Kosova dhe Shqipëria në rrezik nga ndikimet e investimet ruse / Ky shqiptar është kryepersonazhi prorus!

Politika

Kosova dhe Shqipëria në rrezik nga ndikimet e investimet ruse / Ky shqiptar është kryepersonazhi prorus!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 shtator 2022 Në ora: 08:05
Ilustrim

Dihet se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë cak i Rusisë së Putinit.

Ndër vite është investuar nga Rusia për shtrirjen e ndikimit të saj në këtë rajon, përmes formave të ndryshme dhe madje me investime marramendëse parashë.

Së fundi, një shkrim i publikuar në BBC, tronditi politikën shqiptare.

Një zyrtar i lartë i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, publikoi një pjesë të raportit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, ku thuhej se, që nga viti 2014, Rusia ka paguar më shumë se 300 milionë dollarë për partitë politike, zyrtarët dhe politikanët, në më shumë se njëzet vende të botës - si pjesë e përpjekjeve të Moskës për të fituar ndikim jashtë vendit.

E në këto vende përmendi edhe investimet që ndodhën në Shqipëri.

Kjo trazoi politikën, ku edhe më tej u forcuan dyshimet se ka politikanë të caktuar që bashkëpunojnë dhe u shërbejnë rusëve.

Zogaj: Në ditët e para të pasluftës Rusia e ka instaluar në Kosovë rrjetin e shërbimeve inteligjente, që ende vepron me shumë sukses

Image
Skënder Zogaj

Opinionisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi financimet ruse në Shqipëri dhe në rajon të Ballkanit.

Fillimisht, ai përmendi faktin se si Rusia i ka instaluar forcat e veta ushtarake në Aeroportin e Kosovës dhe rreth tij, dhe për disa vite ka kryer detyrat operacionale afatgjate.

“Kur NATO-ja ka marrë vendim që t'i sulmojë nga ajri forcat dhe bazat ushtarake serbe në Kosovë, Rusia i ka instaluar forcat e veta ushtarake në Aeroportin e Kosovës dhe rreth tij, dhe për disa vite ka kryer detyrat operacionale afatgjate strategjike për vazhdimin e luftës speciale, që dihet se është njësoj e rëndësishme (bilës shumë më e rëndësishme), se sa invadimi ushtarak”, deklaroi opinionisti.

Më tej, Zogaj tha se është shqetësues numri i pjesëtarëve të shërbimeve serbo-ruse në Kosovë dhe Shqipëri.

“Pra, që në ditët e para të pasluftës Rusia e ka instaluar në Kosovë rrjetin e shërbimeve të ndryshme inteligjente, të cilat atëherë e sot veprojnë me shumë sukses. Nëse bazohemi në të dhënat se, në Kosovë veprojnë rreth 700 pjesëtarë të shërbimit inteligjente serbo-rus, atëherë dalin krejtësisht të shpjeguara gjendjet e krizës së vazhdueshme në Kosovë e në Shqipëri, që janë, por assesi nuk po mund ta marrin veten për tu bërë pjesë e botës së përparuar”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, opinionisti vlerësoi se bashkëpunimet e fshehta të shqiptarëve më rusët janë pjesë e aleancave antikombëtare.

Sipas tij, udhëheqësi i tyre është Edi Rama, që nuk e fsheh fare veprimtarinë e tij.

“Ngecja nuk do të mund të ishte e këtillë po të mos ishin bashkëpunimet e fshehta të shqiptarëve që, për interesa përfituese të grupeve të inkriminuara, janë bërë pre e aleancave antikombëtare. Kryearmiqtë më të përbetuar të Shqipërisë janë Rusia dhe Sorrosi, të cilët tashmë janë legalë në Shqipëri, ku Edi Rama është përfaqësuesi i tyre, më shumë se përfaqësues i shqiptarëve. Edi Rama është i hapur, nuk është duke e fshehur veprimtarinë e tij, është tashmë kryepersonazhi prorus dhe i destruktiviteteve të shumta politike e diplomatike”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Qarri: Paratë ruse, mund të supozohet shumë lehtë, se i janë dhënë pa kursim edhe Edi Ramës

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri në prononcimin e tij dhënë “Bota sot” thotë se, Rama për një kohë të gjatë, me sjelljen e tij në raport me Kosovën, është bërë “pyka” më e rrezikshme e përçarjes më të madhe ndër-shqiptare.

“Paratë ruse, mund të supozohet shumë lehtë, se i janë dhënë pa kursim edhe Edi Ramës, për të cilin, zbuluesit amerikanë të shtrirjes së financimit rus, duhet ta thonë fjalën përfundimtare, përderisa Rama ka kohë që me sjellje dhe qëndrim, veçanërisht në raport me Kosovën, është bërë “pyka” më e rrezikshme e përçarjes më të madhe ndër-shqiptare, si dhe më "anti-Kosovë" se vet rusët dhe serbët.

Madje vet fakti, se ai për ta kamufluar dhe hequr nga interesimi i medias dhe opinionit të gjerë veten e tij, deklaron para kamerave se financimet ruse, janë fakte vetëm në PD, ky akt bizar nuk mund të besohet symbyllas, pa një investigim të thellë dhe hulumtim të sinqertë të gjithë rastit të financimit rus të kuadrove dhe politikanëve në Evropë dhe Ballkan”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Qarri konsideroi se niveli i korrupsionit dhe i krimit të organizuar është në nivel shumë të lartë, ku droga dhe narkotikët janë mjeti kryesor i tregtimit të zi.

“Nisur nga ajo që shohim vet ne, rreth zhvillimeve të përditshme në Shqipëri, është fakt se udhëheqësit aktualë dhe ish udhëheqësit shtetërorë e ata të partive politike, në vijimësi përfliten për involvim të thellë në korrupsion dhe krim të organizuar, ku grupet mafioze, për 30 vite me radhë, veprojnë, pothuajse tërësisht lirshëm, si në asnjë vend tjetër në Evropë e veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku droga dhe narkotikët janë mjeti kryesor i tregtimit të zi.

Kjo dëshmohet edhe me faktin se nga Shqipëria dhe nëpër Shqipëri, jo rrallë heroina, kokaina, kanabisi etj, kalon edhe me kamionë nëpër kufij, pa u "hetuar" fare, nga dogana dhe policia”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai përmendi disa nga rastet më të mëdha të kontrabandimit të drogës ndër vite në Shqipëri.

“Një rast i tillë, u publikua nga media më 20 shkurt të vitit 2020, kur kamioni me 1.3 ton drogë, nga Italia, futet pa asnjë problem në pikën kufitare të Hanit të Hotit, përshkon gati gjithë Shqipërinë për së gjati, kalon në Qafë Thanë, pa therrë në këmbë, dhe kapet në afërsi të Shkupit, por nga krejt ajo sasi, thuhet se u gjet vetëm një kilogram kokainë me një sinjalizues të llojit GPS, brenda, përmes të cilit, dyshohet se kontrollohej itinerari i kamionit nga mafia dhe jo nga shteti shqiptar i udhëhequr nga “rilindësi” i gjithëdijshëm Edi Rama.

Një kamion tjetër i ardhur nga Durrësi, me 17 maj të vitit të kaluar, u fut në Kosovë me 400 kilogram heroinë, dhe ai u kap në afërsi të Lipjanit”, shpjegoi Qarri.

Më tej, analisti tha se të gjitha këto raste dëshmojnë se droga dhe krimi i organizuar, nuk mund të lulëzojnë kaq lirshëm, në asnjë shtet, pa qenë i udhëhequr nga politikanë të blerë me para.

“Sikur mos të mjaftonin vetëm këto, nga shteti i "rilindjes" së Edi Ramës, një kamion tjetër me targa shqiptare, që zyrtarisht, bën transportin e "bimëve të thata", në mesin e janarit të këtij viti, kaloi pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe u sekuestrua në Mal të Zi, i ngarkuar me narkotikë të llojit kanabis, në pikën kufitare në Bozhaj.

Të gjitha këto dëshmojnë katërçipërisht, se droga dhe krimi i organizuar, nuk mund të lulëzojnë, zhvillohen dhe qarkullojnë kaq lirshëm, në asnjë shtet, pa qenë i udhëhequr nga politikanë të blerë me para, të korruptuar dhe të përfshirë edhe vet në rrjete të dyshimta, të krimit të organizuar”, potencoi ai.

Në fund, Qarri tha se Rama është një politikan i blerë ku bazuar edhe në takimet e tij me ministrin Sergej Lavrov, ai duket të ketë pasur vërtetë bashkëpunim të gjatë.

“Politikanë të tillë janë pre shumë e lehtë për blerje me para, edhe nga shtete dhe agjenci konspirative të vendeve të huaja, si Rusia, Serbia etj, me të cilat, të gjithë ne jemi dëshmitarë, se Edvin Kristaq Rama, ka më tepër se vetëm marrëdhënie bilaterale, madje shumë të ngushta dhe deri personale, sidomos me Lavrovin dhe Aleksandër Vuçiqin.

Qëndrimet e tij, veçmas në raport me çështjen e Kosovës dhe atë shqiptare në përgjithësi, lënë të nënkuptohet lehtë, se ka shenja të qarta të ndikimit rus dhe serb tek ai, madje bazuar edhe ne takimet e Edi Ramës me Ministrin Sergej Lavrov, ai duket të ketë pasur vërtetë bashkëpunim të gjatë, përveç me serbët edhe me rusët, akte të cilat pas zbardhjes së fakteve më të reja mbi financimin rus të politikanëve dhe udhëheqësve shtetërorë e partiakë, në Evropë dhe Ballkan, nga agjencitë e zbulimit amerikan, mund të vërtetohen me vepra”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat