Uzurpimet në Prishtinë/ Kush qëndron prapa tyre? Ja pse duhet të merren masa të shpejta!

Politika

Uzurpimet në Prishtinë/ Kush qëndron prapa tyre? Ja pse duhet të merren masa të shpejta!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 tetor 2022 Në ora: 11:57
Faton Peci

Ditë më parë ministri i ekonomisë, Faton Peci ka trajtuar një nga temat të ndjeshme në vend.

Ai tregoi që para disa muajsh ka kërkuar themelimin e një Komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme gati një dekadëshe të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Peci u shpreh se të gjeturat janë skandaloze, shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori.

“Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave”, u shpreh ndër të tjera ministri.

Gjithashtu thotë që në ditët në vijim do të merren të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që një mesazh që ministri dha për qytetarët që ia besuan punën është që do të merren masa të rëndësishme për të gjitha keqpërdorimet.

Prokuroria tashmë ka filluar hetimet, ndërsa ministri Peci është u mbrojtur nga policia.

Por si ndodhi që të mos hetohen uzurpatorët dhe mos të ndëshkohet askush?

Burjani: Kjo është e çuditshme, dhe njëkohësisht e papranueshme

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai u shpreh se është e papranueshme se si Prokuroria nuk ka reaguar në lidhje me këto raste dhe se këto çudira që po ndodhin në vendin tonë, tregojnë që krimi politik nuk po luftohet.

“Natyrisht kjo është e çuditshme, dhe njëkohësisht e papranueshme, prona të uzurpuara, prona të bartura në persona të dytë dhe të tretë e prokuroria nuk ka reaguar asnjëherë. Gjithashtu edhe partitë janë uzurpator të pronave afër 22 vjet i shfrytëzojnë pa paguar as qera. Madje, nuk po hetohen liderët politik uzurpator, e as njerëzit e afërt me ata, të cilët kanë bërë biznese e nuk kanë punuar askund ose kanë punuar për liderët politik. Këto çudira po ndodhin, fatkeqësisht edhe me këtë vërehet që nuk po luftohet krimi politik”, u shpreh ai.

Më tej ai thekson që dikur këto prona të disa ministrive janë lëshuar me qira nga ministritë dhe kanë përfituar ministrit dhe hajnat partiak.

“Nuk janë vetëm prona të Ministrisë, dikur këto prona të disa ministrive janë lëshuar me qira nga ministritë dhe kanë përfituar ministrit dhe hajnat partiak”, nënvizoi Burjani për “Bota sot”.

Mehmeti: Është dashur largimi i tyre nga pushteti që këto objekte të çlirohen nga uzurpatorët

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që më herët nuk kanë mundur të hetojnë vetveten e tyre për këtë arsye tash që ka ndryshuar pushteti këto objekte do të çlirohen nga uzurpatorët.

“S’mund të hetoheshin, ndëshkoheshin apo edhe të japin përgjegjësi uzurpatorët. Jo vetëm në institutin e bujqësisë por në qindra të tjera në Prishtinë dhe Kosovë janë uzurpuar nga ata politikanë që kanë qenë në pushtet, e si mund të hetonin vetveten?! Në këtë kuptim është dashur largimi i tyre nga pushteti që këto objekte të çlirohen nga uzurpatorët”, thekson analisti.

Në fund, ai shton që është koha më në fund të japin përgjegjësi të gjithë kapësit e shtetit, me koston e lartë të dëmeve e që duhet ta paguajnë ata që shkaktuan.

“Uzurpatorët më të mëdhenj në Kosovë kanë qenë politikanët, ata që uzurpuan çdo gjë. Ndërtimet po ashtu janë në kuadër të mafies së ndërtimit dhe uzurpimit, e cila mafi përmes lidhjeve dhe vet politikën shkatërruan vendin. Është koha më në fund të japin përgjegjësi të gjithë kapësit e shtetit, me koston e lartë të dëmeve e që duhet ta paguajnë ata që shkaktuan”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat