Kurti paralajmëroi ndërrime në Qeveri, cilët ministra rrezikojnë të mbesin pa pozitë?!

Politika

Kurti paralajmëroi ndërrime në Qeveri, cilët ministra rrezikojnë të mbesin pa pozitë?!

Hava Orana Nga Hava Orana Më 1 shtator 2022 Në ora: 15:31
Qeveria e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka pasur disa porosi për ministrat e deputetët e VV-së.

Kurti ka thënë se ata që nuk punojnë e nuk janë në shërbim të popullit edhe mund të ndërrohen, përkatësisht mund të mos futen në lista të zgjedhjeve të ardhshme.

"Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer dhe jo për të sunduar. Ministrat dhe zëvendësministrat në qeverinë e Republikës së Kosovës nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize. E shoqëruar me vendosmërinë të cilën e kemi pasur përherë.

Ministrat, zëvendësministrat dhe i gjithë stafi politik e dinë që do të mund të ketë ndryshime dhe do të vlerësohen. Nuk do të merren për bazë influencat mediale të njërit apo tjetrit, por do merren për bazë në vlerësim rezultatet e punës", ka thene Kurti.

Mehmeti: Ministrat që çalojnë ndërrohen, kjo ndodh në ҫdo qeveri pragamatike

Image
Faton Mehmeti

 

Lidhur me këtë qasje të Kryeministrit Albin Kurti, kanë folur njohësit çështjeve politike.

Kështu, Faton Mehmeti thotë se qortimet e kryeministrit Kurti janë të qëlluara, ato paralajmërojnë ndryshimet të cilat pritën të ndodhin.

Ri formatimet janë të duhura, japin freski dhe sjellin energji pozitive. Ministrat që çalojnë ndërrohen, kjo ndodh në çdo qeveri pragamatike me synime për të qeverisur vendin edhe përtej mandatit të parë”, vlerëson Mehmeti.

Ai thotë se Kurti po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, synon të ketë rezultatet sa më të mira në mënyrë që të fitojë bindshëm.

“Ministrat që janë me performancë më të dobët, për mendimin tim janë: Ministrja e Arsimit, Kulturës, ajo e Kthimit, si dhe zv. kryeministri Bislimi. Kurti s’duhet të ketë mëshirë tek asnjë ministër nëse nuk tregon rezultate”, vlerëson ai.

Mulliqi: Kjo qeveri ka nevojën për ri-formatim në disa resore

Image
Skënder Mulliqi

 

Po ashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Skender Mulliqi thotë se nga praktikat e kaluara e qeverisjes më vendin, kemi pasur rastin të shohim dhe të dëgjojmë për shumë afera korruptive të disa zyrtarëve të lartë të shtetit.

“Edhe pse ata u përballën në gjykata, dhe të cilët i shpëtuan ligjit, në vend që të ndëshkohen u kthyen në vendet e tyre të mëparshme të punës. Kjo praktikë e keqe e qeverisjes nuk duhet të vazhdohet nga Qeveria e Kurtit. Porositë që i dha kryeministri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV për deputetët dhe ministrat të cilët nuk e kryejnë detyrën ashtu si duhet, mund të ndërrohen, është qasje koherente dhe është porosi serioze se nuk do të kursehet askush. Unë mendoj, se edhe kjo qeveri ka nevojën për ri formatim në disa resore”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë se, ka njerëz të përgatitur dhe me përvojë, të cilët do të kishin qenë në nivel të duhur. Nuk mund të paragjykojmë së cilët mund të ndërrohen, se kjo është punë e kryeministrit dhe qeverisë të vendit për të dhënë vlerësimin.

“Ata të cilët nuk tregohen të suksesshëm apo që abuzojnë pozitën shoqërore dhe politike, jo vetëm që duhet të largohen, por duhet edhe të përgjigjen para organeve përkatëse. Mjaftë gjatë ka shkuar që vendi është katandisur në krim dhe korrupsion të niveleve të larta, dhe ndëshkime për abuzime pak ose nuk kemi pasur. Ata të cilët nuk i përmbushin obligimet e qytetarëve, nuk ishte dashur tu vazhdohet mandati. E kam thënë edhe në disa shkrime më parë së Kuvendi i Kosovës është shndërruar në arenë cirku, nga deputetët të partive të ndryshme politike, të cilët thuajse janë parapaguar që ta ushtrojnë përgjithmonë postin e kuvendarit, pa dhënë kontributin e duhur për çka janë edhe të thirrur”, thekson ai.

Mulliqi thotë se, Kryeministri Kurti ka dhënë një paralajmërim për ndryshime në  Qeveri apo edhe poste të tjera, dhe kjo nuk është çudi edhe të ndodhë pa vonuar shumë.

“Kjo është e shëndetshme për demokracinë, dhe për secilin që mendon se politika është vendi më i përshtatshëm për tu pasuruar, siç edhe ka qenë praktikë e deritashme. Kosova dhe populli i saj mjaftë kanë vuajtur nga keqpërdorimet dhe nga jeta e keqe, pikërisht për shkak të njerëzve të papërgjegjshëm që i patëm, e ende kemi të tillë në politik bërjen, më të lartë”, thotë analisti Skender Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat