Mesazhi i Gjermanisë dhe Francës për liberalizimin/ Flet eksperti: Ja çfarë tregon kjo për Kosovën

Politika

Mesazhi i Gjermanisë dhe Francës për liberalizimin/ Flet eksperti: Ja çfarë tregon kjo për Kosovën

Nga: P.R Më: 16 shtator 2022 Në ora: 21:07
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Potsdam të Gjermanisë, ka takuar kancelarin gjerman Scholz, me të cilin ka diskutuar për t’i dhënë shtytje finale procesit të liberalizimit të vizave

Gjermania, Franca dhe Polonia në një deklaratë zyrtare kanë bërë thirrje për progres në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbi sise.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratën e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në Twitter, thotë se e ka mirëpritur riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“E mirëpres riafirmimin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkushtimin e qartë për zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal nga Ministrat për Çështje Evropiane të Trekëndëshit të Weimarit”.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, kjo deklaratë dëshmon së Kosova i ka kryet të gjitha detyrat e saj për liberalizim vizash.

Image
Drizan Shala

“Sa i përket deklarimit zyrtar nga treshja Francë, Gjermani dhe Poloni për liberalizimin e vizave për Kosovën, duhet të përshëndetet edhe pse nuk është qëndrim zyrtar i komisionit Evropian. Një nismë e tillë deklarative është tregues që institucionet e Kosovës kanë përfunduar gjithat detyrat e parashtruara në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova në arenën ndërkombëtare rangohet shumë më mirë se shume vende të rajonit, të cilat tashmë lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen.

“Në raportet zyrtare nga mekanizmat ndërkombëtar, Kosova rangohet shumë ma mirë se sa vendet e rajonit që kanë liberalizim të vizave deri më tani. Policia e Kosovës i ka përmbushë gjithat veprimet taktike, operacionale dhe strategjike në luftën kundër krimit në te gjithat instancat shtetërore”, thekson eksperti Shala.

Për fund, ai thotë se liberalizmi i vizave nuk mund të ndodhë para pranverës së vitit të ardhshëm, pra vitit 2023.

“Në aspektin teknik mbetet të shihet se cilat do të jene kërkesat eventuale të cilat duhet t’i përmbush Kosova. Sa i përket afateve për liberalizim mund të themi që kjo nuk ndodh para paraverës 2023”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Kujtojmë se edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Potsdam të Gjermanisë, ka takuar kancelarin gjerman Scholz, me të cilin ka diskutuar për t’i dhënë shtytje finale procesit të liberalizimit të vizave.

“Sot në Potsdam, diskutim me Kancelarin Scholz, për t’i dhënë shtytjen finale procesit të liberalizimit të vizave. Rikonfirmova përkushtimin tonë të plotë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë si dhe për koordinim të ngushtë me aleatët sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë dhe për miqësinë të cilën ne do të vazhdojmë ta forcojmë”, shkroi presidentja Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat