Borellin e kaploi frika pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq! Çfarë pritet të ndodhë në veri pas 1 shtatorit?

Politika

Borellin e kaploi frika pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq! Çfarë pritet të ndodhë në veri pas 1 shtatorit?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 gusht 2022 Në ora: 11:55
Albin Kurti dhe Joesph Borell

Takimi i 18 gushtit, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Vuҫiqit, erdhi pas tensioneve të 31 korrikut në veriun e Kosovës, ku serbët lokal bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit.

Këtë takimi BE-ja e organizoi me shpresën që do të mund të arrihet një marrëveshjeje mes dy shteteve, duke menduar që t’i bënin presion më shumë Kosovës për të lëshuar pe, pavarësisht që bëhet fjalë për zbatimin e një marrëveshje të nënshkruara nga dyja shtetet, e që qeveritë e kaluara kishin hequr dorë nga zbatimi i saj, sigurisht nën ndikimin e jashtëm, në favor të Serbisë.

Po ashtu Qeveria në qershor ka nxjerrë edhe vendimin për ndalimin e targave të Serbisë, që edhe ashtu janë sipas një sistemi të regjistrimit që nuk përdoret më nga koha e Millosheviçit, si dhe të targave aktuale të Serbisë, të cilat i marrin sipas legjislacionit serb të lëshuara nga strukturat paralele.

Megjithatë, takimi, i cili u zhvillua edhe nën ndihmën amerikane, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në Bruksel përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Gjithsesi dyja palët ranë dakord që në ditët e ardhshme të vazhdojnë diskutimet.

Në një konferencë shtypi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili së bashku me të ngarkuarin e BE-së për bisedime Mirosllav Lajqak, ishin ndërmjetësues në takimin Kurti-Vuҫiq tha:

“Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq. Por ky nuk është fundi i rrëfimit meqë të dy udhëheqësit u pajtuan që procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimet do të vazhdojnë në ditët në vijim. Ka ende kohë deri më 1 shtator. Pra, sot nuk pati marrëveshje, por ne nuk dorëzohemi, ne duhet të vazhdojmë diskutimet, duhet të kërkojmë zgjidhje, procesi do të vazhdojë”.

Gjithashtu Borelli në një paraqitje provokoi kryeministrin Kurti, duke u përpjekur t’i jap një mesazh NATO-s se nuk ka pse përgatitet për ndërhyrje, sepse për këto mosmarrëveshje, kinse do të vendosë politika, dhe se rolin kyç do ta ketë BE-ja, jo Aleanca ushtarake.

Kjo deklaratë e Borellit nxiti reagime, ku në sfond vërehej një dozë frike nga shefi i diplomacisë evropiane.

Kuçi: BE-ja dëshiron më shumë negociata paqësuese të llojit që ngritën dikur Hitlerin në pushtet, se sa drejt zgjidhjeve të drejta

Image
Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Në lidhje me këtë temë ka folur për “Bota sot”, profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi.

Së pari, ai tha se dialogu në Bruksel ishte i vështirë, mirëpo që ka premisa që tregojnë se mund të dërgojë drejt një marrëveshje finale.

“Dialogu në Bruksel ishte i vështirë, mirëpo me premisa konkrete që mund të dërgojnë drejt marrëveshjes finale. Pra, dialogu dalëngadalë po futet në fazën, të cilën përveç qeverisë në Beograd të gjithë të tjerë e duan duke përfshirë edhe popullin serb, sidomos ata që jetojnë në Kosovë”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Kuçi e vlerësoi lartë qasjen e Kurtit dhe gatishmërinë e Kosovës për përfundimin e këtyre bisedimeve.

“Edhe pse të premten nuk u arrit ndonjë marrëveshje, qasja e Kosovës duke ofruar korniza për marrëveshje në tavolinë të bisedimeve, është një avantazh ku Kosova është e gatshme të shkoj drejt përfundimit të këtij procesi”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori vlerësoi se shteti serb po luan rolin e viktimës, megjithatë kjo taktikë nuk po i funksionon më.

Madje, ai tha se Borelli dhe BE-ja, nuk janë të pakënaqur vetëm me Kosovën, por edhe me SHBA-në!

“Serbia vazhdoi të luajë lojën e viktimës prapë, mirëpo një gjë e tillë nuk është duke i funksionuar më, sidomos tani kur SHBA-ja është duke u treguar më këmbëngulëse në mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës. Borelli dhe BE-ja, nuk janë të pakënaqur vetëm me vendosmërinë e tanishme të Kosovës, por janë të pakënaqur edhe me SHBA-në. Kjo për faktin se BE-ja dëshiron më shumë negociata paqësuese të llojit që ngritën dikur Hitlerin në pushtet, se sa drejt zgjidhjeve të drejta. Për momentin aleatin më të sigurt Kosova e ka vetëm SHBA-në”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Mehazi: Pika kryesore e brengosjes së zotëri Borrelit në Bruksel është konflikti serioz i dy shteteve

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se ishte një gjë e ditur se bisedimet në Bruksel do të dështonin, marrë parasysh zhvillimet në veri.

“Bisedimet Kurti-Vuçiq në Bruksel pas situatës së rënduar në veri, vetvetiu, paralajmëronin se dialogu i 19 gushtit do të dështonte. Këtë mospajtim dialogues të dy liderëve Kurti-Vuçiq pikëllueshëm e shprehu edhe përfaqësuesi i Sigurisë Evropian, Josep Borrell duke thënë para mediave se: "Fatkeqësisht ende nuk kemi arritur marrëveshje sot, jo, më vjen keq."”, deklaroi ai.

Sipas Mehazit, Borrelli ka filluar të frikësohet nga një konflikt i mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.

Prandaj, sipas tij përfaqësuesi i BE-së ka filluar të brengoset për mos arritjen e një marrëveshjeje në Bruksel.

“Është interesant se kurrë më parë përfaqësuesi i diplomacisë evropiane, Borreli nuk është shprehur aq dhimbshëm për dështimin e dialogut Serbi-Kosovë sesa këtë herë. Sipas kësaj pakënaqësie të dialogut mund të konstatojmë se zotëri Borrelli frikësohet nga situatat konfliktuoze në mes të Serbisë e Kosovës që mund të ndodhin pas një shtatorit kur kalon afati i shtyrjes një mujore të dy vendimeve, i reciprocitetit të lejeve të udhëtimit, dhe i targave serbe në Kosovë, dhe se për tensionimin e situatës në veri do ta merr përgjegjësinë vetë i dërguari evropian i sigurisë, Josep Borrell e askush tjetër.

Edhe pse ai para mediave tha, se, pas 1 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës do ta riaktivizojë reciprocitetin e targave serbe nëse fillon konflikti i serbëve të veriut kundër policisë së Kosovës përgjegjësinë do ta marrin Vuçiqi e Kurti, po nuk është ashtu për shkak se Borrelli i sigurisë do ta merr përgjegjësin së bashku me BE-në, e cila që sa vite rri pasive ndaj dialogut të Serbisë me Kosovën”, theksoi profesori.

Në fund, ai përsëriti mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri, pas 1 shtatorit.

“Mendoj se pika kryesore e brengosjes së zotëri Borrellit në Bruksel është konflikti serioz i dy shteteve pas realizimit të reciprocitetit të përgjithshëm të Kosovës ndaj Serbisë më 1 shtator. Nuk është e rastësishme deklarata e Borrelit se: "Koha kërkon zgjidhje dhe jo shtim tensionesh"”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat