Ia mbylli sytë Kurtit në Berlin, a është ky mesazhi i Ramës!

Politika

Ia mbylli sytë Kurtit në Berlin, a është ky mesazhi i Ramës!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 tetor 2022 Në ora: 21:44
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Shqiperise, Edi Rama

Në Berlin gjatë kongresit të partive progresiste evropiane, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka suprizuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një videoje të publikuar në profilin e tij “Tik Tok”, Rama shihet duke ia zënë me duart sytë Kurtit.

Kjo situatë që dukej si “lojë fëmijësh”, kishte shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve, por edhe reagime të njerëzve pas plasimit.

Duke komentuar veprimin e kryeministrit Rama kundrej kryeministrit Kurti, analistët politikë thonë se gjesti i tij mund të përkthehet si mesazh “hapi sytë”.

Ilir Vata, analist politik ka thënë për “Bota sot”, se Rama si artist i arteve figurative dinë të luaj me figura, me veprimet dhe ato i përdor edhe në politikë.

Sipas tij, gjesti i Ramës ka qenë më shumë një zgjim nga gjumi, sesa një gjest për të tërhequr vëmendjen e treguar dashurinë mes tyre.

Gjesti i Ramës ndaj Kurti në Berlin, mund të përkthehet si mesazh, hap sytë..! Kështu duhet lexuar politikisht nga shqiptarët, politika në tërësi në rajon për faktin se kryeministri Edi Rama ka vizion të qartë perëndimor për të ardhmen e rajonit në tërësi, e në veçanti të Shqipërisë dhe Kosovës. Takimi i Ramës me Kurtin në Berlin vjen pas Asamblesë së Këshillit të Evropës, ku kryeministri i Shqipërisë kërkoi të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për një rezolutë të re për Kosovën. Takime me liderët e vendeve Evropiane, të ftuar në Kongresin e Partive Socialiste Evropiane ka një rëndësi të madhe jo vetëm për politikën në tërësi,  por dhe për të ardhmen e vetë rajonit të Ballkanit. Kryeministri Edi Rama si artist i arteve figurative dinë të luajë me figurat, me veprimet, dhe i përdor ato edhe në politikë. Mendoj se ka qenë një zgjim nga gjumi, sesa një gjest për të tërhequr vëmendjen e treguar dashurinë mes tyre”, ka pohuar Vata.

Image
Ilir Vata

Tutje, Vata ka shtuar se mes Kurtit dhe Ramës ka pasur një ftohje e zgjatur, mirëpo gjesti i fundit bëhet mes njerëzve të afërt, mes vëllezërve dhe shokëve kokë për kokë.

“E vërteta e madhe është se mes Kurti dhe Ramës ka pasur një ftohje që ka zgjatur, madje dhe ka dëmtuar politikën në Kosovë dhe më gjerë. Por kohët e fundit është parë një tjetër qasje, pas një përpjekje të fortë të Shqipërisë dhe kryeministri Rama në shërbim të Kosovës, në OKB, Këshillin e Sigurimit dhe së fundmi në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Ishte pikërisht thirrja e Edi Ramës në Këshillit të Evropës, që të rrëzojë akuzat kundër Kosovës, është një përpjekje kombëtare për të çuar në vend të vërtetën historike të popullit të Kosovës për liri. Një veprim i duhur, pa drojë kundër padrejtësive. Një thirrje e drejtë, që u pritë mirë në botë shqiptare dhe atë perëndimore, një kërcitëm politikë e guximshme. Takimi i Berlinit është brenda familjes së majtë politike evropiane, dhe gjesti i Ramës është krejt miqësor, një veprim që tregon vëllazëri. Ky veprim në Shqipëri bëhet mes njerëzve të afërt, mes vëllezërve dhe shokëve për kokë. Por Rama si artist, flet me enigma. E para mundet të jetë ajo që pyesni ju, tërheqja e vëmendjes, por mendoj se Rama përveç asaj tregon se mes tyre, gjërat kanë ndryshuar për mirë. Pas qëndrimit të Ramës kryesish kohët e fundit, shqiptarët po ndjekin më shumë Ramën, sesa Kurtin për çështjen kombëtare”, ka theksuar Vata.

Ndërsa, duke komentuar reagimin e kryeministrit Kurti pas veprimit të Ramës, analisti politik është shprehur se ai është treguar indiferent për një çështje jetësore për Kosovën, pra për akuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Për sa i përket përgjigjes së kryeministri të Kosovës Albin Kurti që u tregua indiferent në një çështje jetësor për Kosovën, siç është ajo e një akuze ndaj krerëve të UÇK është pak nihiliste për interesat e tij të politikës së Kosovës, por mendoj se parimisht kanë të njëjtin qëndrim me atë që tha Rama në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Rama dhe Kurti kanë qenë miq të ngushtë, dhe janë por pas ftohjes unë e shoh se frymë, një erë e ngrohtë në politikën e krerëve, Rama-Kurti dhe është rruga e duhur. Pikërisht këtë ka dashur të tregojë Rama, të zgjojë Kurtin në një çështje të përbashkët kombëtare dhe e bëri në mënyrën e tij, pre artisti tashmë edhe në politikë”, ka përfunduar Vata.

Ndryshe, gjesti i kryeministrit shqiptar nuk është pëlqyer aq shumë nga Vetëvendosje.

Njëri prej atyre që e ka komentuar këtë gjest, është edhe aktivisti nga Tirana, Boiken Abazi, ish-kandidat për deputet i VV-së në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Ai në komentin e tij thotë se këto veprime të Ramës ndaj Kurtit tregojnë se ai dëshiron ta kontrollojë politikisht kryeministrin kosovar, por sipas tij, meqë këtë nuk po arrin ta bëjë, tani po provon që ta bëjë fizikisht.

“Pas “përqafimit prej boksieri” dhe tërheqjes rrugës prej qafe, tani prekje edhe në stilin hapa-dollapa… Kaq shumë prekje me duar nuk ia ka bërë asnjë politikani tjetër nga Kosova. Thonë që ata që të prekin shumë e në mënyrë të tepruar, vend e pa vend, kanë dhe shumë dëshirë të të kontrollojnë. E ky, nga që s’e kontrollon dot me fjalë, duket qe e tenton fort me duar…”, ka shkruar Abazi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat