Planet për luftë dhe copëtim të Kosovës/ Kurti dhe Osmani i japin ‘goditje’ Vuçiqit dhe Ramës – mposhtin synimet..!

Politika

Planet për luftë dhe copëtim të Kosovës/ Kurti dhe Osmani i japin ‘goditje’ Vuçiqit dhe Ramës – mposhtin synimet..!

Nga: A.M Më: 8 korrik 2022 Në ora: 19:37
Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në disa takime, forume të ndryshme, ku edhe ka zhvilluar vizita në shtete të caktuara.

Së fundmi, presidentja Osmani, mori pjesë në Forumin e organizuar nga “Qendra për Perspektivë Evropiane”, në Slloveni. Ajo nga atje nuk kurseu deklaratat kundër Serbisë dhe qëndrimeve pro-ruse.

Profesor, doktor Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi paraqitjet e presidentes Vjosa Osmani në vizitat e saj jashtë vendit.

FIllimish, ai tha se për kohëve të fundit diplomacia e Kosovës është shumë aktive, gjë që nuk ka ndodhur viteve te fundit. Mirëpo, përmendi disa nga pengesat kryesore të Kurtit dhe Osmanit në arenën ndërkombëtare.

“Diplomacia e Kosovës gjatë muajve dhe javëve të fundit është në ofensivë. Po ndodh kjo për herë të parë pas shumë vitesh. Megjithatë Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla po punojnë në kushte të pafavorshme. Ndërsa presidentja e Kosovës në cdo takim ndërkombëtar e denoncon politikën e bashkëpunimit të Aleksandër Vuciq me Hitlerin e shekullit XXI, Vladimir Putin, është kryeministri i Shqipërisë ai që ia bën presidentit të Serbisë avokaturën më të mirë të mundshme!

Ndërsa Vjosa, Albini e Donika denoncojnë çdo moment politikat diversive dhe luftë-nxitëse të Beogradit në rajon e sidomos kundër Kosovës. Por Edi Rama u thotë amerikanëve dhe europianëve se “Ato që thone drejtuesit e institucioneve të Kosovës janë të pavërteta”! U thotë se “Problemi në Ballkan janë Vjosa Osmani e Albin Kurti, por jo Aleksandër Vuçiq”! U thotë gjithashtu se “Serbia duhet toleruar, se ndryshe në Ballkan do të ketë luftë”! Por se kush do ta bëjë luftën, këtë nuk ua thotë partnerëve euro-amerikanë! Le të dyshohet se luftën mund të nisin Albini e Vjosa, gjë që e deklaron çdo ditë presidenti i Serbisë!”,
deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Bytyçi vlerësoi se shkaku i paraqitjeve të mira të presidentes Osmani në forume të ndryshme, ka bërë një kthesë rrënjësore në forcimin e mëtejshëm të subjektivitetit ndërkombëtar në Kosovë.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Pjesëmarrja e Vjosa Osmanit në disa forume dhe vizitat e saj në disa vende e kanë rritur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Ka shtuar mundësinë për një kthesë rrënjësore në forcimin e mëtejshëm të këtij subjektiviteti. Diplomacia ofensive e autoriteteve të politikës dhe diplomacisë së Kosovës ka shtuar shanset që të shtohen njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare! Ndoshta do të duhet edhe pak kohë që të dëshmohet kjo që po ju them. Por do të nisë vala e re e njohjeve, madje nga shtete që kanë rëndësi vendimtare në integrimet euro-atlantike të Kosovës!

Ndërsa performanca e këtyre liderëve të sotëm në gjykimin tim është së paku më e mira nga të gjitha performancat e dëshmura deri më sot, pas diplomacisë së Ibrahim Rugovës. Ajo që po bën Vjosa Osmani është gjëja e duhur për interesat e Kosovës. Për këtë arsye ajo po respektohet nga liderët europianë”, theksoi ai.

Më tej, profesori përmendi edhe qasjet e Macronit dhe Scholzit ndaj presidentes Osmani.

Ai u nis nga samiti BE-Bruksel Perëndimor, në të cilin tha se Vjosa Osmani ishte ylli i atij samiti.

“Megjithatë kam vënë re se e nderon dhe respekton maksimalisht kancelari gjerman, Olaf Scholz, por nuk bën të njëjtën gjë presidenti francez, Emmanuel Macron. Kjo performancë u pa qartë sidomos në Samitin e Selanikut me kryetarët e shtetit dhe të qeverive të Europës Juglindore, samit në të cilin presidentja Osmani ishte ylli i atij samiti. Por e tillë ishte fjala e saj në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Këshillit të Europës, fjalë që u vlerësua aq lart nga një gazetar prominent gjerman i TV ARD!

Performanca e udhëheqësve i jep imazh vendit.

Mos harrojmë se imazhi i Kosovës ndryshoi me Ibrahim Rugovën. Performanca e presidentit historik e nxori në dritë çështjen e Kosovës. Çdo vend njihet në botë përmes liderëve të tij. Edhe Kosova, hallet, problemet, e drejta e saj njihen përmes veprimtarisë politike dhe diplomatike të liderëve të sotëm. Sigurisht që kjo duhet shoqëruar me forcimin e shtetit ligjor të së drejtës. Por vendi ka nevojë të njihet përmes liderëve. Bota, duke parë liderët krijon idenë se çfarë populli janë shqiptarët në Kosovë”, shpjegoi Bytyçi.

Ndër të tjera, ai e konsideron rolin e Kurtit, Osmanit dhe Gërvallës si të pazëvendësueshëm, të cilët janë të vendosur që t’i mposhtin planet e Beogradit për copëtimin e Kosovës.

Kësisoj, shkaku i politikave të udhëheqësve të rinj të Kosovës, Rama dhe Vuçiqi kanë ndërruar taktikat e tyre.

“Prandaj dhe roli i Vjosa Osmanit, po ashtu Albin Kurtit, Donika Gërvallës, e të tjerëve në drejtim është i madh dhe i pazëvendësueshëm. Misioni i politikanit është interesi i atdheut. Në këtë pikëpamje këta liderë politikë sot në Kosovë kanë bërë epokë. Së paku deri tani, shoh se e kanë ndryshuar doktrinën në funksion të shtetësisë së vendit. Kjo do të thotë se janë të vendosur të mposhtin planet, projektet dhe synimet anti-shqiptare të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ndryshe nga Edi Rama, ata i kanë vënë pritë këtyre synimeve dhe nuk po lejojnë që Kosova të rikthehet nën diktatin e Beogradit.

Para se të vijnë në pushtet Osmani e Kurti kishim liderë politikë peng të Beogradit, madje të gatshëm ta copëtonin territorin e saj! Kjo duket se ka marrë fund. Prandaj dhe Vuçiq e Edi Rama kanë ndërruar taktikë. Krijuan minishengenin ose Open Balkan-in, me qëllim që ta copëtojnë Kosovën, ta ndajnë atë midis Serbisë dhe Shqipërisë. Tani përplasen pikërisht këto dy rryma brendashqiptare, këto dy doktrina. Njëra është doktrina pro-serbe e antikosovë dhe tjetra është doktrina anti-serbe e shtëtësisë së Kosovës!”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat