Kurti ‘përballë’ Escobarit dhe Lajçakut/ Çfarë do të ndodhë me reciprocitetin – a do të shtyhet!?

Politika

Kurti ‘përballë’ Escobarit dhe Lajçakut/ Çfarë do të ndodhë me reciprocitetin – a do të shtyhet!?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 gusht 2022 Në ora: 08:08
Bota sot/ Ilustrim

Së fundi, në media u raportua se përfaqësuesi i BE-së, për dialogun Miroslav Lajçak, dhe amerikani Gabriel Escobar, në takimet e tyre me krerët institucionalë kanë pasur një kërkesë specifike.

‘Kanë kërkuar të shtyhet zbatimi i reciprocitetit edhe për tre muaj të tjerë’, ka thënë një burim për median.

Mirëpo, pas takimit me serbët e Kosovës në veri të vendit, emisari i BE-së për dialog, MiroslavLajçaknuk është deklaruar për mundësinë që pala e Kosovës ta shtyjë zbatimin e masës së reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet.

Nga Mitrovica, Lajçak tha se ka shumë spekulime për zhvillimet e fundit, por sipas tij janë disa opsione rreth kësaj çështjeje për të cilat nuk mund të flasë në detaje.

I pyetur se a janë ato opsione të mira, ai tha se “Do ta shohim së shpejti”.

Kujtojmë që gjatë dy ditëve të fundit në Kosovë pati agjendë të ngjeshur takimesh e vizitash të ndërkombëtarëve, ku pjesë e këtij misioni të MiroslavLajçakut qe edhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lidhur me mundësinë e shtyrjes së vendimit të reciprocitetit dhe ndikimit të tij në vazhdimësinë e zhvillimeve për “Bota sot” folën analistët politikë, Rexhep Shahu dhe FatonMehmeti.

Shahu: Çdo veprim a vendim në kundërshtim me kërkesat zyrtare amerikane është aventurë në dëm të Kosovës

Image
Rexhep Shahu

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Kosova është e ‘pafuqishme’ përballë kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Qeveria e Kosovës as ka patur as ka fuqi të veprojë e të vendosë ndonjë gjë në kundërshtim me kërkesat e Amerikës, aleates e garantueses së lirisë e pavarësisë së Kosovës”, deklaroi analisti.

Sipas tij, çdo vendim në kundërshtim me kërkesat zyrtare amerikane është aventurë në dëm të Kosovës.

“Asnjëherë nuk ka fuqi të dalë në kundërshtim me interesat apo kërkesat e Amerikës. Çdo veprim a vendim në kundërshtim me kërkesat zyrtare amerikane është aventurë në dëm të Kosovës”, theksoi Shahu.

Krahas kësaj, analisti nuk e përjashtoi mundësinë e shtyrjes së reciprocitetit, nëse një gjë të tillë e kërkon Amerika.

“Në dialog e pajtim me zyrtarët amerikanë mund të merret çdo vendim, në kundërshtim me kërkesat zyrtare amerikane askush nuk duhet ta bëjë cubin në Kosovë. Kështu mendoj unë”, përfundoi Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Mehmeti: S’ka arsye dhe as kuptim të shtyhet vendimi për reciprocitet për asnjë minutë të vetëm

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti nuk e sheh të arsyeshëm shtyrjen e reciprocitetit.

Kjo pasi, ai tha se njëherë u shty vendimi për reciprocitet, megjithatë asgjë nuk ndryshoi.

“S’ka arsye dhe as kuptim të shtyhet vendimi për reciprocitet për asnjë minutë të vetëm. U shty një herë për një muaj dhe ja ku jemi, asgjë s’ka ndryshuar dhe as nuk pritet të ndryshojë”, vlerësoi analisti.

Më tej, Mehmeti paralajmëroi se në rast të shtyrjes së reciprocitetit, atëherë Serbia do t’i shtojë edhe më shumë kërcënimet dhe provokimet.

“Serbia është e njëjtë, nuk ndryshon, përkundrazi ajo vetëm sa do të shtojë kërcënimet ndaj Kosovës. Për më tepër edhe mund të konsolidojë më tepër strukturat serbe në veri duke sjell edhe kriminelë nga Serbia për ta provokuar situatën”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti kërkoi nga qeveria Kurti që të mos e shtyje vendimin për asnjë moment, pasi Serbia e njeh vetëm gjuhën e forcës.

“Nuk më duket e arsyeshme mundësia për shtyrje, qeveria nuk duhet asnjë minutë më shty vendimin e saj, vetëm gjuha e vendosshmërisë dhe forcës është ajo qe e njeh Serbia, gjuhë tjetër nuk njeh, koha e ka vërtetuar një gjë të tillë”, përmbylli FatonMehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat