Kosova pranë “fitores së jashtëzakonshme”, Bytyçi: Momenti i duhur për marrëveshjen që i jep fund misionit të Vuçiqit!

Politika

Kosova pranë “fitores së jashtëzakonshme”, Bytyçi: Momenti i duhur për marrëveshjen që i jep fund misionit të Vuçiqit!

Nga: A.ZH Më: 24 gusht 2022 Në ora: 09:52
Antony Blinken dhe Albin Kurti

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë-Serbi nëse është nevoja edhe para datës 1 shtator, kur pritet të nisin masat e reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë.

“Nëse e shohim të udhës se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është diçka e domosdoshme për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, ka deklaruar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Ai ka thënë se për të dëshmuar këtë mbështetje për dialogun, SHBA ka dërguar emisarin Gabriel Escobar në Bruksel, i cili që nga dje po qëndron në Kosovë dhe më pas do të shkojë edhe në Serbi.

Duke komentuar këto zhvillime, profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se bisedimet mes të dyja vendeve, janë në fazën vendimtare.

Sipas tij, takimi i 18 gushtit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është një moment kthese në këtë proces, pasi për herë të parë ato po mbahen mbi një platformë të paraqitur nga Kosova.

“Duket se bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të rëndësishme dhe vendimtare. Takimi i Brukselit i 18 gushtit ishte moment kthese në këtë dialog. Kthesën e shënoi paraqitja nga ana e delegacionit të Kosovës të një projekt marrëveshjeje, e cila do të përmbyllë dialogun dhe do të shënojë njohjen e shtetit të Kosovës në OKB. Ne nuk i dimë detajet e projektit të paraqitur nga zoti Kurti. Por nga ato që kanë reflektuar palët në bisedime, na duhet të kemi pritshmëri pozitive. Edhe fakti që është Kosova ajo që orienton pikat e marrëveshjes do të thotë se për herë të parë kavalieri kësaj tangoje është pala kosovare! Kjo do të thotë se për herë të parë në 11 bisedime diskutimi nis mbi një platformë të paraqitur nga Kosova”, është shprehur analisti i çështjeve politike, për gazetën “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Meqë nëse pala serbe pranoi dokumentin e Kosovës si bazë të nisjes së bisedimeve, siç ka theksuar Bytyçi, bisedimet po vijnë drejt zgjidhjes.

“Thuajse të gjitha rastet e tjera, përjashtuar çështjet specifike e marrëveshjet teknike, janë iniciuar nga Beogradi. Duke qenë se palët në dialog kanë tashmë në tavolinë një dokument mbi të cilin bazohen diskutimet dhe se ky dokument është pranuar edhe nga pala serbe si bazë e nisjes së bisedimeve, bashkësia ndërkombëtare ka të drejtë të besojë se tashmë po vjen finishi i zgjidhjes. Kur vjen në finish duhet dikush i besueshëm që të inkurajojë ta fitosh garën, sfidën. Kjo po ndodh edhe në bisedimet dhe dialogun midis Kosovës e Serbisë. Mesa duket 31 korriku ishte nisja e këtij procesi të startit të fundit. Ajo që ndodhi atë ditë zgjoi shumë antena dhe angazhoi shumë personazhe”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për përfshirjen e Amerikës në dialog, profesori ka theksuar se pa amerikanët nuk mund të ketë marrëveshje finale. Sipas tij, kjo do të thotë se SHBA-të tashmë e kanë mbërthyer edhe presidentin serb në darën e tyre.

“Natyrisht që nëse kemi një përshpejtim të dialogut e sidomos nëse arrihet marrëveshja përfundimtare, do të duhet të kemi parasysh se në fatkeqësinë e luftës në Ukrainë, pati dhe ka edhe një fatmirësi për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës Prandaj dhe amerikanët u involvuan në muaj pushimesh aq fort në dialog. Në publik ata nuk ishin në tryezën e rrumbullakët, por ama ishin amerikanët që i detyruan palët të qëndrojnë gjithë natën në bisedime dhe të pranojnë të diskutojnë për gjithçka. Tani zëdhënësi i Departamentit të Shtetit na bën me dije se sekretari Blinken është i gatshëm të bisedojë me palët, nëse kjo është e nevojshme. Kjo do të thotë se pa amerikanët nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi. Kjo do të thotë se SHBA-të tashmë e kanë mbërthyer edhe presidentin serb në darën e tyre”, ka thënë Enver Bytyçi.

Ai parashikon që misioni i Vuçiqit, do të marrë fund, nëse ai pajtohet me opsionin amerikan të marrëveshjes dhe merr fund konflikti midis të dy vendeve. Profesori nuk ka përjashtuar mundësinë që Kurti dhe Vuçiq, të pranojnë telefonata nga Blinken apo edhe presidenti Joe Biden, për të nënshkruar marrëveshjen.

“Ai (Vuçiq) vazhdon të "notojë" në ujërat ruse, por po i afrohet gradualisht së paku "ujërave neutrale"! Nëse do ta lejojnë ultrat e Beogradit, kjo është për t'u parë! Megjithatë nëse Vuçiq pajtohet me opsionin amerikan të marrëveshjes dhe merr fund konflikti midis të dy vendeve, të gjitha gjasat janë që misioni i tij të marrë fund. Serbia do të ketë lidership tjetër të ri. Pikërisht për këtë arsye jam skeptik se presidenti serb do të jetë i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje. E theksoj këtë, sepse Blinken apo ndoshta edhe Biden do të telefononte Kurtin e Vuçiq, nëse ata do të ishin të gatshëm të hidhnin firmën e tyre në dokumentin përfundimtar të zgjidhjes”, ka potencuar më tej Bytyçi.

Ai e quan shans të mirë për Kosovën, situatën e krijuar, duke theksuar se kriteret për marrëveshje të propozuara nga Escobar, ruajnë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës dhe kjo sipas tij është një “fitore e jashtëzakonshme”.

“Mendoj se për Kosovën është një shans shumë i mirë kjo situatë e krijuar. Gabriel Escobar është në Prishtinë dhe ai ka përcaktuar publikisht kriteret e një marrëveshjeje midis palëve. Ato kritere ruajnë sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës, nuk cenojnë kushtetutën dhe rendin e saj. Kjo është një fitore e jashtëzakonshme. Sepse nuk mund të pritej të kishim një marrëveshje, e cila të mos përmbante elementë që kënaqin edhe Serbinë”, ka thënë më tej ai.

Në fund profesori kërkon që Kosova të shfrytëzojë trysninë e amerikanëve, pasi edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, po kërkohet të përzgjidhet një nga modelet e aplikuara në Evropë, që nuk cenon karakterin unitar të shtetit.

“E rëndësishme është se edhe për asociacionin po kërkohet të përzgjidhet një nga modelet e aplikuara në Evropë. Kjo do të thotë se parimi i ruajtjes së sovranitetit shtetëror dhe karakterit unitar të shtetit është i garantuar. Nuk ka në Evropë pakica sa ç'janë serbët në Kosovë që të gëzojnë të drejtën e federalizimit. Kështu që çfarëdo modeli të merret, ai shkon në favor të respektimit të rendit kushtetues. Prandaj dhe është momenti të shfrytëzohet kjo trysni që po bëjnë amerikanët. Nesër, pas përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk dihet se si ndryshojnë ekuilibrat në Evropën Lindore dhe Juglindore. Jam i bindur se do të ndryshojnë në favor të Perëndimit. Por atëherë mund të dalin në plan të parë interesat dhe rivalitetet në këtë pjesë të botës. Sot Evropa dhe Amerika janë unifikuar. Prandaj sot është momenti i duhur!”, ka shtuar për “Bota sot, profesori Enver Bytyçi./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat