Ndizet alarmi për Kosovën pas rikthimit të Milan Radojçiçit në veri, ky është paralajmërimi

Politika

Ndizet alarmi për Kosovën pas rikthimit të Milan Radojçiçit në veri, ky është paralajmërimi

Nga: P.R Më: 8 korrik 2022 Në ora: 17:05
Milan Radojçiçi

Njeriu i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përfshirje në krim të organizuar, Milan Radojçiç, i cili kërkohet poashtu nga policia si i dyshuar për vrasjen e kundërshtarit të Listës Serbe, Oliver Inavnoviç, është rikthyer përsëri në veri të Kosovës, ku ka kërcënuar direkt shtetin e Kosovës.

“Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni t’ju them, edhe të tjerëve, unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia!”, ka deklaruar Radojçiç në një video të publikuar nga veriu i Kosovës.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, siguria në veri të Kosores ka hyrë në një fazë vendimtare, për çka edhe është aktivizuar edhe shteti serb me strukturat kriminale.

Image
Drizan Shala

"Siguria në Kosovë është duke hyrë në fazën më vendimtare, e cila është si pasojë e presionit ndërkombëtar për finalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë , ku dihet që kjo e fundit se afro 6 muaj është duke vazhduar me propagandë kundër institucioneve të Kosovës dhe autoritetit të tyre. Prandaj grupet kriminale në veri të vendit janë duke u mbështetur në mënyrë sistematike nga aparatura e sigurisë së shtetit serb, të cilat përmes strukturave paralele janë duke vazhduar agjendën e tyre në dëm dhe cenim të sigurisë nacionale të vendit”, thotë Shala për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, AKI duhet të ndërmarrë të gjitha veprimet për ta lokalizuar vendndodhjen e Milan Radojçiçit.

“Institucioni kryesor i sigurisë në vend (AKI-ja ) bazuar në mandatin që ka, vlerësohet që kanë marr gjitha veprimet operative për të lokalizuar vendndodhjen e personit më të kërkuar nga ana e drejtësisë vendore në lidhje me disa vepra penale që ngarkohet. Ndërsa në lidhje me cenimin e sigurisë në veri të vendit, mund të themi që gjitha parametrat dhe informacionet që mund t’i sjellin këta parametra. tregojnë faktin që AKI-ja, PK kanë para vetit një mori opsionesh se si të vendoset nën kontroll situata në rast të paraqitjes se ndonjë skenari të mundshëm nga ana e shtetit të Serbisë”, shprehet Shala.

Sipas tij, rikthimi i Radojçiçit në veri të Kosovës do t’i shërbejë Serbisë për shtrimin e autoritetit kriminal, dhe pengimin e vendimeve që merren nga Qeveria Kurti.

“Ardhja e Milan Radojçiç në veri të vendit dhe deklarimi i tij. por edhe “alibia” publike e kreut të shtetit serb që për vizitat e tij se mund të pyetni atë, po jep hapësirë të nënkuptohet që rikthimi i Radojçiçit në veri të vendit do t’i shërbej në rend të parë ri-shtrirjes se autoritetit të tij kriminal në atë pjesë, dhe në ato grupe kriminale që kanë vepruar deri më tani”, thekson Shala.

“Ndërsa në anën tjetër do të zbatojë çfarë do kërkese që mund të vije nga shteti i Serbisë në drejtim të pengimit të vendimeve nga ana e qeverisë se Kosovës në raport me masën e reciprocitetit me targa që skadon në fund të shtatorit”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat