Dialogu Kosovë-Serbi në një fazë të ‘nxehtë’/ Dy propozimet e Amerikës – ja si të veprojë qeveria Kurti!

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi në një fazë të ‘nxehtë’/ Dy propozimet e Amerikës – ja si të veprojë qeveria Kurti!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 tetor 2022 Në ora: 08:06
Flamujt e Kosovës dhe SHBA-së

Ambasadori amerikan në Kosovë, Hovenier, ka përsëritur se asociacioni që mund të formohet duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, po ashtu edhe nuk duhet të ketë kompetenca që mund ta krijojnë një “republike serbe” si në Bosnjë. Por, gjithashtu se mund të ketë një zgjidhje, sipas modeleve ekzistuese në Perëndim.

“Më e rëndësishmja, e mendoj se këtë e ka thënë publikisht kolegu im, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Escobar, siç e kam thënë edhe unë dhe ky nuk është ndryshim në politika, por Asociacioni duhet të bëhet në mënyrë të tillë që respekton Kushtetutën e Kosovës; duhet të bëhet në atë mënyrë që nuk ndikon negativisht në rendin kushtetues të funksionimit të qeverisë dhe ne besojmë që vendimi i Gjykatës

Kushtetuese mundëson kornizë të duhur si të ecet përpara me zbatimin e këtij zotimi”, ka thënë Hovenier në një intervistë televizive.

"...as në Shtetet e Bashkuara, e as te partnerët tanë të Evropës Perëndimore nuk ka fare interesim që të shohim diçka si një republikë tjetër serbe apo diçka që do të çrregullonte rendin kushtetues apo të ndikonte në funksionimin jo të mirë të Qeverisë së Kosovës", ka thënë Hovenier.

Përfshirja e ambasadorit amerikan dhe deklaratat e shpeshta për dialogun Kosovë-Serbi dhe formimin e Asociacionit janë shenja se këto bisedime janë në një fazë shumë të rëndësishme.

Marrë parasysh këtë, pasi ndërkombëtarët janë fokusuar dhe kanë kthyer një vëmendje të madhe në negociatat e Brukselit.

Madje, së fundi i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak vizoi të enjten Kosovën dhe realizoi një takim me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi.

Nuk dihet ende qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj formimit të asociacionit, duke parë se po trumbetohet shumë për një zgjidhje të tij.

Së fundi ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, do ta diskutojnë propozimin franko-gjerman.

Të martën Sekretari i Shtetit Antony Blinken i ka telefonuar kryeministrit Kurti për bisedimet me Serbinë, e po ashtu edhe atij të Serbisë Vuçiqit.

Franca dhe Gjermania nuk e kanë publikuar propozimin, por sipas pohimeve të palës serbe dokumenti parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB pa e njohur pavarësinë tonë, ndërsa Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kuçi: SHBA-ja ka bërë dy kërkesa të qarta me 2 shkurt 2022 ndaj Kosovës dhe Serbisë

Image
Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi

Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi, në një prononcim për ‘”Bota sot” komentoi këtë çështje.

Fillimisht, ai tha se formimi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Kosovës është një kusht që e ka bërë të ditur që moti Amerika.

“SHBA-ja ka bërë dy kërkesa të qarta me 2 shkurt 2022 ndaj Kosovës dhe Serbisë: e para që Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përfundojë me njohje reciproke dhe e dyta që Kosova duhet ta krijojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këto kërkesa janë bërë nëpërmjet përfaqësuesit special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Gabriel Escobar dhe janë thënë nga ky i fundit kur ishte në vizitë në Kosovë dhe Serbi bashkë me z. Lajçak”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Kuçi vlerësoi se qëndrimi i ambasadorit amerikan është vazhdimësi e qëndrimit të Escobarit.

“Ambasadori amerikan Hovenier vetëm ka vazhduar qëndrimin e SHBA-së për çka edhe është i thirrur.

Kosova tashmë e ka të hapur që të ofrojë një alternativë për këtë çështje, sepse përveç përkrahjes së SHBA-së dhe BE-së, Kosova ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila i hedh poshtë mbi 20 nene të marrëveshjes për asociacionin”, theksoi profesori.

Ndër të tjera, ai shtoi se duhet të ofrohet një model në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aty të kenë të drejtë shqiptarët në vendimmarrje ashtu siç kanë serbët në institucionet tona.

“Atëherë Kosova duhet të ofrojë një model në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aty të kenë të drejtë shqiptarët në vendimmarrje ashtu siç kanë serbët në institucionet e Kosovës, pra vendimmarrja e shumicës së dyfishtë. Po ashtu ky asociacion duhet që buxhetin e tij ta ketë nën kontroll nga buxheti i Kosovës dhe donacionet duhet që të kalojnë nga buxheti i përgjithshëm i Kosovës, me ligj”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Qarri: Ja mënyra e vetme për të krijuar paqe në rajon

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se akti më i rëndë kundër shtetësisë së Kosovës është nënshkrimi i Asociacionit.

“Në situatën në të cilën ndodhet vendi, pas aktit më të rëndë politik kundër tërësisë territoriale dhe ekzistencës së shtetit të Kosovës, si marrëveshja tradhtare e "zajednicës” një etnike serbe, e nënshkruar dy herë, më 2013 nga kuislingu Hashim Thaçi, e rreth dy vite më vonë edhe nga renegati Isa Mustafa dhe e miratuar me shumicën e votave edhe në Kuvend, përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me të cilin ajo ka vulosur legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës, vetëm në koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar, si SHBA-të dhe shtetet më të fuqishme evropiane e ndërkombëtare si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj, Kosova duhet të insistojë me çdo mjet dhe mundësi për reciprocitet të plotë me Serbinë edhe sa u takon të drejtave të minoriteteve në të dyja vendet.

Dhe si për zbatimin e detyrueshëm të reciprocitetit të dokumenteve personale me Serbinë, që u imponua nga përfaqësuesi i lartë amerikan z.Gabriel Escobar, edhe me rastin e vizitës aktuale të ndërmjetësuesit të BE-së Miroslav Lajçak, në Kosovë, duhet të insistohet, bëhen përpjekjet maksimale dhe në mënyrën më serioze të mundshme për reciprocitet dhe garantimin me marrëveshje të të drejtave të barabarta, si për shqiptarët nën Serbi ashtu edhe për serbët në Kosovë”, theksoi analisti.

Qarri konsideroi se mënyra e vetme për të krijuar paqe në rajon, do të ishte reciprociteti dhe balancimi i të drejtave të minoriteteve në të dyja shtetet.

Sipas tij, formim i "zajednicës" kundërkushtetuese një etnike serbe, do t’i hapte rrugë ndarjes e ricopëtimit të Kosovës.

“Pra, mënyra e vetme dhe më e mirë e mundshme, për të krijuar paqe e qetësi afatgjate në rajon, do të ishte reciprociteti dhe balancimi i të drejtave të minoriteteve në të dyja shtetet relevante, marrëveshje pas të cilës, Serbisë do t’i “lidheshin duart” dhe nuk do të mund të gjente shkas, as arsyetim për nxitjen e tensioneve dhe luftërave të reja në Ballkan.

Përndryshe formim i "zajednicës" kundërkushtetuese një etnike serbe, do ti hapte rrugë me vetëdije bosnjëzimit dhe ndarjes e ricopëtimit të Republikës së Kosovës, si dhe humbjes përfundimtare të veriut të vendit tonë, gjë që nuk e dëshirojnë shqiptarët dhe as SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar as Gjermania, si shtetet më të fuqishme ekonomike e politike evropiane dhe botërore”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, analisti tha se marrëveshja e Asociacionit në bazë të Kushtetutës sonë është e domosdoshme, por jo marrëveshja aktuale.

“Përveç deklarimit të përfaqësuesit të lartë amerikan Gabirel Eskobar se asociacioni nuk guxon të jetë; shtet në shtet edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosove, Jeffry M. Hovenier e ka përsëritur disa herë se asociacioni edhe nëse vije deri te formimi, duhet të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe assesi të mos ketë kompetenca që mund të çojnë në krijimin edhe të një “republike serbe” si ajo në Bosnje, marrëveshje që definitivisht është në kundërshtim të plotë edhe me, më së paku 24 nene të Kushtetutës së vendit tonë.

Prandaj, ajo që është e domosdoshme për sigurinë e Kosovës dhe qetësin afatgjate në rajon, është reciprociteti edhe sa u takon minoriteteve me Serbinë, në mënyrë që të njëjtat të drejta që gëzojnë serbët në Kosovë, po ato ti kenë edhe shqiptarët nën Serbi, përndryshe Serbia gjithmonë do të gjejë arsye për ndezjen e konflikteve të reja dhe nisjen e sërishme të luftërave për territore, gjë që është në kundërshtim të plotë edhe me qëllimet ndërkombëtare për krijimin e një paqe afatgjatë, rajonale e globale”, potencoi Qarri.

Reciprocitet dhe barabarësi trajtimi për pjesëtarët e të dyja pakicave, asaj shqiptare në Serbi dhe pakicës serbe në Kosovë

Më tej, ai përmendi një praktikë ndërkombëtare, e cila lejon moszbatimin e marrëveshjeve të dëmshme që rrezikojnë qëndrueshmërinë e shteteve dhe rrëzon të gjitha insistimet e Vuçiqit.

“Në fakt, në praktikën ndërkombëtare ekzistojnë edhe klauzola dhe doktrina të njohura juridike, të praktikuara edhe nga vet shtetet e mëdha deri te Mbretëria e Bashkuar, në trajtimet e marrëveshjeve ndërshtetërore dhe ndërkombëtare, si Clauzola: “Rebus Sic Stantibus”, e cila lejon moszbatimin e marrëveshjeve të dëmshme që rrezikojnë qëndrueshmërinë e shteteve dhe rrëzon të gjitha insistimet e Vuçiqit, apo edhe tendencat e Lajçak-ut e Josepp Borellit, që pas Bosnje Hercegovinës, të krijohet edhe një republike serbe, si “zajednica” një etnike serbe, e cila i paraprinë bosnjëzimit të Kosovës dhe çon apriori në ndarjen e shtetit tonë!

E duke pasur parasysh pretendimet e hapura territoriale të Serbisë ndaj vendit tonë, si dhe formën e shpërndarjes së minoritetit serb, që nga Leposaviqi në Veri, e deri në Shtërpcë në Jug të Kosovës, as modelet ekzistuese në Perëndim, pikërisht për shkak të jo-kompaktësisë tokësore të vendbanimeve me serb dhe pretendimeve të hapura territoriale të Serbisë, nuk mund të jenë të pranueshme për Kosovën, sepse herët a vonë, pas çdo thirrje nga Beogradi, ato vet do të ktheheshin, sërish në enklava, për të pamundësuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, shtoi Qarri.

Në fund, tha se zgjidhja e vetme është oferta e Qeverisë së Kosovës, për reciprocitet dhe barabarësi trajtimi për pjesëtarët e pakicave.

“Prandaj e vetmja zgjidhje e pranueshme mbetet oferta e Qeverisë së Kosovës, për reciprocitet dhe barabarësi trajtimi për pjesëtarët e të dyja pakicave, asaj shqiptare në Serbi dhe pakicës serbe në Kosovë, me shtrirjen e rendit e të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, pa të drejtë ndërhyrje të Serbisë në vendin tonë, të ratifikuar me një marrëveshje të detyrueshme, të nënshkruar e vulosur nga fuqitë më të mëdha vendimmarrëse evropiane dhe botërore, si SHBA e BE, të cilës nuk do të guxonte ti bishtërojë më as Serbia hegjemoniste, tash, e as në të ardhmen”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat