar e ministrit rus, ka qëllim kryesor që Rusia të imponojë barazimin e rasteve të Kosovës, me tokat e "çliruara" në ofensivën okupuese në Ukrainë.

“Dy palët, ajo serbe dhe ruse, kanë orkestruar vizitën e Lavrovit në Serbi, për koordinimin e përfitimeve, nga të dy palët, në situatën e krijuar, në mënyrë që Serbia të përfitojë sa më shumë në bisedime me Kosovën, intensifikimi i të cilave, po kërkohet përditë e më-me këmbëngulje edhe nga vet SHBA, si dhe Rusia të imponojë barazimin e rasteve të Kosovës, me tokat e "çliruara" në ofensivën okupuese të Rusisë në Ukrainë”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat