Fitorja e Kurtit përballë Vuçiqit/ Ja si dështuan Thaçi e Haradinaj ndaj Serbisë!

Politika

Fitorja e Kurtit përballë Vuçiqit/ Ja si dështuan Thaçi e Haradinaj ndaj Serbisë!

Nga: A.M. Më: 29 gusht 2022 Në ora: 20:25
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Ditë më parë, Kosova dhe Serbia ranë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve.

Kjo marrëveshje u cilësua shumë pozitive për stabilizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe një hap afër marrëveshjes finale.

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit.

Fillimisht, pavarësisht kritikave që janë bërë ndaj kryeministrit Kurti për këtë marrëveshje, profesori e vlerësoi këtë si një hap të madh për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Image
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

“Marrëveshja ose më mirë t’i themi “Marrëveshja për zbatimin e marrëveshjes” që u arrit këto ditë sa i përket lëvizjes së lirë me dokumente shtetërore të të dy vendeve, Kosovës e Serbisë, është një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve dhe prelude i marrëveshjes përfundimtare.

Kam parë reagime të shumta, kryesisht konfirmuese e pohuese, por edhe kritika dhe madje akuza kundër qeverisë Kurti. Edhe ambasadori Richard Grenell i kujtoi Albin Kurtit se “ka arritur një marrëveshje të nënshkruar nga Hashim Thaçi në vitin 2011”! Ndërsa këta të opozitës e përsërisin vazhdimisht këtë fakt.

Po është e vërtetë. Marrëveshja për dokumentet është arritur para 11 vitesh. Por askush nuk tentoi ta zbatojë atë. Kishin frikë se mos zemërohet Serbia! Kishin frikë se mos e pësonin nga zemërimi i saj. Dhe frika e kishte burimin te fakti se ishin të kapur interlokutorët kryesorë para Albin Kurtit. Liderët politikë të Kosovës, sidomos ish kryeministri dhe ish-presidenti Thaçi, asnjëherë nuk tentuan të bënin presion për zbatimin e asaj marrëveshjeje”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Bytyçi vlerëson se marrëveshja e dokumenteve erdhi për shkak të presionit të qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës. Ai madje përmendi dhe disa përparësi të qeverisë Kurti.

“Ndërkaq kryeministri Kurti e ka nis presionin ndaj Serbisë që në takimin e parë me Vuçiq, kur i kërkoi nënshkrimin më së pari të një marrëveshjeje paqeje midis të dy vendeve. Shumëkush atëherë e akuzoi Kurtin se „po bën shou“, se “kjo marrëveshje paqeje nuk paska kuptim“! Ndërkohë ngjarjet e mëvonshme dëshmuan se ajo marrëveshje paska qenë e domosdoshme. Të gjithë e dimë se Kurti për herë të parë nuk lejoi të votohej për referendumin serb e për zgjedhje elektorale të Serbisë në territorin e Kosovës. Dhe nuk u tërhoq, pavarësisht presioneve të shumta edhe të komunitetit ndërkombëtar,
 

Edhe marrëveshja e dokumenteve erdhi për shkak të presionit të qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës. Përparësia e qeverisjes së sotme në Kosovë lidhet me dy elementë: Faktin se është qeveri dhe janë institucione të pakorruptuar, prat ë pakapura. Dhe së dyti fakti se ka një koordinim të shkëlqyer midis tri institucioneve, qeverisë, presidentes Osmani dhe kuvendit. Më parë klasa politike në Kosovë ishte e përçarë, madje dhe ajo pjesë e saj që ishte në mazhorancë. Ne e dimë konfliktin e madh të kryeministrit Haradinaj me ish-presidentin Thaçi për shkak të kufijve. Përçarja shkoi në dobi të Beogradit dhe miqve të tij në Tiranë, Republikën Srpska e gjetkë”, theksoi profesori.

Më tej, ai paralajmëroi se marrëveshja finale mes Prishtinës dhe Beogradit është shumë afër, por para kësaj do të arrihet edhe marrëveshja për targat.

Bytyçi u shpreh se vetëm në këtë mënyrë konsitutohet shteti.

“Me këtë marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes së lëvizjes me dokumente të identifikimit të Kosovës, afrohet zgjidhja përfundimtare e konfliktit. Por para kësaj do të vijë marrëveshja për përdorimin e targave RKS edhe nga serbët e Kosovës. Ato 10 mijë automjete në pronësi të serbëve lokalë në Kosovë, të cilat sot kanë targa të paligjshme, brenda dy muajve do të regjistrohen me targa të RKS-së. Kjo do të thotë se ligji institucional do të zbatohet edhe në këtë rast në të gjithë Kosovësn, ashtu si do të zbatohet marrëveshja për energjinë dhe kjo energji e konsumjar nga serbët në very do të paguhet në arkën e shtetit të Kosovës.

Kështu konstituohet shteti. Nuk bëhet shteti me shëtitje me lejen e Serbisë në Liqenin e Ujmanit, as me spektakle të arrestimit të politikanëve serbë, siç ndodhi me Gjuriq. Shteti bëhet, duke i detyruar shtetasit, pavarësisht etnisë e besimit për të paguar taksat dhe për të respektuar ligjet dhe kushtetutën e vendit. Në këtë pikëpamje qeveria e sotma ka bërë më të mirën e mundshme. Thjesht për shkak të këmbngulësisë dhe vendosmërisë së saj në parimet shtetërore”, potencoi Bytyçi.

Ndër të tjera, profesori tha se qeveria Kurti e ka mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë.

Ai shtoi se beson se edhe marrëveshja përfundimtare do të jetë bazuar në të drejtën dhe detyrimin që qeveria, presidentja dhe institucionet kanë ndaj qytetarëve të Kosovës!

“E di se do më thonë “fans i Albin Kurtit”! Por sa kohë që politika realizon opsionet që kam lansuar vazhdimisht në medie, kjo politikë do ta ketë mbështetjen time edhe si politolog e analist e zhvillimeve në rajon e në Kosovë. Nuk jam nga ata që i kursej politikanët prej kritikave. Por kur në thelbin e gjësë veprohet bazuar në interesin nacional, atëherë duhet mbështetje. Kësisoj do të mbështes edhe një marrëveshje me njohje reciproke, e cila nuk cënon territorin dhe shtetësinë. Unë jam idhtar i të dyja këtyre elementëve. Territori e popullsia, banorët që e jetojnë atë territor, janë dy elementët pa të cilët nuk ekziston as sshteti. Vuçiq dhe Rama janë marrë vesh që të zhbëhet shteti. Por Kurti u aka thye arrat në prehër! Prandaj Kurti meriton respeket. Po ashtu presidentja Osmani, e cila nuk është më pak e vendosur në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial.

Besoj shumë se edhe marrëveshja përfundimtare do të jetë bazuar në të drejtën dhe detyrimin që qeveria, presidentja dhe institucionet kanë ndaj qytetarëve të Kosovës”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat