Skandali i terminaleve dhe humbja e 370 milionë eurove, kërkohet të vihen në pranga të implikuarit

Politika

Skandali i terminaleve dhe humbja e 370 milionë eurove, kërkohet të vihen në pranga të implikuarit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 tetor 2022 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

“Është koha që Qeveria të merret edhe me korrupsionin dhe krimin e organizuar në ndërtimtari, ku po ndodhin shkatërrime të jashtëzakonshme të ambientit, me një shkallë gallopante të përfitimeve të rrjeteve”.

“Dihet se krimi dhe korrupsioni ia kanë blu palcën e kurrizit lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që kanë pësuar dëme të pariparueshme!”

Janë në pushtet dhe në dorë e kanë qeverinë, por Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të “kritikojë” partitë tjera që kanë qeverisur me vendin.

Të hënën që kaloi, Vetëvendosje përmes një videoje në Facebook ka kritikuar ish-pushtetarë e deputetë, duke thënë se përmes terminaleve që i kanë pasur në pronësi private të lidhura ngushtë me politikën kanë përvetësuar 37 milionë euro për një vit, ndërsa për 10 vjet i kanë përvetësuar 370 milionë euro.

Sipas tyre, Qeveria Kurti ka filluar kthimin e terminaleve në administrim shtetëror, prej nga do të përfitojë Republika dhe kësisoj gjatë kësaj kohe, qeverie ka filluar punën me kapacitete të plota,  Terminali i Kosovës në Portin e Durrësit, çka e bën të mundur që ekonomia e Kosovës për eksporte dhe importe tashmë të ketë qasje në det dhe tregje globale.

“Drejtësia. Shteti. Publikja. Shoqërorja. Të gjitha mbi sloganin e vjetër familja, prona, shteti”, thuhet në videon e VV-së më tutje.

Publikimin e videove, Lëvizja Vetëvendosje e cilëson si metodë demokratike.

Terminale private apo shtetërore?

Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka thënë se publikimi i videos është bërë që të tregojë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën me terminalet.

“Janë metoda demokratike, metoda që i përdor çdo subjekt politik, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në Evropë. Krahasimi i punës sonë të hapjes së terminalit në Durrës është lajm i mirë për Kosovën, po krahas kësaj, ne donim të tregonim se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, ka deklaruar Rexhaj pas videos së publikuar për tribunalet.

Por, opozita kritikon Vetëvendosjen për këto video, gjersa shton se ata i kanë të gjithë mekanizmat në dorë që të veprojnë ndaj atyre që kanë shkelur ligjin më herët.

Ndërkaq, analistët politikë e quajnë skandal humbjen e 370 milionë eurove nga terminalet, gjersa kërkojnë që të implekuarit të vihen nën pranga.

Në videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje, përmendet rasti i deputetes Margarita Kadriu, që sipas kësaj partie, kishte fituar një terminal doganor në këmbim të një vote për zgjedhjen e Thaçit president. Përveç kësaj, në video thuhet se terminale të tjera të privatizuara janë, terminali i Devollëve, terminali i djemve të Isa Mustafës dhe terminali i Sami Lushtakut.

Isa Mustafa, por edhe djali i tij Besnik Mustafa, kanë reaguar duke i quajtur shpifje këto akuza se kanë terminale apo se kanë pasur.

Të veprojë Qeveria

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, thotë për “Bota sot”, se nëse ka pasur keqpërdorime në këtë drejtim, atëherë pse hesht Qeveria.

Sipas tij, Qeveria që udhëhiqet nga Vetëvendosja i ka të gjithë mekanizmat që të veprojë nëse dikush ka keqpërdorur apo ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Nëse ka pasur keqpërdorime në këtë drejtim, pse hesht Qeveria? Unë personalisht nuk kam asnjë argument që dikush ka keqpërdor, por nëse të tjerët kanë argumente se është keqpërdorur buxheti i shtetit, është vepruar në kundërshtim me ligjin, atëherë Vetëvendosje e Qeveria i ka të gjitha mekanizmat të veprojë”, ka pohuar Lekaj.

Image
Pal Lekaj

Një thirrje sikurse të opozitës, e ka edhe analisti politik Skender Zogaj, i cili thotë se VV-ja duhet t’i publikojë emrat dhe Ministria e Drejtësisë të veprojë.

Analisti politik, Skender Zogaj, thotë për “Bota sot” se premtimi kryesor i qeverisë Kurti ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prandaj edhe e kanë marr shumicën.

Nëse vetëm arrin ta realizojë këtë premtim, Vetëvendosje sipas Zogajt, do të jetë shumë e nderuar.

Zogaj e quan skandal humbjen e 370 milionë eurove dhe kërkon ndëshkim të rëndë të atyre që janë implikuar.

“Premtim kryesor elektoral nga Qeveria Kurti ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe ky premtim ia ka ofruar besimin qeverisës shumicës së shtetasve të Kosovës. Nuk ka asnjë dyshim se, nëse këtë premtim VV-ja e realizon, do të jetë shumë e nderuar, sepse, dihet se krimi dhe korrupsioni ia kanë blu palcën e kurrizit lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, që kanë pësuar dëme të pariparueshme! Prandaj, njoftimi se gjatë 10 vjetëve të kaluara janë humbur 370 milionë euro prej terminaleve, nëse është e vërtetë, paraqet një skandal të llojit të vet që, e meriton ndëshkimin më të rëndë të mundshëm të të gjithë të implikuarve!”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Zogaj: Ministria e Drejtësisë t’i denoncojë përfituesit

Ai e konsideron njoftimin e Qeverisë si njoftim të përkohshëm, sepse sipas tij, nëse është saktësisht është i vërtetuar ky lloj krimi, atëherë duhet të vihen nën pranga të gjithë keqpërdoruesit.

Sipas tij, Vetëvendosje e ka bërë publik njoftimin, ajo duhet të ofrojë pasqyrën në detaje dhe listën e emrave konkret dhe pastaj Ministria e Drejtësisë t’i denoncojë përfituesit.

“Njoftimi i qeverisë Kurti mendoj unë, është i parakohshëm, sepse në rastet e këtilla, nëse është saktësisht e vërtetuar se ka ndodhur një kësi lloj krimi, lajmi i parë është dashur të jepet pasi të ishin vënë nën pranga të gjithë ata keqpërdorues, që i kanë shkaktuar humbje kaq të madhe buxhetit të Kosovës! Pra, në rastet e këtilla pa hezitim drejtësia duhet të veprojë dhe përfituesit nga më i vogli e deri te më i madhi të japin llogari. Tash kur VV-ja e ka bërë publik njoftimin, duhet të ofrojë pasqyrën në detaje dhe listën e emrave konkret me rolin dhe shkeljen konkrete dhe Ministria e Drejtësisë të arrestojë të gjithë përfituesit dhe ata që i kanë dhënë paligjshëm duke ia rikthyer terminalet shtetit! Por, jo vetëm terminalet, janë edhe shumë e shumë asete të tjera!”, pohon Zogaj.

Image
Skender Zogaj

Zogaj ka kërkuar nga Qeveria që të merret edhe me korrupsionin dhe krimin e organizuar në ndërtimtari.

“Është koha që Qeveria të merret edhe me korrupsionin dhe krimin e organizuar në ndërtimtari, ku po ndodh ekstremi i shkatërrimeve të jashtëzakonshme të ambientit, me një shkallë gallopante të përfitimeve të rrjeteve përfituese. Shembullin më të shëmtuar të keqpërdorimeve absurde e paraqesin sidomos Prishtina dhe Fushë Kosova, që kanë pësuar degradime të rrezikshme për jetën e njerëzve!”, shton Zogaj për “Bota sot”.

Videoja për tribunalet dhe kritika ndaj opozitës, nuk është e para që publikohet nga Vetëvendosje.

Më 3 tetor, ajo kishte publikuar videon e parë në të cilën thuhet se për 20 vjet rresht në Kosovë kanë qeverisur “shkatërruesit e shtetit” që nuk duan ta shohin Kosovën mirë.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë, për 20 vjet kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme, por praktikisht në një qëllim”, thuhej në postimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat