A do ta dëshmojnë shqiptarët e Luginës se janë mbi 150 mijë?! / Thirrje për regjistrim në Luginë

Politika

A do ta dëshmojnë shqiptarët e Luginës se janë mbi 150 mijë?! / Thirrje për regjistrim në Luginë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 tetor 2022 Në ora: 08:01
Lugina e Preshevës

Shqiptarët në Serbi jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc - komuna të njohura bashkërisht si Lugina e Preshevës.

Pas dy dekadash do të mund të dihet zyrtarisht për numrin e shqiptarëve të regjistruar në Serbi.

Edhe në Luginë të Preshevës më 1 tetor ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë në këtë vend dhe do të përfundojë më 31 të këtij muaji.

Këtë herë, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, që jetojnë kryesisht në pjesën jugore të Serbisë, u kanë bërë thirrje atyre që të regjistrohen.

Të drejtë regjistrimi kanë të gjithë shqiptarët, që kanë lindur atje dhe për momentin jetojnë jashtë kufijve të Serbisë.

Kjo trevë shqiptare, për shkak të represionit, shtypjes dhe diskriminimit të gjatë jeton kryesisht në diasporë.

Ata janë duke punuar ose jetuar në Gjermani, Zvicër, e gjithandej Europës.

Hasani: Kur kemi pasivizim adresha e diskriminim, ekziston mundësia e manipulimit edhe të regjistrimit

Image
Refik Hasani

 

Profesori Refik Hasani, që është nga Lugina, thotë për “Bota sot” se ka interesim të madh për regjistrim të popullsisë në Luginën e Preshevës.

Sipas tij, një numër i madh është edhe në diasporë e që duan të regjistrohen.

“Procesi i regjistrimit në Serbi i filluar më datën 1 Tetor, është duke u zhvilluar, në këtë regjistrim, ka vështirësi, sepse në komunën e Medvegjës janë 21 regjistrues të udhëhequr nga 4 instruktor, e vetëm 3 regjistrues shqiptarë.

ashtu në fshatin më të madh të Malësisë së Bujanocit në Zarbicë, regjistrimi ka filluar me vonesë prej 10 ditëve. Kurse në Preshevë ka mjaft regjistrues, dhe regjistrimi më mirë është duke shkuar, edhe pse numri është i madh që është në diasporë, e sigurisht duan të regjistrohen edhe kjo kategori.

Popullata në Krahinën Shqiptare që përfshin Medvegjën, Bujanocin e Preshevën, ka interesim të jashtëzakonshëm të marrë pjesë në këtë proces jetik të regjistrimit, dhe është e njoftuar lidhur me procesin e regjistrimit. Kurse për pjesëmarrjen e shqiptarëve që jetojnë në Vojvodinë e pjesët tjera të Serbisë, nuk kemi njohuri sikurse edhe për procesin e regjistrimit të shqiptarëve në rajonin e Sanxhakut”, thotë ai.

Derisa për rezultatin pret që të jetë me një pjesëmarrje të madhe duke e krahasuar me vitet paraprake kur shqiptarët edhe e kishin bojkotuar një proces të tillë.

Kur të mbaroj procesi më datën 31 tetor, presim të jetë me një pjesëmarrje të madhe, pasi siç që dihet mirëfilli se në vitin 2011, shqiptarët në krahinën shqiptare kanë bojkotuar regjistrimin, kurse në vitin 2002, regjistrimi i atij viti ishte me një pjesëmarrje simbolike, kurse në vitin 1991, regjistrimi i atij viti, ishte kur ngrehina artificiale e quajtur RSFJ-ja ishte në shpërbërje, pra nga kjo bie që vetëm regjistrimi para 4 dekadave në vitin 1981, ishte kur shqiptarët e kësaj krahine morën pjesë, dhe ishte afër realitetit dhe objektivitetit faktik.

Rreziku ekziston dhe është i pranishëm, nga kjo në një farë mënyre, thuhet se nuk po regjistrohem-pasi nuk regjistrohem në data bazë qendrore”, shprehet profesori.

Në fund, ai bënë thirrje për regjistrim masiv të shqiptarëve atje, por që shprehet se mund të ketë edhe manipulim dhe një pasqyrim jo real të këtij procesi.

“Shfrytëzoj rastin të bëj apel për regjistrim sa më masovik të shqiptarëve kudo që janë me punë e veprim, duke përfshirë edhe diasporën, por që janë të lindur në Serbi, të marrin pjesë në regjistrim.

Po, ashtu kërkoj që OSBE-ja dhe instanca të BE-së që janë në përcjellje, vëzhgim e monitorim të zgjedhjeve të monitorojnë të gjitha hapat, fazat dhe proceset e regjistrimit duke përfshirë edhe publikimin e tyre.

Me një fjalë po ka mundësi për manipulim dhe mos pasqyrim real të këtij procesi të regjistrimit, por kjo mund të shmanget vetëm falë OSBE-së dhe instancave të BE-së.

Në krahinën shqiptare, ku kemi një diskriminim më të madh në këtë pjesë të Evropës, kur kemi pasivizim të adresave dhe spastrim etnik në mënyrë institucionale, ekziston edhe mundësia e manipulimit edhe të këtij regjistrimi, prandaj duhet alarmuar instancat më të larta të BE-së”, përfundoi profesori Refik Hasani për “Bota sot”.

Duhanaj: Mund të kenë pengesa të qëllimta administrative dhe për këtë duhet të ngrihet zëri institucionalisht

Image
Leon Duhanaj

 

Analisti Leon Duhanaj thotë se në Luginë çështja e shqiptarëve është një plagë e hapur, duke thënë se Serbia atje po e bënë një spastrim etnik.

“Çështja e shqiptarëve në luginën e Preshevës, është një plagë e hapur, e cila për fat të keq në mungesë të trajtimit adekuat, po shkon veç se duke u thelluar. Serbia ka vazhduar sistematikisht fshirjen e adresave të vendbanimit dhe ç’lajmërimin e shqiptarëve nga ajo zonë, me ç’ rast para syve tanë dhe të tërë botës po e zbaton një lloj spastrimi etnik”, thotë analisti.

Sipas tij, edhe pse atje ka nisë mobilizimi për ta dëshmuar ekzistencën, praninë e tyre, krerët institucional duhet të bëjnë më shumë, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria.

“Për fat të keq, edhe institucionet e Kosovës, edhe ato të Shqipërisë, kanë bërë shumë, shumë pak në mbrojtjen e të drejtave elementare të shqiptarëve në luginë. Tani e kemi një rast ku shqiptarët mund dhe duhet të mobilizohen për ta dëshmuar ekzistencën, praninë e tyre dhe për këtë duhet të ndihmohen nga të gjithë.

Për fat të keq, edhe në këtë pikë nuk po bëhet sa duhet institucionalisht. Nuk mjafton vetëm një postim në FB i një Kryeministri, por duhet kampanjë e tërë dhe mbështetje praktike në mënyrë që sa më shumë të regjistrohen.

Duhet patur parasysh se edhe mund të kenë pengesa të qëllimta administrative dhe për këtë duhet të ngrihet zëri institucionalisht”, përfundoi analisti.

Një thirrje publike për regjistrim shqiptarëve nga kjo trevë kudo ndodhen, ia ka bërë edhe gazetari veteran Nefail Maliqi, i cili punon në Gjenevë, ndërsa ka dhënë edhe disa të dhëna për numrin e shqiptarëve në diasporë. Sipas tij, në diasporë në Perëndim jetojnë rreth 80.000 shqiptarë!

“Këtu s’ka punë, vetëm 5 minuta, besoj se nuk janë shumë për kombin shqiptar. Pra, regjistrohu! Duhet ta dëshmojmë se jemi aq sa jemi, e jo aq sa mashtrojnë!

E dini se ky proces është jo vetëm akt i obligueshëm, por edhe kombëtar!”, ka shkruar Maliqi në faqen e tij në Fb.

Sipas tij, në Gjermani jetojnë rreth 25 mijë shqiptarë nga Kosova Lindore, “në Zvicër janë mbi 20 mijë, ndërsa në Belgjikë, Francë dhe Austri janë rreth 30 mijë dhe mbi 10.000 janë në Amerike dhe vendet tjera skandinave deri në Australi, pa llogaritur këtu, ata në Turqi”.

Po ashtu Maliqi i ka listuar edhe të dhënat që duhet të përfshijë procesi i lehtë i regjistrimit elektronik:

1. Emrat, mbiemrat, numrat personal

2. Emrat e prindërve

3. Sa metra katrorë dhe sa dhoma i ka shtëpia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat