Rrenat dhe propaganda fashiste e Vuçiqit- kërkohen veprime urgjente para 1 shtatorit/ Analisti ka një kërkesë për opozitën

Politika

Rrenat dhe propaganda fashiste e Vuçiqit- kërkohen veprime urgjente para 1 shtatorit/ Analisti ka një kërkesë për opozitën

Nga: M.L. Më: 23 gusht 2022 Në ora: 18:20
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, të dielën pas mbledhjes së mbajtur përfaqësuesit e serbëve nga Kosova ka vazhduar me mashtrimet e tij kundër Republikës së Kosovës.

Vuçiq ka mashtruar popullin serb në Serbi dhe Kosovë, kinse Kosova po kërkon dëbimin e serbëve të Kosovës.

Derisa kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e zbatimit të masave të reciprocitetit në targa e dokumente personale me Serbinë, Serbia po vijon me propaganda absurde duke i mashtruar e frikësuar qytetarët.

Por, a janë të përgatiturua institucionet e Kosovës dhe në çfarë forme duhet ta kundërshtojnë këtë propagandë dhe cili është roli i opozitës në këtë drejtim?

Për këtë temë gazeta “Bota sot” ka biseduar me analistin politik Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai ka thënë se përderisa Vuçiq vazhdon ta mashtrojë pareshtur popullin serb, kinse Kosova po kërkon dëbimin e tyre, Qeveria e vendit duhet të reagojë më shpejtë dhe në mënyrë të përqendruar maksimalisht me veprime të koordinuara mirë me NATO-në, KFOR-in, SHBA-të, përfaqësitë e vendeve të QUINT-it, për t’i mohuar me fakte dhe demaskuar, rrenat e mashtrimet dhe propagandën gebelsiane të Vuçiqit.

"Pas të gjitha ngjarjeve negative të viteve të fundit në veri dhe përzierjeve të pareshtura të Aleksandër Vuçiqit në çështjet dhe rregullimin e brendshëm shtetëror të Republikës së Kosovës, pasardhësi i kasapit Millosheviq, ka arritur të krijojë konfuzion dhe huti edhe brenda Serbisë, me qëllim të ruajtjes së konflikti të ngrirë, përmes të cilit, ai herët a vonë, gjithmonë ka shpresuar ta rifillojë një konflikt të ri të armatosur me shqiptarët, për të grabitur me forcë, territoret më vitale të Kosovës. Prandaj përderisa Vuçiq vazhdon ta mashtrojë pareshtur popullin në Serbi dhe minoritarët serb në Kosovë, kinse Kosova po kërkon dëbimin e tyre nga Kosova, gjë që nuk është aspak e vërtetë, Qeveria e vendit duhet të reagojë më shpejtë dhe në mënyrë të përqendruar maksimalisht me veprime të koordinuara mirë me NATO-në, KFOR-in, SHBA-të, përfaqësitë e vendeve të QUINT-it si dhe kanalet diplomatike të BE-së, për ti mohuar me fakte dhe demaskuar në mënyrë sa më efektive, rrenat e mashtrimet dhe propagandën gebelsiane të Vuçiqit dhe Serbisë fashiste”, ka thënë Qarri.

Nga ana tjetër, Qarri ka thënë se është e habitshme se si opozita nuk i kundërvihet Serbisë për mbrojtjen e shtetit të Kosovës dhe në sinkron me Serbinë sulmon Qeverinë e Kosovës.

Por, përveç shpërndarjes së akuzave të rrejshme, gënjeshtrave dhe të pavërtetave të vazhdueshme për Kosovën dhe shqiptarët, nga Vuçiqi dhe Serbia, ajo që habit pafundësisht opinionin tonë mbarëkombëtar dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është fakti se edhe opozita e inkriminuar, përkundër të gjitha aventurave që ka bërë vet në kurriz të Kosovës dhe atakëve të hapura që po vazhdon ti bëjë Serbia kundër popullit dhe shtetit tonë të ri, jo vetëm që ajo nuk i kundërvihet Serbisë për mbrojtjen e shtetit dhe popullit të Kosovës, por bashkë me Serbinë, sulmojnë në sinkron Qeverinë e Kosovës.

Dhe përveç nënshkrimit të marrëveshjeve kundër-kushtetuese në dëm të Republikës së Kosovës, si "zajednica", të cilat rrezikojnë integritetin territorial dhe vet ekzistencën e shtetit të Kosovës, çuditërisht të gjitha partitë opozitare, edhe sot vazhdojnë ti shërbejnë besnikërisht Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë fashiste, duke e përkrahur dhe mbështetur hapur Serbinë dhe kundërshtuar publikisht dhe në çdo hap e mënyrë, Qeverinë dhe shtetin tonë të brishtë, duke kërkuar edhe ndarjen e Kosovës, si eksponentët e PDK-së Ramë Buja e Vlora Çitaku”, ka theksuar ai.

Qarri ka thënë se, Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta kërkojnë urgjentisht mbështetjen e SHBA-ve, të vendeve të QUINT-it, si dhe atë të Bashkimit Evropian, që përveç presionit ndaj Serbisë hegjemoniste, për dorëzimin e menjëhershëm të kriminelëve të akuzuar nga ligji për krime si Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq me shokë.

Kështu që duke gëzuar mbështetjen publike të opozitës së inkriminuar kosovare, e cila shihet botërisht që i ka ngelur shumë borxh Aleksandër Vuçiqit, ndaj dhe është nënshtruar plotësisht para tij dhe ka hy vullnetarisht, në shërbim të drejtpërdrejtë të Serbisë shoviniste, krimneli Vuçiq i ndihmuar nga vet partitë e inkriminuara shqiptare brenda Kosovës, përveçse vijon ta trasojë pa asnjë pengesë, politikën kriminale të kasapit Millosheviq, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, ai si pasardhës besnik dhe ministër i informatave të ish Qeverisë së Millosheviqit, po dëshmon hapur e pa asnjë ndrojtje, se edhe vet personalisht, është i gatshëm ta qojë deri në fund krimin e terrorin si dhe gjenocidin shtetëror të Serbisë fashiste, kundër shqiptarëve dhe jo vetëm.

Prandaj për shkak të mospërkrahjes së qëllimtë të opozitës, e cila edhe në zhvillimet e fundit, ka marrë hapur, anën e Serbisë hegjemoniste, Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta kërkojnë urgjentisht mbështetjen e SHBA-ve, të vendeve të QUINT-it, si dhe atë të Bashkimit Evropian, që përveç presionit ndaj Serbisë hegjemoniste, për dorëzimin e menjëhershëm të kriminelëve të akuzuar nga ligji për krime si Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq me shokë, të cilët, po i mbron me çdo mjet e mundësi, vet Aleksandër Vuçiqi, nga frika se ata mund ta zbulojnë përfshirjen e tij dhe të shtetit serb në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, të kërkojë ndihmë publikisht nga SHBA si shteti më me ndikim në Kosovë, për disiplinimin dhe kthimin në rrugë të mbarë të opozitës së inkriminuar , e cila shihet hapur, se i ka mbetur besnike e patundur e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, për çka janë në gjendje ta falin e shesin edhe Kosovën, siç u falën tokat e saj FYROM-it dhe shtetit xhuxh të Malit të Zi!”, ka nënvizuar ai.

Në fund, analisti u shpreh se duhet të krijohet një unitet i domosdoshëm për ta përballuar gjendjen e krijuar në veri dhe për ta demaskuar Vuçiqin.

“Pra për momentin kjo do të ishte e vetmja mënyrë që të paktën para zhvillimeve aktuale dhe acarimit gjithnjë e më të egër të situatës, të nxitur nga Serbia dhe bandat kriminale serbe në veri, të krijohet një unitet i domosdoshëm, qoftë dhe i detyruar i subjekteve të gjithmbarshme politike për ta përballuar, sa më me sukses gjendjen e krijuar sidomos në veri dhe demaskuar tërësisht propagandën gebelsiane të Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë Fashiste që me çdo formë e mjet, po përpiqen ti gllabërojnë me forcë pasuritë më të mëdha minerare e ujore si dhe tokat më vitale të Republikës së Kosovës!”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat