Ish-ambasadori holandez flet për takimin Kurti-Vuçiq - përmend më të keqen që mund të ndodhë në veri

Politika

Ish-ambasadori holandez flet për takimin Kurti-Vuçiq - përmend më të keqen që mund të ndodhë në veri

Nga: A.M Më: 21 gusht 2022 Në ora: 09:39
Foto nga takimi në Bruksel - 18 gusht

Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell së bashku me të ngarkuarin e BE-së për bisedime Mirosllav Lajqak, ishin ndërmjetësues në takimin Kurti-Vuҫiq.

Borell u shpreh optimist se do të ketë një marrëveshje mes të dyja palëve deri me 1 shtator.

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje , jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan që procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra sot nuk pati marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”, u shpreh ai.

Borrel shtoi se Kurti dhe Vuçiq kanë dallime të qarta ndërmjet tyre "në mënyrën se si e shohin zgjidhjen përfundimtare të statusit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, në një prononcim për “Bota sot” komentoi takimin e mbajtur në Bruksel.

Fillimisht, ai e vlerësoi si pozitive mbajtjen e këtij takimi, megjithatë tha se nuk kishte ndonjë rezultat pozitiv.

Image
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch

Sipas tij, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, derisa Serbia nuk ndryshon qasjen.

“Vetë fakti që takimi u zhvillua ishte një gjë pozitive, por që rezultatet ishin minimale, ashtu edhe siç pritej. Pasi Serbia nuk dëshiron të lëvizë dhe e ka marrë me shaka procesin e ‘normalizimit të marrëdhënieve’, e ardhmja duket e zymtë”, deklaroi Bosch.

Krahas kësaj, ai potencoi se serbët në veri nuk do t’i pranojnë target e reja nëse nuk detyrohen nga shteti serb.

Kësisoj nuk përjashtoi mundësinë për eskalimin e situatës në veri.

“Duke qenë se popullsia serbe e veriut është, për shumë arsye të ndryshme, më nacionalistët nga të gjithë, dhe ndihmohet herë pas here nga Beogradi, ata nuk do të pranojnë të marrin targa të reja nëse nuk detyrohen nga Beogradi. Kjo gjë nuk do të ndodhë, shpresojmë që “konflikt i ngrirë” nuk do të përfundojë keq. Përmbajtja edhe nga ana e Prishtinës tashmë është e pashmangshme”, përfundoi Robert Bosch për “Bota sot”.

Ky takim në Bruksel u mbajt pas tensioneve dhe trazirave qe ndodhën në veri të Kosovës, pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës, vendim që më pas u shtye për datën 1 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat