Me vetura me alarme të Qeverisë së Kosovës, Elezi zbulon çka bëri Radojiçiq në Çagllavicë gjatë korrikut

Politika

Me vetura me alarme të Qeverisë së Kosovës, Elezi zbulon çka bëri Radojiçiq në Çagllavicë gjatë korrikut

Nga: A.ZH Më: 31 gusht 2022 Në ora: 10:49
Milan Radojiçiq

Eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, ka kritikuar institucionet e zbatimit të ligjit, se nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete për arrestimin e kriminelëve serbë, të cilët veprojnë në veri të Kosovës.

Elezi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka pasur përpjekje serioze për arrestimin e kriminelit Milan Radojiçiq, i cili sipas Lista Serbe, me 31 korrik është shëtitur lirshëm rrugëve të barrikaduara nga serbët në Mitrovicë.

Sipas tij, Radojiçiq me vetura me alarme të Qeverisë së Kosovës, ka lëvizur edhe në qytete të tjera të Kosovës.

“Institucionet e zbatimit të ligjit si: AKI, Policia, Prokuroria dhe Gjykatat e Republikës së Kosovës, nuk kanë bërë veprime konkrete për arrestime të kriminelëve serbë në veriun e Mitrovicës, gjithashtu nuk ka pasur përpjekje serioze edhe për arrestimin e kriminelit Milan Radojiçiq, madje ka dyshime serioze se Milan Radojiçiq ka lëvizur jo vetëm në veri të Mitrovicës, por edhe në disa qytete tjera të Republikës së Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet se poashtu ka dyshime që Milan Radojiçiq ka kontakte permanente me ministria të Qeverisë së Kosovës, dhe gjithashtu ka përdorur edhe veturat me alarme të Qeverisë së Kosovës për të shkuar në një takim në Çagllavicë në fund të muajit korrik 2022”, ka theksuar Bedri Elezi.

Ai ka ngritur alarmin se në stafin e ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, veprojnë agjentë të inflirtuar të BIA-s serbe dhe se të njëjtët kanë qasje në të dhëna të rëndësishme në institucione të Kosovës.

“Në Qeverinë e Kosovës, përkatësisht në stafin e ministrave serbë, kemi agjentë të BIA-s, të cilët dyshohet se ka krijuar burime në disa institucione të rëndësishme të Republikës së Kosovës. Poashtu në kuadër të Policisë së Kosovës dyshohet se kemi të infiltruar agjentë të BIA-së serbe dhe të njëjtit mund të kenë qasje në të dhëna të rëndësishme, gjithashtu t’i mundësojnë shërbime kriminelëve serbë, si Milan Radojiçiq, njëherësh t’i vendosin në shërbim edhe pronat e institucioneve të Kosovës për veprimet e tyre kriminale”, është shprehur eksperti i sigurisë për “Bota sot”.

Milan Radojiçiq, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të akuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës se është i inkriminuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, së fundmi është parë në një takim në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

I kërkuari nga autoritetet e Kosovës, kohëve të fundit ka sfiduar disa herë shtetin e Kosovës.

Ai javë më parë postoi një video në Youtube, në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”. Ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zmbrapset më./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat