“Konfliktet janë rritur, rreziku për luftë veç ekziston” / Pa SHBA-të, BE-ja nuk e zgjidh dot asnjë çështje

Politika

“Konfliktet janë rritur, rreziku për luftë veç ekziston” / Pa SHBA-të, BE-ja nuk e zgjidh dot asnjë çështje

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 gusht 2022 Në ora: 19:34
Ilustrim

Mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova është vendi i cili ka zbatuar çdo marrëveshje të arritur në dialog me ndërmjetësimin e BE-së. E BE është unioni i cili madje me të gjitha punët e kryera nga ana e Kosovës, nuk i liberalizoi vizat për qytetarët, çështje që u kthye në njërin prej faktorëve të rënies së madhe tëbesimit në BE.

Ajo me gjithë presionin që po i bën Kosovës nënjë fare forme e ka mbështetur për muri.

Bashkimi Evropian ka bërë një mori gabimesh

Një gjë të tillë e kishte deklaruar edhe IvanaStradner, nga Instituti amerikan "Enterprise", duke thënë se edhe BE-ja ka shumë gabime në raport me vendet ballkanike.

Sipas saj, mos dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën, shtyrjet e pafund të procesit të integrimit për të gjitha vendet e Ballkanit vetëm sa e kanë dobësuar ndikimin e Brukselit në rajon.

“Bashkimi Evropian ka bërë një mori gabimesh deri më tani pasi ka përdorur shumë më tepër karotën se sa shkopin. Por, çështja tjetër është: pse BE-ja, sidomos pas deklaratës së para disa vjetëve të presidentit francez, Macron për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së nuk e bën të qartë nëse ky zgjerim është i vërtetë apo jo? Unë mendoj se duhet të merremi edhe me udhëheqësit në Perëndim, ata duhet të jenë të sinqertë dhe ta bëjnë të qartë nëse vërtet i duan ata të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, sepse në përgjithësi korrupsioni në Ballkan është shumë i lartë dhe shumë vende momentalisht nuk janë demokraci të plota”, ka deklaruar pos tjerash ekspertja Stradner.

Kelmendi: UE është tigër në letër

Profesori Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se, BE-ja nuk mund t’i zgjidh problemet pa pjesëmarrjen e SHBA-së. 

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, BE-ja është e fortë vetëm ndaj atyre shteteve të dobëta, dhe shpeshherë vepron jo për paqe po për interesa gjeostrategjike të ndonjë shteti të caktuar.

“BE-ja është një tigër, sa i takon rendit dhe sigurisë në letër. Pa SHBA-të ky Union nuk është në gjendje të veprojë i pavarur. Në kuadër të kësaj në BE janë shtetet shumë të ndryshme dhe me të kaluar konfliktuoze dhe që nuk kanë besim në njëri - tjetrin. Veç kësaj, është Rusia, Franca dhe Spanja, me disa shtete tjera, që kësaj bashkësie në fushën ushtarake ia humbin rëndësinë dhe e bëjnë jo funksionale. Nuk kemi fare asnjë rast ku ky Union e ka zgjidhur njëçështje vetë. Pa SHBA-të është tigër në letër. BE është i fortë ndaj shteteve të dobëta. Aty nuk bënë pardon dhe shpeshherë vepron jo për paqe, po për interesat gjeostrategjike të ndonjë shteti”, thotë ai.

Tutje, profesori shton se ndikimin kryesor në BE e ka Franca dhe ajo është fajtorja kryesore pse Kosova nuk ka viza sot.

Më tej, deklaron se është Franca ajo e cila ka ndikuar që veriu i Kosovës të jetë i banuar me shumicë serbe.

“Ndikimin në Union e ka Franca. Ky shtet është pengesa kryesoren pse Kosovës nuk iu liberalizuan vizat. Me Francën është në këtë çështje edhe Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. Ato së bashku, krahas Holandës, bënë bllokimin e vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën. Duhet ditur se veriu i Kosovës, ku jetojnë aktualisht, me shumicë serbë, është krijuar nga Franca. Me ndihmën e ushtrisë franceze, në vitin 2000 dhe 2001, u dëbuan nga veriu i Kosovës mbi 12 mijë qytetarë shqiptarë. U bë spastrimi etnik i kësaj ane të Kosovës”, thotë Kelmendi.

Ai thekson se edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndikuar nga Franca dhe disa shtete mosnjohësetë Kosovës.

“Çdo dialogim midis Kosovës dhe Serbisë është bërë nën ndikimin e shteteve të përmendura. Është bllokuar lëvizja e lirë e qytetarëve dhe është ndaluar të theksohet statusi i Kosovës. Kosovës iu futën thonjëzat. U bënë marrëveshje të ndryshme dhe çdo marrëveshje që sadokudo e nënkuptonte Kosovën shtet nuk u ekzekutua nga Serbia. U tolerua shteti serb. Ndërsa, u bë presion i madh mbi Kosovën. Çdoherë po paraqitet nga këto shtete, madje edhe nga disa zyrtarë në Bruksel, Kosova si shkaktare e mos zbatimit të marrëveshjeve. E në anën tjetër, mbi 85% të marrëveshjeve Kosovë - Serbi nuk ekzekutohen nga Serbia. Kosova i zbaton të gjitha, me përjashtim të asociacionit serb, për faktin që nga gjykata është shpallur de-jure nul. UE ka dështuar tashmë në çështjen Kosovë-Serbi. Kjo, pse mbahet nga shumë shtete ana e përcaktuar e shtetit serb. Nuk ka shumë nevojë të paraqiten fakte”, shprehet ai. 

Sipas tij, shkaktar i dështimit të BE-së në zgjidhjen e çështjeve Kosovë-Serbi është te Beogradi dhe te shtetet që e përkrahin Serbinë.

“Serbia e kërcënon Kosovën me armë. Është shteti serb që po armatoset nga Rusia dhe nga Kina. Për çdo ditë shteti serb po e tregon forcën ushtarake. Afër kufijve të Kosovës fluturojnë aeroplan dhe helikopter ushtarak serb. Nga Beogradi deklarohet se Kosova është serbe dhe se me forcë do ta rikthejnë nën sovranitetin serb. Këtej kemi një qartësi të madhe për shkaqet e mossuksesit të BE-së. Shkaktar i dështimit të BE-së në zgjidhjen e çështjeve Kosovë-Serbi është te Beogradi dhe te shtetet që e përkrahin Serbinë. Mbi këtë fakt IvanaStradner ka thënë: "Rreziku i dështimit të BE-së në Ballkan rrezikon të humbasë blloku perëndimor (shih: BE) në tërësi besueshmërinë". Ky fakt mjafton për të ditur se BE-ja me politikën e tillë të njëanshme, pa SHBA-të, nuk i zgjidhë çështjet në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Në fund, profesori thotë se BE-ja ka mbetur si në Bosnje e Hercegovinë, në vitet ‘90-‘95, në diskutime, duke i dhënë mundësi makinerisë vrastare serbe të vrasë dhe të masakrojë me qindra e mijëra qytetarë, e që deklaron se kjo është politika që po zbatohet tash nga BE-ja në Ballkan.

“BE-ja ka mbetur si në Bosnje e Hercegovinë, në vitet 1990-1995, në diskutime, duke i dhënë mundësi makinerisë vrastare serbe të vrasë dhe të masakrojë me qindra e mijëra qytetarë. Kjo është politika që po zbatohet tash nga BE-ja në Ballkan. Konfliktet janë rritur dhe rreziku për luftë veç ekziston. Duhet thënë se pa SHBA-të nuk është në gjendje BE-ja ta zgjidhë asnjë çështje. Me BE-në ka vetëm konflikte dhe nëpërmjet BE-së shtetet po i paraqesin pikësynimet e veta gjeostrategjike në Ballkan e më gjerë. BE-ja po ndikon në mënyra të ndryshme që konflikti Kosovë - Serbi të mbetet i pazgjidhur. Shpresohet se me SHBA-të,BE-ja e arrin të zgjidhë çështjen midis Kosovës dhe shtetit serb. Pa SHBA-të kemi vetëm dështime.

Duhanaj: Europa dhe SHBA, nuk do ta lejojnë Ballkani që të devijojë diku tjetër

Image
Leon Duhanaj

Në lidhje me këtë temë, analisti Leon Duhanaj thotë se Ballkani Perëndimor, është jo vetëm pjesë gjeografike e Europës, por është në zemër të saj andaj nuk do ta lënë që të devijojë Ballkanin.

“Projekti i Unionit, edhe pse një ide më e vjetër u jetësua pas tmerrit që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore. Natyrisht që kjo ndodhi me vullnetin politik të evropianëve, por edhe me mbështetjen e madhe të amerikanëve, të cilët me Planin Marshall, ndikuan që Europa perëndimore të prosperojë. Ballkani Perëndimor, është jo vetëm pjesë gjeografike e Europës, por është në zemër të saj. Në këtë kontekst, Europa, por edhe SHBA-ja, nuk do ta lejojnë që të devijojë diku tjetër”, thotë ai.

Sipas tij, është Rusia ajo e cila me ndihmën e aleatit të saj, Serbisë, po dëshiron destabilizimin dhe përçarjen e Ballkanit dhe mundësinë për kthim të vet në çështje ballanike.

“Lufta në Ukrainë, nuk duhet të shikohet e ndarë nga problemet në regjionin tonë. Sepse Rusia duke e ditur që e ka humbur Ballkanin, synon ta shtrijë territorin rreth kufijve të sajë, në mënyrë që të forcohet për një përpjekje tjetër. Edhe përkundër kësaj, Rusia nuk e ndalë investimin në Ballkan, ku përmes destabilizimit të tij, pretendon ta përçajë botën perëndimore gjë që do ta shfrytëzonte maksimalisht edhe në raport me Ukrainën”, thotë ai.

Ai thotë se Serbia, siu vend aleat i Rusisë, por edhe e varur nga Rusia, historikisht ka shfrytëzuar ndihmën e saj, për zgjerim territoresh në kurriz të shqiptarëve.

“Shtetet sllave në Ballkan, u themeluan me ndërhyrjen ruse dhe me lejimin e Perandorisë Osmane, e cila me traktatin e paqes pas humbjes në betejën e Plevles pothuajse ia dhuroi të gjitha trojet shqiptare klanit sllav”, shprehet ai.

Më tej, ai tregon edhe rrjedhën se si Rusia po përdor Turqinë dhe paratë saudite për ta dëmtuar trungun shqiptarë.

Madje, ai deklaron se në BE ka shumë rryma ekstreme, të cilat këtë problem e interpretojnë njëjtë me serbët, andaj nga kjo katrahurë kemi veç një mundësi dhe fat të dalim dhe atë me mbështetjen amerikane dhe disa vendeve të QUINT-it.

“Shqiptarët akoma e vajtojnë dhe akuzojnë Europën për kinse ndarjen e trojeve, por nuk e shohin një fakt se ishte Europa, përkatësisht Austria që me luftë u doli në ndihmë shqiptarëve, por që për fat të keq në atë kohë ishte e dobët që t'ia dalë mbanë në kthimin e të gjitha territoreve të humbura dhe si kompromis ndodhi Shqipëria londineze. Nuk duhet harruar se në atë kohë shqiptarët ishin shumë të ndarë madje edhe kishte të tillë që me armë luftonin për ta mbrojtur Perandorinë Osmane, gjë që  kombet sllave para botës e shfrytëzuan të na paraqesin si mbetje osmane.

Rusia po e përdor Turqinë dhe paratë saudite për ta dëmtuar trungun shqiptarë. Këto imazhe si atëherë, edhe tash Serbia i plason me sukses përmes propagandës se vetë para botës. Për fat të keq, në kuadër të Unionit Europian ka shumë rryma ekstreme, të cilat ketë problem e interpretojnë njëjtë me serbët.

Si të tilla ka shumë hezitim për integrimin e shteteve të Ballkanit, duke i trajtuar si rrezik për vetë Unionin. Në anën tjetër, në qarqet interne shihet me shqetësim ndikimi turk e saudit mbi shqiptarët. Për krejt këto, fatkeqësisht duhet konstatuar se fajtorë kryesor jemi ne vetë si shqiptarë, sepse po e dëshmojmë në vepër krizën tonë identitare dhe çorientimin tonë strategjik. Nga kjo katrahurë kemi veç një mundësi dhe fat të dalim dhe atë me mbështetjen amerikane dhe të disa vendeve të QUINT-it.  Megjithatë, primare për të pranuar ndihmë nga dikush, duhet të dish ta kërkosh, por edhe ta meritosh ndihmën”, thotë ai.

Duhanaj e përmend politikën e suksesshme të viteve të ’90-ta, pa ia atribuuar atë meritë liderit historik Rugova, dhe lëvizjes intelektuale që u përfshi në LDK, e që sipas tij, ai organizim e bindi botën për të kërkesat e drejta të shqiptarëve.

“Në vitet e 90- edhe pa shtet dhe nën robëri, arritëm ta sensibilizojmë botën dhe ta bindim të na ndihmoj, përderisa sot po shkojmë dita ditës në drejtimin e kundërt dhe kam frikë se do ta humbim paqen. Trojet shqiptare, nuk janë më të rrezikuara fizikisht nga askush, falë NATO-s, por rreziku është shtuar dhe shumë serioz që ne të shkombëtarizohemi dhe tjetërsohemi shpirtërisht gjë që nuk kemi kënd ta fajësojmë pos vetës”, përfundoi analisti Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat