Vuçiqi kërcënon me “luftë”, kjo e pret nëse ai hyn me ushtri në Kosovë!

Politika

Vuçiqi kërcënon me “luftë”, kjo e pret nëse ai hyn me ushtri në Kosovë!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 tetor 2022 Në ora: 10:03
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot"

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi është duke e kërcënuar Kosovën në mënyra të ndryshme, në mënyrë që t’i bëjë trysni ndërkombëtarëve për dialogun për të arritur objektiva më të mëdha, se sa vet marrëveshja e nënshkruar për asociacionin me 2013. 

Rritja e kërkesave dhe objektivave të Serbisë për më shumë se sa një asociacion kushtetues duke i portretizuar serbët si viktima, sipas analistëve politikë është aktrim, mirëpo mendojnë se intrigat nuk i shiten më me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nuk duhet të përjashtojmë faktin që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetër”, kishte deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për median ndërkombëtare muaj më parë.

Kurti kishte folur për një sulm të mundshëm nga Serbia, pasi trazirat e pakicës serbe në veri do të mund të rezultonin në një konflikt të armatosur.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, kishte deklaruar Kurti.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha gjatë kësaj jave, se NATO-ja ka informacione për tensionim të situatës, që nuk lidhet me çështjen e targave, prandaj edhe disa vende anëtare të Aleancës e kanë shtuar praninë e tyre në KFOR.

Kurse, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ditë më parë e konfirmoi rrezikun duke paralajmëruar një kohë “të errët”, dhe kinse Serbia po përballet me periudhën më të vështirë se ajo e viteve 1990 edhe për shkak të pozicionimit të serbëve.

Kërcënimet e Vuçiqit janë lojë farse

Duke folur rreth “Betejës së Stalingradit”, Vuçiqi ka thënë se kjo do të vijë me të vërtetë dhe më shpejt nga sa e pret kushdo.

“Kam frikë se ‘beteja e Stalingradit’ do të vijë me të vërtetë dhe më shpejt nga sa pritej prej kujtdo, dhe jam shumë i shqetësuar për rezultatin e asaj ‘beteje të Stalingradit’, për herë të parë në histori, shumë më i shqetësuar duke ditur se çfarë po vjen nga njëra anë dhe tjetra, duke mos dyshuar në guximin e askujt”, ka deklaruar Vuçiq.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, por edhe të kryeministrit Albin Kurti, analistët politikë thonë se rreziku ekziston, por kurdo që Serbia provokon dhunë do të përballet me NATO-n.

Analisti politik, Halil Geci, ka thënë për “Bota sot”, se nuk është hera e parë që Vuçiqi kërcënon.

Ai përmend rastet e kërcënimeve të presidentit serb, duke shprehur edhe dëshirën që ai të provojë të hyjë me ushtri.

Image
Analisti politik, Halil Geci

“Nuk është hera e parë që Aleksandër Vuçiqi kërcënon dhe paralajmëron “kohë të errët”, për Kosovën, dhe një betejë më të keqe se ato të viteve ‘90 thotë ministri i Millosheviqit Vuçiqi. Na kujtohen lëvizjet e Vuçiqit me trenin. Ardhjet e serbëve dhe provokimet e natyrave të ndryshme, p.sh. ardhja e serbëve nga Serbia në Gazimestan dhe shumë kësi lloj provokimesh të ngjashme si dhe këto me targat dhe dokumentet e identifikimit. Kërcënimi i fundit i Vuçiqit është një lojë e tij farse, ngase ushtria e tij dhe armatimi modern i ka ngordhur në atë moment kur forcat e NATO-s e ruajnë kufirin e Kosovës. Grupet kriminale dhe brigada e tij për të cilën po mundohet të na frikësojë është boshe. Ai mundet të na bëjë dëme me grupet kriminale, që i paguan vetë në veri, duke na shkaktuar incidente të vogla, por kurrsesi nuk guxon të intervenojë me makineri luftarake. Vuçiqi e dinë mirë këtë. Të them të drejtën, unë do të kisha pasur dëshirë që Vuçiqi të provojë të hyjë me ushtri, ngase Kosova kurrë në pozicion më të mirë nuk ka qenë, për ta ndjekur njëherë e mirë Serbinë nga këto troje”, pohon Geci.

Sipas tij, kërcënimet e Vuçiqit bëhen që t’i bërë trysni ndërkombëtarëve dhe institucioneve të Kosovës për të ngritur pazaret në dialogun për asociacionin.

“Kërcënimi i tij në këtë kohë bëhet për t’ju bërë trysni ndërkombëtarëve dhe institucioneve tona dhe për ta ngritur pazarin në dialogun për ‘Zajednicën’, e që po priten takime të ardhshme, që do të ndodhin në ditët dhe në muajt në vijim. Dihet botërisht se Vuçiqi me negociatorët e mëhershëm ka fituar sa herë ka hyrë në negociata. Ka dalë fitimtarë. Por, egoja e tij e tepruar për të fituar më shumë se sa asociacionin, si duket e la pa asgjë, ngase rrethanat e krijuar dhe situata politike ka ndryshuar rrënjësisht me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e Serbisë përkrah Rusisë, i ka lehtësuar arritjet e institucioneve tona. Mu kjo e ka forcuar bindjen e ndërkombëtarëve se Vjosa dhe Albini i njohin fort mirë akrobacionet politike të Serbisë karshi vendeve fqinje për të grabitur territore, e posaçërisht karshi Kosovës”, thekson Geci.

Synonte shkatërrimin e Kosovës në themel

Sipas tij, Vuçiqi ka kërkuar shkatërrimin me themel të Kosovës, prandaj nuk është pajtuar në atë kohë vetëm me asociacionin, sepse po ta kishte Serbia qëllim vetëm asociacionin, ajo punë do të ishte harruar, kjo pasi ai kishte blerë negociatorët kryesorë në atë kohë.

“Sikur Vuçiqi të pajtohej në atë kohë me asociacionin, asociacion ky me kompetenca ekzekutive kjo punë ishte harruar qysh moti, ngase Vuçiqi i kishte blerë dy negociatorët kryesor në Kosovë, Hashimin dhe Isa Mustafën dhe rrethet e tyre si dhe Edi Ramën, por edhe Grenellin e kishte në anën e tij. Vuçiqi nuk ishte i kënaqur as me Zajednicën. Ai synonte shkatërrimin e Kosovës në themel, deshti Zoti nuk i dhezi, Hashimin e mori Haga, Isën e mori cunami i referendumit të zgjedhjeve nacionale të 2021, Grenellin e mori gjithashtu humbja e madhe zgjedhore, Rama mbeti duarthatë duke shëtitur herë në Brojë të Drenicës herë në Tiranë, duke kërkuar mbështetje për ta rrëzuar qeverinë Kurti dhe për ta jetësuar Zajednicën ose tradhtia e shekullit të nënshkruar dy herë dhe të ratifikuar në parlament nga votat e tradhtuara të atdheut”, shtoi Geci.

Domethënë, sipas Gecit, kërcënimi i Serbisë bëhet për ta forcuar pazarin për asociacionin.

“Kuptoni, pra se kërcënim i Serbisë bëhet për ta forcuar pazarin e Zajednicës. Zajednica do t’i ketë të ndara nga shteti i Kosovës 1. Kuvendin 2.Policinë 3. Gjyqësinë 4. Arsimin 5. Shëndetësinë 6. Buxhetin, mbi të gjitha ka (pasuritë natyrore Trepçën, Ujman, Brezovicën, minierat e Novobërdës dhe Kishnicës) të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa për Kosovën, nga Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiqi për Serbinë, në prani të përfaqësueses së Evropës Federica Mogherini, e ratifikuar dhe në Kuvendin e Kosovës. Në atë kohë kryetarja e shtetit Atifete Jahjaga ua dërgoi në kushtetuese ‘zajednicen’ e nënshkruar dhe të ratifikuar në parlament dhe kushtetuesja e ka kualifikuar si antikushtetuese, duke gjetur 23 shkelje kushtetuese. Po të kishim parlament të mirëfilltë, është dashur t’i trajtojë si vepër penale dhe prokuroria t’i burgosë automatikisht tradhtarët dhe nënshkruesit dhe votuesit e Zajednicës. Dhe të dënohen sipas ligjit për tradhti kombëtare”, thotë Geci.

Duke komentuar deklaratën e kryeministrit Kurti, Geci thotë se ai vetëm i ka paralajmëruar vendorët dhe ndërkombëtarët.

“Sipas mendimit tim Kryeministri Kurti ka bërë mirë që i ka paralajmëruar vendorët dhe ndërkombëtarët se në Kosovë mund të ndodhë ndonjë sulm i armatosur nga Serbia. Se a po shkojnë vendet drejt një lufte të re të armatosur, unë them se mundësitë e një lufte të re nuk duhet neglizhuar. Perëndimi kurrë nuk ka qenë më i bashkuar, shtetet po pozicionohen kush me kë, fati jonë është se Serbia u rreshtua përkrah Rusisë, prandaj lufta e re mundet me ndodhur veç nëse Putini e shkrep atomin, fërkimet e vogla si me Ukrainën mund të ndodhin, por nuk e besoj që Putini është aq budalla sa ta shkatërrojë Rusinë sa mos të ekzistojë më mbi këtë sipërfaqe të dheut”, ka shtuar tutje Geci.

Fundi i intrigave serbe

Image
Analisti politik Faton Mehmeti.

Kurse, aktor e quan Vuçiqin analisti politik Faton Mehmeti.

Ai thotë se presidenti serb me aktrim tenton ta paraqes Serbinë viktimë. “Vuçiqi po aktron, as yjet e Hollivudit nuk aktrojnë më mirë se presidenti serb. Me aktrim tenton ta paraqes Serbinë viktimë, gjoja se krejt bota po e sulmon. Nëse Vuçiqi e quan kohë të errët faktin se më s’mund të loz me Kosovën si më parë, atëherë le ta bëjë, por Kosova më s’ka lideri si Hashimi e Ramushi dhe Isa, është Albini i pa kompromis dhe i pashantazhueshëm, e duket se nga kjo edhe rrjedh gjithë "errësira"”, ka deklaruar Mehmeti.

Sipas Mehmetit, Kurti ka informacione të sakta për rrezikun, por Serbia tashmë ka humbje të mëdha diplomatike.

“Serbia në një anë paraqitet viktimë, e në anën tjetër bën plane për ta sulmuar Kosovën. Kjo është Serbia e vërtetë, me Kurtin që ka informacione të sakta për rrezikun. Por, më s’po i shiten intrigat Vuçiqit, me këtë të fundi të tronditur nga humbjet e mëdha në raport me Kosovën”, ka përfunduar Mehmeti.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat