Kushtëzimi nga Franca/ A është kjo arsyeja e vërtetë pse nuk po liberalizohen vizat?

Politika

Kushtëzimi nga Franca/ A është kjo arsyeja e vërtetë pse nuk po liberalizohen vizat?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 tetor 2022 Në ora: 19:45
Vjosa Osmani dhe Emmanuel Macroni

Pas takimit të grupit punues dje në Bruksel, presidenca Çeke e Këshillit Evropian deklaroi se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën, ani pse Grupi punues i Këshillit të BE-së Grupi punues i Këshillit të BE-së rikonfirmoi edhe njëherë se Kosova i ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave.

E mediat në Kosovë raportuan se ishte pikërisht shteti i Francës, ai i cili e kushtëzoi liberalizimin me funksionalizimin e sistemit ETIAS.

Por zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, deklaroi se Franca nuk ka pasur vetëm një kërkesë, por ka kërkuar edhe harmonizimi i sistemit të vizave me atë të Bashkimit Evropian.

"Kushti kryesor është që liberalizmi të hyjë në fuqi kur BE fillon ta funksionalizojë sistemin ETIAS i cili përdoret për identifikimin apo regjistrimin e personave që udhëtojnë drejt BE nga ato vende të cilat e kanë marrë regjimin e lirë të vizave. Mirëpo duke qenë se ky është proces teknik, dhe nuk dihet data se kur mund të fillojë, edhe BE vetë është kundër kësaj meqë duket si kusht shtesë dhe ka një dakordim që nuk do të ketë kushte shtesë dhe nuk mund të lidhet një mendim politik me një kriter teknik i cili nuk dihet se kur mund të fillojë Elementi i dytë që është diskutuar ka të bëjë me harmonizimin e sistemit kosovar të vizave me të Bashkimi Evropian. Ka një sërë shtetesh të cilat e gëzojnë regjimin e lirë në Kosovë por që janë me regjim të vizave me BE. Ka një kërkesë nga Franca që Kosova ta harmonizojë këtë sistem me atë të BE-së, po flasin për 18 shtete sosh, por edhe ky qëndrim nuk është se ka marrë miratim apo aprovim për shkak se asnjë nga këto 18 shtete asnjëri prej tyre nuk është në mesin e 30 shteteve që kanë numrin më të madh të emigrantëve në BE dhe për shkak se një sistem, apo harmonizim i tillë nuk ekziston në vendet rreth Kosovës", deklaroi Bisnik Bislimi.

Duke komentuar zhvillimet e djeshme, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi thotë se liberalizimi i vizave është shtyrë së paku edhe për një vit.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën nga BE-ja si duket u bë për të paktën edhe një vit sepse ETIAS që është vënë kriter nga Franca dhe është përkrahur nga Suedia, Belgjika, Holanda dhe Spanja nuk do të filloj se zbatuari për të gjitha vendet që bëjnë pjesë në zonën shengen. Pra, haptazi shihet që është një kriter me qëllime politike për të tejzgjatur procesin e liberalizimit të vizave që të përdoret si kriter për qëllime të tjera”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, qëllimi është që Kosova të dërgohet në një konferencë ndërkombëtare, bashkë me Ukrainën.

“Këtu me patjetër ka gisht lobi serb dhe rus sepse që tani në Francë janë duke u mbajtur protesta të fuqishme kundër inflacionit dhe sanksioneve ndaj naftës dhe gazit rus, protesta këto që janë të organizuara nga ekstremi i djathtë. Qëllimi është që Kosova të dërgohet në një konferencë ndërkombëtare ku mund të diskutohet edhe çështja e Ukrainës dhe Rusisë, ku aty do të mund të përfitonte më shumë Serbia”, shprehet Kuçi.

Ai thotë se me vendimin e saj, Franca synon të përfitojë në krizën e naftës dhe gazit rus.

“Diplomacia e Francës që dikur e kundërshtonte hapjen e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për anëtarësim në BE, vetëm e vetëm që të rriste rëndësinë e saj në gjeopolitikën amerikane, rolin sot që po e bënë ndaj Kosovës është fortësim i qëndrimit kundër Kosovës dhe zbutje për sllavët që të mund të përfitojë nga ndonjë benefit për kalim më lehtë të krizës së naftës dhe gazit rus. Mirëpo politika e paqëtimit e tillë e Francës tani sikur që kishte bërë dikur ndaj Hitlerit, ishte një nga faktorët kryesorë për ngritjen dhe masakrat e nazizmit”, deklaron Kuçi.

“Fakti që Kosovës nuk iu dha përsëri liberalizimi i vizave e shton edhe mundësinë e skenarit që planet e disa vendeve të BE-së bashkë me sllavët janë ndryshe kundrejt atyre të SHBA-së dhe Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat