Me veprimet kundër Kosovës, Edi Rama, është bërë më i rrezikshëm se vetë Vuçiqi i Serbisë

Politika

Me veprimet kundër Kosovës, Edi Rama, është bërë më i rrezikshëm se vetë Vuçiqi i Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 korrik 2022 Në ora: 13:22
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Të hënën kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte për vizitë në shtetin e Holandës. Ai atje u prit nga kryeministri holandez Mark Rutte.

Ata ndër të tjera biseduan edhe për nismën rajonale “Ballkani i hapur”, që sipas tyre do të ndihmojë vendet në rajon.

Por, Rama derisa nuk u dëgjua që të flasë asgjë për Kosovën, duke mos i përmendur madje as vizat, pasi edhe Holanda ishte një prej vendeve që nuk ishte dakord për heqjen e vizave, dhe që nuk kërkoi asnjëlloj përkrahje për integrimin e Kosovës, bëri propagandë diplomatike maksimale për Serbinë, sikur të ishte një atashe i saj, konsull i saj apo diplomat i paguar prej saj.

Madje sipas tij nëse BE-ja e mbështet Serbinë, nuk e lë në krah të Rusisë.

Lidhur me “Ballkanin e hapur”, kam folur me Markun (kryeministrin holandez) dhe me udhëheqës të tjerë. Ballkani është pjesa më e cenueshme e zinxhirit që mund të preket dhe larg qoftë të thyhet si pasojë e luftës në Ukrainë dhe në anën lindore. Rusia ka një influencë të qartë brenda, ka disa lidhje tradicionale.

Ndaj, unë besoj se duhet ta marrim Serbinë me ne dhe mos ta lëmë të shkojë nga ana tjetër. “Ballkani i hapur” ka ndihmuar e po kështu qëndrimi për t’i thënë gjërat, për të nxitur Serbinë të bëhet pjesë e të harmonizohet me sanksionet, por nga ana tjetër të kuptohet që ka nevojë për kohë, ky është qëndrimi i duhur”, ka thënë ai.

Diplomacia shqiptare duhet ta godasë Serbinë, edhe për shkak të së tashmes, për ta penguar dominimin e saj në Ballkan, edhe për shkak të së shkuarës, që ka kryer disa gjenocide ndaj shqiptarëve, dhe veçmas për gjenocidin që e njeh gjithë Perëndimin në luftën 1998-1999.

Edi Rama në mënyrë të vazhdueshme ka cenuar interesin e Kosovës duke mbështetur politikat dhe projektet serbe, përfshirë edhe ndarjen e veriut.

Me këto qëndrime dhe propagandën në favor të Serbisë, me qëndrimet progreke dhe në favor të Greqisë për ndarjen e detit, ai ka shkelur në mënyrë të përsëritur obligimet kushtetuese si për Shqipërinë ashtu edhe për shqiptarët jashtë saj.

Pse Edi Rama lobon kaq fuqishëm për Serbinë? A është kjo e ndaluar me Kushtetutën e Shqipërisë, që kryeministri i saj, të ushtroje diplomaci publike për një vend tjetër, madje armiqësor me shqiptarët?

Pse nuk flet asgjë publikisht për Kosovën në dobi të saj, me ndonjë përjashtim, kur më shumë mund të prish punë se sa të rregullojë? Dhe pse nuk e miraton Kuvendi i Shqipërisë një rezolutë për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë?

Për këto dhe çështje të tjera flasin me kritika edhe analistët.

Por, në Shqipëri që nga mbrëmë duket se ai do të përgjigjet edhe për krimin e organizuar dhe korrupsionin, bazuar në një nga protestat më masive të mbajtura ndonjëherë në Tiranë.

Kjo çmenduri e Ramës shpaguhet me burgosjen e tij

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thotë se është më i rrezikshëm se presidenti serb, Vuçiq.

Sipas tij, Rama kudo që shkon dhe me këdo që takohet del nga kushtetuta e vendit të vet dhe futet në atë të Serbisë.

“Na vjen keq të themi, ama, me veprimet politike ndaj Kosovës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është bërë më i rrezikshëm se vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, derisa ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë është Selakoviqi, në anën tjetër Vuçiqi Ramës ia ka ‘dhënë’ postin e sekretarit të përgjithshëm të politikës së jashtme serbe, politikisht rolin e diplomacisë serbe e luan Selakoviqi, kurse rolin e Sekretarit të Punëve të Jashtme serbe e luan Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë kur shkon e takohet me diplomatë të huaj del përtej kushtetutës së Shqipërisë e futet brenda kushtetutës së Serbisë duke anashkaluar kushtetutën e shtetit të vetë. Si është e mundur që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të ushtrojë diplomaci aq të hapur, propagandistike e politike për një vend tjetër, madje sikurse që është Serbia armike e popullit të vetë të Kosovës, kjo çmenduri e Ramës e ka kuptimin e burgosjes së tij, për shkak se vepron kundër kushtetutës së Shqipërisë”, shprehet ai.

Tutje, Mehazi deklaron se si t’i besojmë Ramës kur asnjëherë nuk flet pozitivisht për Kosovën për shkak të presidentit serb, madje sipas tij, ai bëri thyerje të kushtetutës me atë deklaratë.

“A s'është thyerje e kushtetutës deklarata e Ramës në Hagë, i cili në vend që të përpiqet ta fut Shqipërinë në BE, ai lobon në Hagë për Serbinë duke thënë: "Serbinë duhet marrë domosdo në BE. Përndryshe shkon nga Rusia".

Atëherë si t'i besojmë Edi Ramës kur ai kurrë nuk flet për Kosovën pozitivisht për shkak të Vuçiqit të Serbisë, aq sa dhe deputetët e tij në parlamentin e Shqipërisë nuk guxonin të votonin më herët për gjenocidet serbe të bëra në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës dhe në Kosovë.

Për së pari herë shohim kryeministër të një shteti modern që nuk lobon për shtetin e vet, por për një shtet armiqësor ndaj popullit dhe shtetit të vetë, e ai është Edi Kristaq Rama”, nënvizon profesori Sulejman Mehazi.

Kelmendi: Serbia ka pozitë të mirë në BE, Këtë e di z.Rama!

Juristi Muhamet Kelmendi thotë se Rama me deklaratën e tij, doli në anën serbe dhe nuk kërkoi ndihmë nga Holanda për Kosovën.

Image
Muhamet Kelmendi

 

Në takim me Kryeministrin e Holandës, në Dene Hag, z.Rama deklaroi: "Serbinë duhet marrë domosdo në BE. Përndryshe shkon nga Rusia (...). Këtë nuk duhet lejuar".

Veç kësaj, mbrojti "Ballkanin e hapur" dhe u përcaktua që për çështje turistike të bashkëpunoj ngushtë me Serbinë. Në raport me BE, u përcaktua nga z Rama, bashkëpunimi me shtetin serb. Ishin këto të gjitha qëndrimet e z.Rama. Asnjë qëndrim z.Rama nuk e tha për Kosovën. Tamam doli në anën serbe dhe nuk kërkoi ndihmë nga Holanda për Kosovën në drejtim të liberalizimit të vizave dhe të përgjegjësisë së shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Po del sikurse mos të ketë shteti serb asnjë përgjegjësi për masakrat dhe gjenocidin e bërë mbi shqiptarët. Nuk po dua të përmendi masakrat dhe të humbur, përdhunimet dhe dëbimet masovike, sikundër edhe dëmet materiale e morale, por po përmendi, moralin e z..Rama kundruall familjeve të shqiptarëve që iu mbytën mizorisht të afërmit dhe që kurrë nuk u dha përgjegjësi”, thotë ai.

Ai tutje, thotë se për një bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë duhet një ndarje e shtetit serb nga e kaluara sepse ndryshe nuk do të ketë bashkëpunim.

“Kosova dhe shqiptarët kanë dëshirë dhe janë për fqinjësi të shëndoshë dhe për bashkëpunim. E për këtë kërkohet një ndarje e shtetit serb nga e kaluara, njohja e shtetit të Kosovës dhe dhënia e përgjegjësisë penale dhe materiale. Përndryshe nuk ka dhe kurrë nuk bashkëpunohet. Këtë e di z.Rama! Po ku po shkon z.Rama?”, deklaron ai.

Në fund, juristi shton se Rama me “Ballkanin e hapur” po e dëmton edhe Shqipërinë, duke thënë se biznesmenët po gënjejnë se procesi i tillë po sjell të mira.

Sipas tij, Shqipërisë i duhet kohë për të arritur nivelin e konkurrencës pozitive, andaj Rama po angazhohet për një shtet, i cili asnjëherë nuk u përgjigj për përdhunimet dhe për ndjekjet e masakrimet në Kosovë.

“Me punën e tillë z.Rama po e dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtu nuk është vetëm dëmi ndaj Kosovës. Dëme ka Shqipëria në çdo fushë. Gënjejnë biznesmenët e Shqipërisë për gjoja të mirat e "Ballkanit të hapur". Shqipëria nuk ka prodhime për të konkurruar Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. As prodhimet industriale dhe ato bujqësore nuk mund të konkurrojnë në treg të lirë.

Shqipërisë i duhet kohë për të arritur nivelin e konkurrencës pozitive. Këtu do të ndihmojë bashkëpunimi me Kosovën dhe përgatitja e Shqipërisë në "Procesin e Berlinit" për t'u anëtarësuar në BE. "Ballkani i hapur" është pengesë për zhvillim të qëndrueshëm në Shqipëri dhe për përmbushjen e kushteve të BE-së. Nuk duhet të humbet kohë me politik gjoja të madhe. Serbinë s'po mundet me e edukuar BE-ja, SHBA-ja dhe NATO-ja. Beogradi nuk i pranon sanksionet e BE kundër Rusisë. Për çdo ditë dëgjohen kërcënime luftarake nga shteti serb për Kosovën. Për intervenim ushtarak në Kosovë është armatosur. E konsideron Kosovën një tokë serbe dhe nuk i kthen të masakruarit shqiptarë të varrosur në Serbi. Nuk jep përgjegjësi për dhunën dhe për gjenocidin ndaj shqiptarëve. Askush nuk u përgjigj për përdhunimet dhe për ndjekjet e masakrimet. Për këtë shtet po angazhohet z.Rama. Me këtë shtet po bashkëpunon. Me Serbinë fashiste po e krijon "Ballkanin e hapur"! Pse?”, përfundon juristi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat