Paralajmëruan rrëzimin e Kurtit, por Lama tregon pse opozita s’është e interesuar për zgjedhje të reja

Politika

Paralajmëruan rrëzimin e Kurtit, por Lama tregon pse opozita s’është e interesuar për zgjedhje të reja

Nga: A.ZH Më: 27 gusht 2022 Në ora: 19:57
Alma Lama

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Alma Lama, ka thënë se opozita në Kosovë nuk është e interesuar për zgjedhje të reja aktualisht.

Duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Lama ka thënë se sondazhet aktuale tregojnë se partitë opozitare, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve, do të dilnin sërish humbëse dhe se kjo është arsyeja kryesore pse Qeveria e Albin Kurtit ndihet komode.

“Qeveria Kurti ndihet shumë komode sa i përket presionit opozitar dhe ka disa arsye. Arsyeja kryesore është se asnjë nga partitë opozitare nuk është e interesuar për zgjedhje aktualisht, pasi sondazhet tregojnë se do të dalin sërish humbëse, pavarësisht se rezultati mund të mos jetë ai i 14 shkurtit 2021. Që nuk janë të interesuar për zgjedhje e tregon edhe aksioni i dobët opozitar, ku thuajse nuk dëgjohen fare, rrinë nën hijen e qeverisë për temat madhore, ndërkohë bëjnë sikur debatojnë në parlament, sa për të sy e faqe në raport me votuesit e tyre”, është shprehur Alma Lama.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, përmend disa strategji, si arsye për mos interesim të opozitës për aksione.

“Besoj se në këtë mosinteresim për zgjedhje ka disa strategji. Së pari LDK dhe PDK, që kanë liderë të rinj të zgjedhur pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, më shumë janë të interesuar të forcojnë pozitat e tyre brenda partive respektive se sa për të shkuar në zgjedhje. Pastaj, unë shoh se ka një taktikë për ta lënë qeverinë Kurti të vazhdojë të dëshmojë paaftësi në qeverisje, dhe në këtë mënyrë të zhgënjejë votuesit që i dhanë fitoren e madhe, duke e cilësuar si qeveri e shpresës, dhe për hir të së vërtetës kjo po ndodh”, ka thënë më tej ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Si arsye tjetër, ajo ka përmendur edhe dialogun me Serbinë, për të cilin ka thënë se opozita pret çka do të bëjë kryeministri Kurti.

“Një arsye tjetër besoj që partitë kryesore opozitare nuk duan zgjedhje tani, është dialogu me Serbinë. Ata presin që të shohin se çfarë do të bëjë Kurti si kundërshtar i madh i dialogut në të shkuarën, dhe tani për tani nuk janë të interesuar ta marrin në dorë pataten e nxehtë. Kryeministri i di këto, prandaj ndihet komod dhe i lejon vetes edhe të tallet me opozitën here pas here, dhe t’i shpërfillë dhe injorojë sa herë të dojë”, ka theksuar Lama për “Bota sot”.

Deklarata e Lamës vjen pasi nga nga kampi i LDK-së kanë paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti 2, në vjeshtë./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat