Kur do të nisë konfiskimi i pasurisë së miliona eurove të politikanëve të korruptuar

Politika

Kur do të nisë konfiskimi i pasurisë së miliona eurove të politikanëve të korruptuar

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 5 qershor 2022 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Ka vite në Kosovë që flitet për konfiskim të pasurisë. Dhe zërat kritikë në politikë, media, të ekspertëve ligjor dhe të tjerë, kanë theksuar se është e vështirë dhe madje vendi do të mbetet shumë larg një qeverisje të mirëfilltë, nëse nuk iu konfiskohet pasuria, veçanërisht politikanëve, që besohet se kanë krijuar pasuri marramendëse.

Qeveria aktuale ka ndërmarrë një hap më tej duke miratuar Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, edhe pse ka ekzistuar një bazë ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Sipas informacioneve publike deri më tash ka ndodhur sekuestrimi i pasurisë së paligjshme në rreth 12 milionë euro, përfshirë paratë, vetura dhe gjëra me vlerë.

Por, objektivat e Byrosë në fjalë janë më të mëdha, pasi ajo nuk do të kursente zyrtarët publikë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme, pas Shpallsjes së Pavarësisë, një tjetër e metë kjo e atij Projektligji.

Sipas disa vlerësimeve të ekspertëve ligjor Projektligjit aktual për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, nuk është përgatitur në nivelin e duhur. Byroja do të udhëhiqet nga drejtori i saj, i cili do të jetë autoriteti kompetent për vendosur inicimin e hetimeve dhe parashtrimin e propozimit për konfiskim të pasurisë.

Drejtori i kësaj Byroje do të zgjidhet vetëm me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, derisa dispozitat për shkarkimin e tij, sipas ekspertëve nuk janë specifikuar. Ata vlerësojnë se në këtë rast Byroja objektivisht nuk mund të jetë e pavarur, prandaj mund të keqpërdoret nga partia aktuale në pushtet, por edhe në të ardhmen nga çdo koalicion qeverisës.

Por, nuk është e qartë se pse po zvarritet miratimi i ligjit në fjalë dhe kur do të mund funksionalizohet dhe sa do të respektohet, pavarësia institucionale e tij.

Vetëm evazioni fiskal vjetor konsiderohet se është 1.5 deri në mbi 2 miliardë euro. Ndërsa, ka pasur raportime se politikanë të njohur drejtues shteti, kanë krijuar pasuri familjare që shkon në qindra miliona euro.

Kelmendi: Bordi për Konfiskimin e pasurisë së krijuar në kundërshtim me ligjin nuk e siguron vet konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Image
Muhamet Kelmendi

 

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se në vendin tonë ka pasuri të madhe, e cila është krijuar në mënyrë të jashtëligjshme, që i bie të jetë krijuar në forma kriminale.

“Në Kosovë ka me siguri pasuri të madhe të krijuar në mënyrë të pajustifikueshme. Sigurisht se është krijuar në forma të ndryshme kriminale. Natyrisht se në Kosovë paraqitet raporti financiar i zyrtarëve të shtetit. Janë mbi 4 mijë veta të punësuar në sektorin publik të obliguar që për çdo vit të paraqesin para Agjencisë së Antikorrupsionit të Kosovës raportim financiar dhe atë të pasurisë.

Kjo formë juridike shërben për të patur nën kontroll gjendjen financiare të kompetentëve në këtë sektor. Me këtë dihen edhe mënyrat e keqpërdorimit të pozitës së shtetit dhe tregohet me fakte korrupsioni dhe krimi. Natyrisht se kështu përcillet edhe zhvillimi i pasurisë dhe gjendja e tyre. Ajo kështu tregon se a ka korrupsion!”, ka thënë ai.

Sipas tij, mos paraqitja e raportit financiar-pasuror konsiderohet vepër e ndaluar dhe ai person duhet të ndiqet penalisht.

Ai merr shembull pasurinë e patundshme, shtëpitë dhe banesat, lokale e makinat, pushimet dhe harxhimet e ndryshme, e që sipas Kelmendit nuk dalin se janë në përputhje në raportet financiare dhe të pasurisë që paraqiten para Agjencisë së Antikorrupsionit të Kosovës.

“Mos paraqitja e këtij raporti financiar-pasuror konsiderohet vepër e ndaluar dhe personi ndiqet penalisht. Kryesisht kjo formë është pozitive. Megjithatë, ka raste, që me anën kësaj nuk sigurohen provat. Shumë politikanë janë të paprekshëm, e që janë të punësuar nëpër pushtet. Po ashtu ka edhe të tillë që nuk e paraqesin në mënyrë reale gjendjen financiare dhe pasurinë që e kanë.

Shembull adekuat është pasuria e patundshme. Shtëpitë dhe banesat, lokale e makinat, pushimet dhe harxhimet e ndryshme. Të gjitha këto nuk dalin se janë në përputhje në raportet financiare dhe të pasurisë që paraqiten para Agjencisë së Antikorrupsionit të Kosovës. Vlera e një shtëpie paraqitet në raport në 200 mijë euro apo më shtrenjtë, ndërsa ajo në tregun e Kosovës e ka vlerën prej disa milionë euro.

Ky disproporcion i pasurisë reale me raportin financiar është shumë prezent dhe këtë organet kompetente nuk po e përcjellin. Nuk kemi hetime ndaj këtyre dukurive mashtruese ndaj pasurisë. Shpresohet se me Ligjin mbi Prejardhjen e Pasurisë së Kosovës do të kapen rastet e tilla dhe jo vetëm kaq”, shprehet tutje juristi.

Në fund, shton se hetim duhet të ketë edhe në sektorin privat pasi edhe aty mund ka raste drastike.

Andaj të gjitha këto duhet të hetohen.

“Ndërsa, Fondi nuk është mjet i luftimit të krimit. Në fond zbrazen mjetet e siguruara nga pasurimi antiligjor të konfiskuara nga sistemi i drejtësisë.

Në Kosovë kërkohet të shqyrtohet prejardhja e pasurisë dhe në sektorin privat. Edhe aty ka raste drastike dhe shumë të rënda. Pasurimi i tyre është i shpejtë dhe i lartë. Nuk dihet mënyra e pasurimit dhe as forma se si është bërë. Të gjitha këto duhet hetuar”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Kjo Byro ende është larg operacionalizimit

Image
Blerim Burjani

 

Për juristin tjetër, Blerim Burjanin, kjo Byro është ende larg funksionalizimit.

Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për eksperimente të tilla e po ashtu edhe nuk duhet të merren njerëzit jo adekuat me këtë çështje.

Ai thotë se, një zyre të tillë të hetimit e kanë shtetet amerikane.

“Kjo Byro ende është në fazën politike, por larg asaj operacionale. Duhet të nxirret ligji, të rekrutohen njerëzit. Nuk mendoj se është ide e mirë me zyre të tilla të panevojshme. Kosova është shtet i vogël nuk ka nevojë për këso eksperimentesh dhe ide të njerëzve që nuk merren me rendin dhe ligjin dhe specifikat që ka shteti ynë në krahasim me shtetet e mëdha federale siç janë SHBA-ja, që është i vetmi model aktual me zyre federale hetuese dhe me institucione heterogjene”, thotë Burjani.

Madje sipas Burjanit, kjo mund të rezultojë një lojë, e cila thjesht nuk do të ketë efikasitet dhe as seriozitet.

“Këto lojëra në Kosovë janë sa për të zbuluar diçka, por jo që mund të ketë efikasitet dhe seriozitet, pra që mund të ketë ndonjë efikasitet të posaçëm që do të përmirësonte funksionimin e rendit dhe ligjit”, deklaron Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat