Shqiptarët e Luginës nuk pranojnë asgjë më pak se serbët e Kosovës! / Udhëtimi i jashtëzakonshëm në Amerikë

Politika

Shqiptarët e Luginës nuk pranojnë asgjë më pak se serbët e Kosovës! / Udhëtimi i jashtëzakonshëm në Amerikë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 17 tetor 2022 Në ora: 11:45
Lugina e Preshevës

Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë të diskriminuar nga shumica serbe, madje me programe speciale nga Serbia.

Por, në të ardhmen, duket se nuk mund të ndodhë më ashtu. Shqiptarët e Kosovës Lindore, të cilët e bën edhe një luftë me shpresë për t’u bashkuar me Kosovën në vitin 2000-2001, tashmë për herë të parë një delegacion i përfaqësuesve të rajonit shqiptar, është pritur në Stejt Departament, ku janë dëgjuar shqetësimet e tyre dhe shtypjen sistematike që e përjetojnë nga Serbia.

Të drejtat e shqiptarëve në Stejt Departament të SHBA-ve u diskutuan javën që shkoi mes përfaqësuesve të Luginës me emisarin amerikan special për bisedimet Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.

I dërguari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar, ka pritur në Departamentin e Shtetit një delegacion të Luginës së Preshevës, ku ishin Shaip Kamberi – deputet, Nagip Arifi – kryetar i Bujanocit, Ragmi Mustafi – kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa – ish-kryetar i Preshevës, ndërsa shoqëroheshin nga lobisti shqiptar në SHBA Faton Bislimi.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se shqiptarët atje kanë nevojë për trajtim të barabartë me pakicat e tjera, si ajo serbe në Kosovë.

“Në takim me të dërguarin special të SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, në Departamentin e Shtetit, diskutuam për nevojën e trajtimit të drejtë edhe të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për nevojën e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta si parakusht i një marrëveshje të ardhshme për paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kamberi.

Ky udhëtim i këtij delegacioni për në SHBA, që u prit në Stejt Departament po konsiderohet prej takimeve më të rëndësishme diplomatike për shqiptarët e Kosovës Lindore.

Por, a mund të jenë pjesë e dialogut mes dy vendeve?

Kelmendi: Paqja me Serbinë realizohet kur zgjidhet edhe çështja shqiptare në Kosovën Lindore

Profesori Muhamet Klemendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se takimi mes tyre vije fiks në kohën e duhur dhe e gjitha kjo varet nga ata vet e po ashtu edhe nga qëndrimet zyrtare të Prishtinës në kuadër të dialogut.

Image
Muhamet Klemendi

“Takimi i zhvilluar në Uashington i delegacionit të Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës) me të dërguarin special të SHBA-ve për dialogun Kosovë -Serbi, z.Gabriel Escobar, është takim i qëlluar dhe në kohën e duhur. Natyrisht se për këtë kohë e tërë çështja e Luginës varet nga qëndrimet në Uashington.

Kësaj i paraprin vetë veprimtaria e përfaqësueseve legjitim të Luginës dhe shumë varet nga ata, nga puna dhe aktiviteti që bëjnë në Luginë. Mirëpo, në kuadër të dialogut, kryesisht çështja e Kosovës Lindore varet shumë edhe nga qëndrimet zyrtare të Prishtinës në kuadër të dialogut me Serbinë. Kosova Lindore është pjesë e Kosovës. Ajo u nda padrejtësisht në vitin 1957 nga trungu i vet, nga Kosova. Si pasojë e kësaj u bashkua Leposaviqi me Kosovën. Këto çështje duhet të merren për bazë në dialog me shtetin serb të Kosovës”, thotë profesori.

Sipas tij, nuk duhet të ketë asnjë zgjidhje për minoritetin serb në Prishtinë pa pasur reciprocitet me shqiptarët në Luginë.

Tutje, shton se tani është koha kur po përpiqet të lidhet një marrëveshje përfundimtare me shtetin serb, por që ajo marrëveshje, pa zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës, kurrë nuk mund të ketë të ardhme.

Asnjë zgjidhje për minoritetin serb pa komparacion dhe reciprocitet me shqiptarët në Luginën e Preshevës, nuk duhet të legjitimohet nga Prishtina.

Besoj se kjo kështu është kërkuar nga delegacioni shqiptar i Luginës në takim me z. Escobar. Sa më qartë dhe sa më shumë që vihet në spikamë çështja e Luginës, aq më shumë ajo fiton vëmendje në Uashington dhe në Bruksel. Është koha kur po përpiqet të lidhet një marrëveshje përfundimtare me shtetin serb. E kjo marrëveshje, pa zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës, kurrë nuk mund të ketë të ardhme dhe paqe në rajon. Këtë duhet sqaruar Prishtina, Tirana dhe çdo përfaqësues që del me folur në emër të Luginës së Preshevës, qoftë në Bruksel, qoftë në Uashington etj. Kosova është një me Kosovën Lindore”, përfundoi ai.

Mulliqi: Ka gjasa që çështja e shqiptarëve në Serbi të bëhet pjesë e dialogut të ardhshëm Kosovë-Serbi

Lidhur me këtë temë, analisti Skendër Mulliqi, për “Bota sot” thotë se Kamberi është deputeti i cili po e bën të pamundurën për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginë.

Image
Skendër Mulliqi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, është njeriu që u shqua me guximin e pashoq në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, dhe në mbrojtje të çështjes shqiptare në përgjithësi. Kamberi bëri jehonë me deklarimet e guximshme në Kuvendin e Serbisë, ku shteti serb sipas tij nuk e ka ndryshuar qasjen diskriminuese ndaj shqiptarëve në Luginë. Kamberi pat guximin që të vendos flamurin kombëtar shqiptar në Parlamentin serb. Madje, për fjalimet në Kuvend, Kamberi edhe u kërcënua nga shovinistët serbo-mëdhenjë”, thotë Mulliqi.

Sipas tij, edhe takimi me Escobarin ka të bëjë pikërisht me këtë situatë sepse shqiptarët atje janë të diskriminuar, e që edhe ata duhet të jenë pjesë e dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Deputeti i vetëm shqiptarë në parlament, ka kërkuar në një bashkëbisedim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Ne kërkojmë se një marrëveshje me Serbinë do të jetë e plotë, kur të trajtohen temat e Preshevës, dhe kur Serbia ndërpret diskriminimet sistematike ndaj shqiptarëve thotë Kamberi. Paraqitjet e forta të tija publike në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve, kanë bërë që Kamberi dhe zyrtarë shqiptarë të Luginës të takohen në Stejt Departament, me të dërguarin special të Amerikës, për dialogun, Gabriel Eskobar. Deputeti shqiptarë e ka shumë të vështirë të veprojë në kuvendin serb, kur dihet orientimi i dy partive të ekstremit të djathtë, të cilat po i reagojnë dhe po e kërcënojnë pas çdo paraqitje. Ky është bërë tashmë modeli më i mirë, për të gjithë shqiptarët, se si mbrohen kauzat politike shqiptare.

Falë guximit të tij qytetarë, dhe takimit me Eskobar, është ngritur çështja e shqiptarëve në Serbi në nivel të lartë. Siç mësohet nga Kamberi në takim është diskutuar për nevojën e trajtimit të drejtë të kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe për nevojën e trajtimit të barabartë dhe reciprok të pakicave përmes standardeve të njëjta, si parakusht i një marrëveshje të ardhshme për paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, shprehet ai.

Në fund, ai deklaron se ka gjasa që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë pjesë e dialogut, sepse ata nuk gëzojnë të drejta sikur gëzojnë serbët këtu në Kosovë.

Nuk është pa gjasa që çështja e shqiptarëve në Serbi të bëhet pjesë e dialogut të ardhshëm Kosovë-Serbi. Por, edhe nëse nuk ndodh kjo, unë besoj se kanë filluar nga ky takim procese të reja, që edhe shqiptarët në Serbi, të fitojnë të gjitha të drejtat që ju takojnë pakicave, edhe me konventa ndërkombëtare. Nuk do të jetë i lehtë ky rrugëtim, kur dihet se kemi të bëjmë me një shtet me logjikë ultranacionaliste të çetnikut, Vojisllav Sheshel. Pse, mos t’i kenë edhe shqiptarët në Luginë të gjitha të drejtat siç i kanë minoriteti serb në Kosovë? Madje, ky minoritet që po rebelohet nga ndikimi i politikave të Beogradit zyrtar, ka më shumë të drejta se çdo minoritet tjetër në Evropë. Diskriminimi nga pushteti serb, ndaj shqiptarëve në Luginë është gati i formës raciale. Mendoj, që Serbia do të kushtëzohet nga BE-ja, nëse dëshiron inkuadrimin në këtë strukturë, që shqiptarëve në këtë Republikë t’u takojnë të gjitha të drejtat e tyre legjitime”, potencoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat