“Çfarë na duhet veriu i Mitrovicës”?, publicisti rrëfen takimin Thaçi-Veseli-Çela për ndarjen e Kosovës

Politika

“Çfarë na duhet veriu i Mitrovicës”?, publicisti rrëfen takimin Thaçi-Veseli-Çela për ndarjen e Kosovës

A.Zhushi Nga A.Zhushi Më 13 tetor 2022 Në ora: 14:14
Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka rrëfyer se si gazetari Baton Haxhiu, kishte shpalosur në një takim në jug të Mitrovicës, planin tre pikësh të ish-presidentit Hashim Thaçi. Sipas tij, në takimin ku kishin marrë pjesë edhe Raif Çela e Kadri Veseli, ishte thënë se "çfarë na duhet veriu i Mitrovicës, me dominim popullatën serbe"?

“Në një takim të organizuar, në jug të Mitrovicës, me disa qytetarë, paksa, të përgjedhur, në kohën kur Baton Haxhiu, shpalosi në emisionin "Pressing" të Leonard Kërçukut, planin e Hashim presidentit, të renditur në tri pika:

1) Veriu i Mitrovicës t`i lihet Serbisë;

2) Të zhbëhet Gjykata Speciale;

3) Të falën krimet reciproke dhe të bëhet pajtimi shqiptaro-serb!

Takimi në fjalë kryesohej nga ish i burgosuri politik dhe ish komandanti lokal i UÇK-së, Raif Çela. I pranishëm ishte edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Si asnjë herë më parë, u tha troç se "çfarë na duhet veriu i Mitrovicës, me dominim popullatën serbe"? Thjeshtë, në frymën e shefit të tij, Hashimit, se "Leposaviqin ia dhuroi Kosovës, ministri i Brendshëm namkeq, Rankoviq, atë pjesë dhe nuk bëhet nami, nëse i kthehet, sërishmi, Serbisë!"”, ka thënë publicisti Zeqiraj për gazetën “Bota sot”.

Ai ka akuzuar Francën se përmes Thaçit, përgatiti përzënien e dhunshme dhe të përgjakshme të 12 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre nga veriu i Kosovës.

Image
Idriz Zeqiraj

“Kur ndërmjetësimi për zgjidhje të problemeve të stisura, të shpikura artificialisht, siç janë pretendimet absurde, të Serbisë, bëhet nga miqtë e vjetër të saj, në rastin konkret nga Franca, dyshimi rritet dhe syçeltësia duhet shtuar. E themi këtë se pak më shumë se dy dekada, ishte pikërisht ky shtet, që nëpërmjet agjentit DGSE francez, Hashim Thaçit, përgaditi boshatisjen, përzënien e dhunshme dhe të përgjakshme të 12 mijë banorëve nga shtëpitë e tyre, në grup, për të vazhduar me largimet tjera individuale e familjare ndër vite. Ishte ky Hashim, në cilësinë e kryeministrit, i cili premtonte që "së afërmi do t`ju kthej në shtëpitë tuaja"”, është shprehur më tej analisti.

Ai ka përmendur edhe një plan të dytë Thaçi-Veseli, që lidhet me makro-kontrabandën me kriminelët e veriut të Mitrovicës.

Djallëzisht dhe poshtërsisht, përveç shkëputjes të veriut të Mitrovicës, të planifikuar nga Serbia dhe Franca, me veprimet faktike të kryeministrit Thaçi-Veseli, këta me komandantët kryesorë të Drenicës, Dukagjinit dhe Llapit, pa përjashtuar edhe zonat tjera, kishin edhe një plan të dytë: Bashkëpunimin në makro-kontrabandë me kriminelët e veriut të Mitrovicës. Kjo kontrabandë ishte një "e fshehtë publike", ngaqë bëhej me kamionë të tonazhit të mesëm dhe të madh, duke përshkuar, shpengueshëm, anepërtej Kosovën. Komandantët e gjithëpushtetshëm, pasi e kishin përgjakur Kosovën, me vrasjet politike, gjatë dhe pas luftës", tani, kishin të gjithë logjistikën e nevojshme, për ta zhvatur Kosovën, që nga uzurpimet private, shoqërore e shtetërore; privatizimet korruptive, hajnore; tenderimet abuzive; e deri ke kontrabanda massive”, ka thënë Idriz Zeqiraj.

Ai ka akuzuar se aleancan e partive të PAN-it kishte tendencë e plan konkret zgjerimin edhe tek një subjekt tjetër politik, që sipas tij edhe u realizua.

“Ishte Departamenti i Shtetit Amerikan (DASH), i cili kishte përcjellur e hetuar krimin e kontrabandës, që bënin kriminelët serbë, në Veriun e Kosovës, me disa komandantë kriminelë të Kosovës. Këta të fundit, ashtu siç i kishin të koordinuara bandat vrastare në Dukagjin, Drenicë, Llap e gjetkë, edhe bashkëpunimi koordinues në kontrabandë ishte i gatshëm për veprim. Madje, kjo aleancë e partive-banda të PAN-it, kishte tendencë e plan konkret, zgjerimin edhe tek një subjekt tjetër politik. Dhe, kjo u zbulua, kur një politikan i lartë ngulmoi dhe realizoi, pothuajse dhunshëm, postin e ministrit, edhe pse profesionalisht, nuk kishte asnjë lidhje me resorin në fjalë”.

Megjithatë, sipas Zeqirajt, klanet mafioze dhe subjektet e tyre politike u ndëshkuan më 14 shkurt 2021, kur zgjedhjet i fitoi Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

“Por, etërit kishin bijë. Dhe, në ndihmë të baballarëve, do të vinin djemtë, bollshëm të shkolluar dhe të shkathtë, për të menaxhuar terminalet. Këto veprime zbuluan edhe aleancat konspirative, të cilat ishin tej koalicioneve të hapura, parimisht të panatyrshme. Klanet mafioze po kundërmonin nga pisllëqet dhe skandali do ta dridhte klasën politike të Kosovës. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 ndëshkuan, jo vetëm klanet dhe subjektet politike të tyre”, ka potencuar analisti politik.

Ai vlerëson edhe ndidhën e SHBA-së për alarmimin e krimit dhe kontrabandës në veriun e Kosovës, me shpalljen e serbëve “non grata” dhe denoncimin e “komandantëve të Kosovës”.

“Një ndihmë konkrete për alarmin e krimit të kontrabandës, në veriun e Kosovës, kanë dhënë SHBA, kur shpallën - Non Grata - kryekriminelët Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq me vëllazëri e shokë. Dhe, duke denoncuar edhe komandantët e Kosovës, të cilët nëpërmes policëve dhe kuadrove doganorë, pjesë e bandave të tyre, të emëruar enkas, për logjistikën e kontrabandës, vazhdonin prej vitësh të bashkëpunonin me kriminelët serbë, të kalaveshuar me poste partiake e pushtetare.

Komandantët shqipfolës ishin të vetëdijshëm se, me këtë bashkëpunim, përfitues material dy palësh, të pistë dhe kriminal, njëherësh, po favorizonin Serbinë, për ta thelluar, madje, gadi ligjësuar, ndarjen e veriut të Mitrovicës. Çuditërisht, asfare nuk i pengonte "komandantët tanë" miqësia me kriminelët, rrjedhimisht, edhe me Serbinë, pavarësisht, krimeve të saj ndaj popullit të Kosovës. Shqiptarët habitën, madje edhe indinjohen, pse SHBA, nuk shtrinë ndëshkimin edhe për "komandantët tanë" kriminelë. Përkundër, dy qeveri të Kosovës, kurorëzuan nga Serbia, me dërgimin për votim të deputetëve të "Listës Serbe"!”, ka thënë Zeqiraj për “Bota sot”.

Sipas tij, Franca po e “matë pulsin” e shqiptarëve, duke u shfaqur “mendjehollë në rolin e saj pajtues”.

“Franca është mendjehollë në politikën e saj, qoftë edhe në rolin pajtues. Andaj, provon, matë pulsin, fundja, "sa ta hanë shqiptarët"! Gjithnjë e më shumë përforcohet bindja se pa Amerikën, vështirë të arrihet stopimi e fundimi i pretendimeve territoriale serbe”.

Ndërsa, nuk lë pa përmendur edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, që ishte kusht për liberalizimin e vizave.

"Termi rishtas i përmendur nga Vuçiq, - Demarkacioni -, demarkimi, përcaktimi ndërkufitar Kosovë-Serbi, është joshje nga Demarkacioni me Malin e Zi, kur Kosova humbi, lehtësisht e turpërisht, 8.200 hektarë tokë. Pushtetarët komplet të subjekteve politike, përjashto Lëvizjen Vetëvendosje, pranuan demarkimin fatal, duke braktisur kufirin klasik, Çakorr-Kullë dhe për maje bjeshkëve, e zbret vijën kufitare në kullotat dhe shpatet sipër fshatrave të Rugovës dhe Radavcit e Jabllanicës të Pejës!

Kjo zhvendosje e vijës kufitare, për motive sa të marrëzishme, aq edhe kriminale e tradhtare, u pranua në këmbim të liberalizimit të vizave, sikur shqiptarët të ishin - me by** në prush - dhe ikjet nëpër botë do t`i shpëtonin!”, përfundon për “Bota sot” Idriz Zeqiraj./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat